Murinjo zbulon sekretin e formës së Ibrës

Zlatan Ibrahimoviç provoi edhe një herë të mërkurën se mosha është vetëm një numër kur shënoi dhe asistoi dy golat e Mançester Junajtid në fitoren në “Selhurst Park”. Është 35 vjeç dhe po ecën ende fort në karrierë. Kristal Palasin e gjunjëzoi dy minuta nga fundi dhe për Junajtid janë 3 pikë më tepër dhe fitorja e dytë në Premier Ligë në harkun e 4 ditëve. “Djajtë” kanë 8 pikë më shumë në klasifikim falë golave të tij këtë sezon.
Për të shënuar 14 golat, suedezit i janë dashur 24 ndeshje me Junajtid, ndërkohë që 6 prej këtyre golave i ka shënuar në po kaq ndeshje të fundit. Golat e tij i kanë dhuruar pikë skuadrës së Murinjos edhe në ndeshjet ndaj Hull Sitit, Sauthemptonit, Uest Hemit, Evertonit dhe Suonsit. Prandaj nuk ka dyshime përse në këtë moshë ai ka qenë titullar në çdo ndeshje të Premier Ligës në të cilën ka qenë i disponueshëm.
Ish-sulmuesi i PSG-së po tregon se është një i mbinatyrshëm fizikisht, kjo përveç vullnetit të tij personal, edhe për meritë të trajnerit. Zhoze Murinjo e ka menaxhuar në mënyrë të shkëlqyer deri tani, duke i ofruar veteranit pushime më të zgjatura gjatë pushimeve ndërkombëtare.
“Unë e njihja karakterin e tij, sepse në këtë moshë mendoj se është karakteri, personaliteti dhe pasioni ai që vendos. Cilësinë ai e ka. Unë e dija që ai mund ta bënte këtë që po bën këtu me shumë pasion. I thashë se Anglia nuk është vendi më i mirë për pushime dhe se kur një djalë i pasur me një karrierë fenomenale dëshiron të bëjë pushime, ai nuk vjen në Angli. Ti vjen në Angli nëse dëshiron të jesh pjesë e kampionatit më të vështirë në botë dhe nëse do që t’i tregosh vetes se çfarë mund të bësh. Pra, vendimi i tij për të ardhur në Premier Ligë bazohet te kjo gjë.
Prandaj jam i kënaqur, sepse nuk bëhet fjalë vetëm për gola, por për golat e tij, rolin e liderit dhe motivimin. Unë jam shumë i gëzuar”, tha Murinjo pas ndeshjes për njeriun e arteve marciale që mori edhe trajner personal fitnesi me vete dhe frymëzohet duke dëgjuar muzikë “rege” për të treguar se është më i miri në aventurën e fundit europiane në karrierë.

Artikulli paraprakFitore me Arsenalin
Artikulli tjetërDiego Kosta godet përsëri