Murgu ‘i heshtur’ dhe bota e pazbuluar e Manastirit të Zvërnecit

Semiljana AZIZI

Manastiri dukej që larg. Prej aty, prej së largu të jepte idenë se ishte bosh, pa frymëmarrje.
Sapo iu afruam hyrjes u përballëm me rojen. Vlonjat, dukej nga theksi. Pranë tij u afrua dhe Prifti.
Një burrë i gjatë, me trup mesatar, me mjekër e flokë të thinjur. Na priste sepse ishim lajmëruar paraprakisht me njëri-tjetrin.
U përshëndetëm në formë kovidiane dhe vazhduam rrugën, në urën mes detit për tek Kisha e shenjtë dhe Manastiri.

At Jan Terziu i cili shërbente që prej 2002 në Manastir, dukej që e njihte në pëllëmbë të dorës atë vend.
Ndoshta, nga nisja e përshkrimit tim gjithçka duket e qetë, por moti atë mëngjes të hëne nuk ishte ashtu.

Era e tërbuar thuajse të merrte me vete e dallgët e egërsuara të Adriatikut vinin të qeta, merrnin vrull nga fundi e përplaseshin furishëm në cekëtinë e bregut.

Vazhduam të përshkronim të qetë urën mes detit, ku shpesh herë ndalonim e diskutonim shqetësimet e para, ndërkohë që moti sa vinte dhe shtrëngonte.
Për t’u ruajtur nga tërbimi i erës u ulëm në ballkonin e njërës prej katër ndërtesave që ishin aty.
Ngjitëm 15 shkallët e gurta e u rehatuam në karriget me dru kaf të errët. Flixhani i kafes turke të mëngjesit që ndoshta e kishte konsumuar At Jani ose ndoshta dhe dikush tjetër gjendej ende aty.

“Mendova se do e kisha të vështirë të hyja në Manastir”- iu drejtova At Janit.
“Askush nuk e ka të vështirë të hyjë këtu. Të gjithë lejohet të hyjnë. Vijnë ndezin qirinjë, bëjnë foto, njohin historinë e vendit, bisedojnë me mua ose me njëri-tjetrin ose dhe thjesht shijojnë ambientin rrotull. Por për çdo vend e situatë ka një kod veshjeje të caktuar. Turistët të cilët ngatërrojnë rrugën, ose mendojnë se mund të bëjnë dhe plazh dhe të vizitojnë Manastirin unë i kthej nga rruga.Në plazh shkojmë si në plazh, në shkollë si në shkollë e në varrim si në varrim. Njësoj dhe këtu. Ky është një vend i shenjtë, i njohur jo vetëm në libra si i tillë por dhe i dokumentuar në histori.”

At Jani kishte të drejtë. E sigurisht që fjala por dhe kompetencat e plota që kishte për atë vend nuk i viheshin në diskutim.
Manastiri nga hyrja dukej bosh dhe shumë i ftohtë, por brenda ishte tjetër.
Vërtet i qetë dhe gjeje paqen, që e gjen vetëm në shtëpinë e Zotit.
Kisha e Manastirit, monument kulture i mbrojtur nga shteti e cila daton rresh shekullit të X-XII, e stilit bizantin me një kupolë dhe kryq, ishte e vogël.

Një vend i mbledhur i mbushur me ikona. Në tërësi kishte dy dhoma. Në atë kryesoren, ku mbaheshin dhe liturgjitë fetare, mbizotëronte nuanca kafe, me dru të punuar me mjeshtëri, ikona origjinale që prej ndërtimit.

Ndahej nga dhoma e dytë me një korridor të vogël. Ajo ishte bosh, e gurtë dhe pak e errët. At Jani më shpjegoi se dhoma e dytë ishte konceptuar për rast festash, ose organizimesh të mëdha të Kishës ku dhe njerëzit dhe të ishin më të shumtë në numër.
“Manastiri është një vend pak më intim, por jo i izoluar. Në meshat ose liturgjitë fetare mund të vij kushdo, nga çdo qytet. Ama s’mund të organizohet çdo festë.”- më tërhoqi vëmendjen Prifti.

“Këtu organizojmë pagëzime, festa të rëndësishme fetare, kremtime të datave të veçanta në fenë Ortodokse, por jo dasma përshembull.
Kjo nuk do të thotë që jemi të mbyllur kundrejt festimeve të cilat nuk cënojnë integritetin e këtij vendi. Këtu Zhani Ciko ka mbajtur një koncert thuajse një vit më parë, dhe nuk e ndaluam sigurisht. Ky vend nuk është hermetik, ne dëshirojmë që këtu të ketë gjallëri dhe njerëz. Por sigurisht çdokush që vjen, duhet të gëzojë respekt kundrejt Kishës dhe Manastirit.”

E meqë Prifti më përmendi njerëzit, s’mund të rrija pa e pyetur për turistët, të cilët tashmë e kanë pikë referimi Manastirin e Zvërnecit.
“Edhe pse në pandemi, këtë vit kemi pasur turistë më shumë seç prisnim. Nga Polonia, Çekia, Greqia por dhe nga Amerika. Nuk janë turistë të cilëve thjesht u bie rruga këtej dhe vijnë që ta vizitojnë. Janë turistë të cilët vijnë nga vende ortodokse dhe vizitën në Manastirin e Vlorës e kanë qëllim në vetvete. Madja janë aq mirë të informuar sa kërkojnë edhe varrin e Shën Lefterit, ose Kishën e tij. Ndërkohë që varri i Peshkopit të Vlorës ende nuk është gjendur dhe nuk dihet se ku është”- përfundoi Prifti.

Çdo cep i atij ishulli, bimë, gur… çdo cep e asaj kishe mbante mbi vete shekuj të tërë histori, lutje, përdhosje, ringritje e adhurime.
Kisha sëbashku me Manastirin ishin mbyllur në 1967, si çdo objekt kulti në Shqipëri.

Nuk di të them a e kishte vazhduar apo jo ritualin e lutjes, meshat e të dielave apo kremtimet e festave edhe në kohën e humbjes së identiteti. Por për aq kohë sa ishte rihapur, filloi të frekuentohej e të kërkohej me po të njëjtin ritëm mund të them me siguri që kurrë nuk është zhdukur.
“Kisha nuk dënon por as nuk toleron!”

Kështu u shpreh At Jani kur e pyeta nëse kishin tentuar ndonjëherë ta grabisnin ose të hynin e forcë në ambientet e Kishës.
“Plot, sa herë të duash. Kanë hyrë, janë identifikuar më pas nga policia. Por kanë qenë vetë autoritetet e Kishës që janë tërhequr më pas. Qëllimi i Kishës, i fesë Ortodokse nuk është të dënojë. Njeriu duhet të dijë që është Zoti ai që në të vërtetë na gjykon. Megjithatë mund t’ju them që pikërisht janë këta persona që sërish vijnë në Kishë, por me qëllim tjetër. Mund t’ju them që e kemi përmbushur qëllimin deri sa kemi ndryshuar rrugën e tyre. Zoti është i gjithëmëshirëshëm!”

Era e cila nuk e kishte ndalur tërbimin e saj na bënte që të strukeshim edhe më shumë në ndërtesën e gurtë.
Adriatiku që përplasej ne breg tashmë e kishte ndryshuar dhe ngjyrën e tij. Nga i kaltër dukej si ujë moçalor.
At Jani më tregonte se ishte shërbente i vetëm aty, megjithatë në raste organizimesh i bashkoheshin dhe të tjerë.
Por krejt rastësisht në oborrin e Manastirit kalon një i ri, i veshur si prift që u zhduk pa lënë hijen e tij pas.
Rastësia bëri që biseda të merrte një tjetër drejtim dhe prifti që kishim biseduar tashmë për 45 minuta të na tregonte se i riu nga Devolli i Korçës ishte aty për provën e murgjërisë.

I riu kishte shprehur dëshirën që jetën t’ia dedikonte një force supreme, një fuqie substanciale.
Prifti na tregoi se për të shprehur një dëshirë të tillë fillimisht duhet të kesh disa cilësi.
Virgjëria, besimi i pakthyer në Zot, dëshira e vullneti e më shumë akoma, forca e brendshme që e shpreh një dëshirë të tillë.
I riu, që nuk pranoi të fliste, i plotësonte disa prej kritereve por ishte thjesht në fillim të rrugëtimit të tij. Përpos qëllimit profesional s’mund të ngulomoja më shumë në një çështje të tillë kaq intime mes njeriut dhe besimit.

E në po të njëjtat ujëra vazhduam bisedën me At Janin.
“Edhe unë, dikur e kam shprehur dëshirën për t’u bërë murg, nuk e arrita. Disa kushte paraprake nuk i plotësoja sepse asokohe isha në një lidhje dashurie me gruan time.”

Kur e pyeta se si kishte kishte lindur dëshira për të ndjekur një rrugë të tillë, Prifti u mendua një hov dhe shikimin gjithë nostalgji e hodhi tej.
“Kur isha i vogël flija gjithmonë me babain. E kisha gjysh por i thërrisja baba. Mbaj mend se para se të flinim babai seç murmuriste disa fjalë, jo në shqip. Por kurrë nuk e pyeta se çfarë thoshte. Kur rastësisht gjatë kohës që isha emigrant në Greqi, me disa miq më erdhi mundësia të shkoja në Kishë, fjalët e Priftit që mbajti meshën mu dukën të dëgjuara.

Ishin po të njejta si të babait. Kjo ishte shkëndija e parë, goditja që më shtiu në mendje të bëhesha Prift.”
Shkëputur nga nostalgjia dhe kujtimet At Jani më tregoi problemet e Kishës, disa herë të artikuluara.
Ishulli ‘përndiqet nga ujqër’ të cilët dëshirojnë ta zaptojnë me doemos.
“Nëpërmjet dokumentacioneve të falsifikuara kanë tentuar disa herë të kërkojnë pronësinë e ishullit të dytë pas Manastirit. Por deri më tani nuk është lejuar.”

Godinat rreth Manastirit gjatë verës përdoreshin si kampingje verore për fëmijët.
“Rreth 200 fëmijë vijnë këtu për 15 ditë. Janë nga e gjithë Shqipëria dhe jo domosdoshmërisht ortodoks. Kjo është një nga periudhat më të hareshme këtu në ishull. E mbushur koha me argëtim e zëra fëmijësh.”- përfundoi At Jani.
Të vizitosh Manastirin nuk është kurrë vonë dhe as një mundësi e humbur. Në më pak se 2 orë arrita të prekja nga afër e të përjetoja një botë sa të prekshme aq edhe të padukshme.

Sigurisht që një nuancë të veçantë i dha dhe prezenca e murgur të heshtur duke na treguar sa intime por njëkohësisht e fortë është lidhja mes njeriut dhe besimit.

Në fund të këtij udhëtimi që nisi në shekullin X dhe përfundoi në 2020-ën, kam kuptuar se besimi e fati do të të shpjenë deri në një farë pike. Por që të arrish qëllimet dhe objektivat duhet të punosh. Nuk ka hile e rrugë të shkurtër. Jetës nuk ia hedh dot!

Artikulli paraprakBasha sërish thirrje SPAK: Zoti Kraja, çfarë ju pengon të hetoni aferën mafioze të inceneratorëve?!
Artikulli tjetërFakt tronditës/ Basha publikon dokumentin: Inceneratori i Fierit u përzgjodh pa vlerësuar ofertën financiare