Muralja në pallatin e artistëve/ Vajza e kompozitorit të madh, akuza ndaj Veliajt: S’ke pse të hakmerresh në këtë mënyrë

Ertrita Ibrahimi, vajza e kompozitorit të madh Feim Ibrahimi ka qenë e ftuara speciale e gazetares së Fax News Edona Haklaj, në emisionin ‘Oda’, i cili transmetohet çdo të shtunë.

Që në nisje biseda është ndalur te një nga çështjet më të bujshme, që ka ndodhur këto ditët e fundit, sa i takon artit mural, ku në pallatin ku ka jetuar Ismail Kadare, Dritëro Agolli dhe Feim Ibrahimi, është krijuar një grafikë nga artisti Franko Dino me mbështetjen e Bashkisë së Tiranës.

Por familja Ibrahimi është ndjerë e fyer nga puna e përfunduar, ku portreti i Ibrahimit nuk është vendosur, por vetëm partitura e tij, ndërkohë që nuk është zgjedhur njësoj për Agollin dhe Kadarenë.

Gjatë bisedës, Ertrita, e cila është njëherësh edhe vetë pianiste, tregon të gjithë atë që ka ndodhur, para se të përballeshin me veprën finale.

“U befasova, sepse në historinë e muzikës shqiptare Feim Ibrahimi ka të njëjtën vlerë siç ka Ismail Kadare apo Dritëro Agolli në letërsinë shqipe.

Pasi vepra e tij luhet në gjithë botën, në vendet kryesore sigurisht, shumë herë telefoni im tringëllon sepse më kërkojnë partiturat e tij nga vende të ndryshme të botës. Nuk e kuptoj këtë diferencë ndërkohë që aty kanë kontribuar për gjithë jetën të tre këta artistë, dhe kemi qëne përvecse komshi dhe miq të jashtëzakonshëm.

Ai pallat është quajtur gjithmonë pallati i artistëv, pikërisht se ishin këta të tre. Kur ai piktori, djali i ri qe po piktoronte fasadën e murit, erdhi na trokiti në derë për të kërkuar një partiturë mamaja ime dhe unë ja dhamë më dëshirë sepse nuk e kuptuam realisht cfarë donte të bëntë. Menduam qe do të vihej dhe portreti dhe ishte shumë në rregull.

Kur e zbulova se nuk ishte, mbeta e befasuar pasi nuk ka arsye për këtë diferencim. Pastaj fillova të mendoj që kjo vjen për shkak të reagimeve të mia ndaj bashkisë së Tiranës, e cila është komisioneri i asaj muraleje, ose për shkak të injorancës të atyre që e kanë vendosur këtë.

Ndoshta nuk dinë rëndësinë qe ka Feim Ibrahimi në muzikën shqipe. Ndoshta nuk dinë sepse në shkolla lënda e muzikës është më e denigruara. Kam vënë re që edhe në librat e muzikës nuk ka mjaftueshëm informacion për historinë e muzikës.

Ndoshta vjen nga ky fakt, megjithëse Feim Ibrahimi ka realizuar vepra që janë futur në histori. Nuk është ndonjë arsye e mirë, sepse ata që punojnë në bashki të mos njohin kush është njeri apo tjetri, tregon qe ka një hendikap të madh.

Këtu nuk bëhet fjale për mua por për tim atë, dhe s’ka pse të hakmerresh në ketë mënyrë. Është mendimi i parë që më ka ardhur në kokë, mund edhe të mos jetë por nuk e përjashtoj. Unë nuk jam militante, as im atë nuk ka qënë. Nuk jam as e PS as e PD, politika ime është vetëm arti”, u shpreh Ibrahimi.

Sa i takon artistëve që merren me politikë, apo e kundërta, Ibrahimi tha se i pëlqen të mos përfaqësohet nga asnjë parti politike.

”Nuk e shoh politikën si ambient të përshtatshëm për politikën, por them se një artist nuk ka nevojë per politikën. Jemi në kushte të vështira sot, por kjo nuk do të thotë qe ti duke shkuar pas një politikani do të gjesh mjetet e duhura për të jetuar apo mbijetuar sepse nuk është e thënë.

Tani kohët e fundit, cdo ditë shoh një artist që i bashkohet rradhëve të një partie kryesisht asaj në pushtet dhe më duket pak e ekzagjeruar. Cdo ditë po del nga një, dhe më duket pak e stisur, jo natyrale, jo zgjedhje personale.

Nëse është kështu atëherë nuk është dicka e mirë, nëse janë zgjedhje personale, jo të shtyra nga palë të treta është e pranueshme.

Gjithsesi mendoj që artisti nuk duhet te përfshihet ne punët e politikes, sepse ose do të bëje mirë artin ose do të bëje keq politikën”, është shprehur më tej artistja në bisedën me gazetaren Haklaj.

Artikulli paraprakBardhi publikon videon dhe ka një pyetje për Edi Ramën: Kush i mori 75 milion euro?
Artikulli tjetërÇim Peka, 10 pyetje Edi Ramës: Eja të Enjten bilbilos tek unë!