Koncesion 1 muaj para zgjedhjeve, mirëmbajtja e anijeve tek privati

Saktësisht një muaj para zgjedhjeve qeveria shqiptare ka dhënë një tjetër koncesion 5-vjeçar. Bëhet fjalë për monopolin e shërbimeve të anijeve detare me rimorkiator për portet më të mëdha të vendit, i cili i është dhënë shoqërisë private “Anijet e Shërbimit Detar” me administrator shtetasin Bujar Hoti. Kontrata koncesionare do të përfshijë shërbimet detare në Portin e Durrësit, Shëngjinit, Vlorës, Sarandës, Romano Port dhe atë të Petroliferës në Vlorë, si dhe të gjitha portet e hapura në Shqipëri për një periudhë 5-vjeçare. Sipas dokumenteve të bëra publike nga Ministria e Transporteve në Agjencinë e Prokurimit Publik kontrata koncesionare ka një vlerë prej 238.4 milionë lekë ose afro 1.8 milionë euro. Objekti i kontratës do të jetë financimi, rehabilitimi, operimi, mirëmbajtja dhe transferimit i së drejtës së operimit dhe pronësisë së shërbimit të anijeve detare në formën ROT.

Vlera e kontratës u rrit me 25%

Në tenderin për dhënien me koncesion të këtij shërbimi kanë marrë pjesë dy shoqëri. E para “Gesmar-Gestione Maritime” dhe “Petrolifera”, ndërsa shoqëria e dytë ishte “Anijet e Shërbimit Detar”. Ministria e Transporteve ka përzgjedhur si fituese këtë të dytën, pasi sipas saj shoqëria e parë nuk kishte dokumentacionin e kërkuar nga ligji. Kjo është tentativa e dytë në pak muaj për dhënien me koncesion të shërbimeve të anijeve detare me rimorkiator. Herën e parë vlera e kontratës që përcaktuar 191.8 milionë lekë, por sipas ministrisë tenderi dështoi për mungesën e ofertave të vlefshme. Pas dështimit të tenderit të parë, qeveria ka rritur me 25 për qind vlerën financiare, që do të përfitojë koncesionari privat. E gjitha kjo vetëm një muaj para mbarimit të mandatit të qeverisë.

Shërbimi në të gjitha portet e vendit

Sipas ministrisë të katër portet shtetërore në vend (Durrës, Vlorë, Shëngjin dhe Sarandë) kryejnë një vëllim mesatar vjetore të ngarkim-shkarkimit në rreth 3 milionë tonë, ndërsa presin rreth 1.4 milionë pasagjerë në vit. “Porti i Durrësit mbetet porti më i madh i anijeve në Shqipëri, duke realizuar rreth 90% të totaleve ngarkim-shkarkimit në vitin 2012, ndjekur nga Shëngjini, Vlora dhe Saranda”, shkruan ministria në shpalljen e kontratës. “Porti i Shëngjinit ka arritur të mbajë një rritje të qëndrueshme, ndërsa aktiviteti i Portit të Sarandës është i kufizuar”, shton ajo. Ministria nënvizon se koncesionari fitues i tenderit duhet të shtrijë veprimtarinë e vet të shërbimit në të gjitha portet e hapura të Republikës së Shqipërisë që janë në veprimtari. Përzgjedhja e kompanisë fituese do të mbështetet në 6 kritere, ku përfshihen çmimet për çdo shërbim, cilësia e pajisjeve hidromekanike, elektrike, komandimit, koha e vënies në shfrytëzim, ndikimi social dhe mjedisor, si dhe vlera e tarifës koncesionare e shprehur në përqindje të të ardhurave dhe fuqia e rimorkiatorëve.

Artikulli paraprakMziu mban premtimin, ngjit Kamzën në Superligë
Artikulli tjetër22 miliardë lekë transferohen jashtë vendit