Mungojnë 40 miliardë lekë nga tatimet dhe doganat

Teksa buxheti është rishikuar me shkurtim mbi 4 miliardë lekë në shtator në krahun e të ardhurave, në tre muajt e fundit performanca fiskale sipas parashikimeve po has vështirësi.
Sipas të dhënave fiskale shihet se për periudhën 10-mujore, janar-tetor të ardhurat kanë shënuar një deficit me 4 miliardë lekë në krahasim me planin e periudhës, ndërsa në krahasim me një vit më parë është mbajtur ritmi i rritjes me 7%, ndonëse rritja është frenuar ndjeshëm në muajt e fundit në krahasim me fillimin e vitit.
Deficiti më i lartë është krijuar nga të ardhurat që duhej të grumbulloheshin nga Administrata Tatimore dhe Doganore. Në fund të dhjetëmujorit ato grumbulluan 3.6 miliardë lekë më pak ose rreth 30 milionë euro më pak se plani. Performancën më të dobët e ka patur Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, i cili shënoi një deficit në krahasim me programin me rreth 4.7 miliardë lekë.
Të njëjtën ecuri me rënie ka shfaqur edhe akciza, e cila shënoi një deficit me 1.2 miliardë lekë në raport me planin ose 6 për qind më pak. Tatimi mbi Fitimin ka shënuar një ecuri të mirë me rreth 4 miliardë lekë nxitur nga performanca e mirë e kompanive të energjetikës. Vetëm OSHEE për nëntëmujorin ka paguar mbi 1.3 miliardë lekë tatim fitim.
Dobësi janë vërejtur edhe në të ardhurat jo tatimore, të cilat ishin 8 për qind më të ulëta se plani.
Ministria e Financave referon se, të ardhurat tatimore pritet të mbyllin vitin me një mosrealizimin prej 5 miliardë lekësh ose 1.4%. Në muajin shtator, qeveria i pat shkurtuar parashikimet për të ardhurat me rreth 4 miliardë lekë. Sipas kësaj ecurie, buxheti i vitit 2016 do të mbyllet me një mosrealizim gati 9 miliardë lekë në krahasim me parashikimin fillestar.
Sipas draftit të Ministrisë së Financave, të ardhurat tatimore në vitin 2016, pritet të realizohen në nivelin 98,7%. Nga 375,8 miliardë lekë të programuara, pritet të arkëtohen 370,7 miliardë lekë.
Për vitin 2016, të ardhurat nga “Tatimet dhe Doganat”, priten të realizohen në masën 277.1 miliardë lekë nga 282.2 miliardë lekë të planifikuara ose 1.8% më pak se plani. Të ardhurat e mbledhura nga tatimet dhe doganat (përfshirë kontributet), pritet të realizohen në masën 351.6 miliardë lekë nga 356.6 miliardë lekë të planifikuara, pra 1.4% më pak se plani.
Të ardhurat nga Administrata Doganore pritet të realizohen në masën 150 miliardë lekë ose 3.3% më pak se plani, ndërsa të ardhurat nga Administrata Tatimore pritet të realizohen në masën 127 miliardë lekë ose 0.04% më pak se plani. Së bashku me kontributet, Administrata Tatimore pritet të realizojë në nivelin 100% të ardhurat e programuara.
Pjesën kryesore në mosrealizimin e të ardhurave nga tatimet dhe doganat, pritet ta kenë të ardhurat nga Tatimi mbi Vlerën e Shtuar, me realizim rreth 133 miliardë lekë, pra rreth 4.8 miliardë lekë ose 3.5% më pak se plani.
Të ardhurat nga akciza dhe renta minerare pritet të mos realizohen në masën 3.4 miliardë lekë.
Në analizën e kryer, lidhur me pritshmërinë e të ardhurave për vitin 2016, evidentohet se faktorët, të cilët kanë ndikuar në performancën e të ardhurave janë kryesisht faktorë të jashtëm.
Ministria e Financave ka arsyetuar se çmimet e mallrave bazë në tregjet botërore kanë vijuar të mbeten të ulëta, ku ndër to, çmimi i naftës, sipas indeksit europian Brent, shënoi një rënie me 26% në terma vjetorë. Në linjë me këto zhvillime, çmimi i naftës ka vijuar të shënojë rënie edhe në tregun vendas. Rënia e normës bazë të interesit ka ndikuar në arkëtimin më të ulët të të ardhurave nga tatimi i interesave dhe gjithashtu rënia e eksporteve me 10% në vlerë cilësohet si një faktor që ka ndikuar negativisht të ardhurat.

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërProkuroria nis hetimet për Beqajn