Mungesa e Pjaniç

E paimagjinueshme dhe e pashpjegueshme zgjedhja për të lënë në pankinë Miralem Pjaniçin kundër Sevijes, në debutimin sezonal të Juventusit në Ligën e Kampioneve. Media italiane dhe analistët e saj, por edhe tifozët, nuk e kanë mirëpritur aspak këtë, aq më shumë kur në fund rezultati ka qenë “i bardhë”, 0-0, me rrjeta të paprekura.
Natyrisht që me pak më shumë fat, ftohtësi dhe përgjegjësi, kampionët e Italisë do të kishin fituar dhe mund ta kishin mbyllur ndeshjen shumë shpejt, pse jo që në pjesën e parë, duke shmangur kështu këtë “aksident” mediatik, por jo më kot thonë që në futboll vlen rezultati dhe Juventusit i mungoi ai.
Padyshim që ta shndërrosh në një katastrofë këtë fakt duket diçka absurde, por edhe pse nuk ka vend për të ngritur një çështje të madhe, duket disi absurde që një trajner me eksperiencë si Masimiliano Alegri të vendosë të heqë dorë nga më shumë cilësi që mund të kishte skuadra e tij.
Lojtarë si Pjaniç e ëndërronte PSG-ja, Mançester Junajtid dhe Reali i Madridit, prandaj thjesht luksi që t’ua shkëpusësh këtyre konkurrenteve këtë kampion të madh, të detyron që ai të jetë gjithmonë në fushë. Me karakteristikat e tij, ish-romanisti të lejon që të jesh gjithmonë një hap sipër kundërshtarëve.
Vërtet Juventusi e ka nisur, duke dominuar këtë kampionat, me tri fitore në tri ndeshjet e para, por kjo skuadër sivjet është ndërtuar për të fituar Ligën e Kampioneve, prandaj nëse kërkon ta bësh realitet këtë ëndërr, duhet të nisësh të bindësh në fushë, të fitosh pa u ndalur, sepse ndryshe nuk mund t’u transmetosh frikë edhe atyre që shihen si favoritetet kryesore për këtë kompeticion.
Fundja, vetë “Konti Maks” përpara ndeshjes tha se këtë sezon, skuadra e tij është e detyruar për të luftuar deri në fund dhe për të risjellë trofeun që mungon në Torino prej 20 vitesh (hera e fundit në vitin 1996), por kur t’i vendos që të mos përdorësh të gjitha armët që ke në dispozicion për të fituar një ndeshje në dukje të lehtë, e cila u komplikua pas pjesës së parë, kjo shtyn median dhe tifozët me të drejtë që të mendojnë negativisht, mbase duket pak mendjemadhësi.
Për cilësinë që ka grupi i “Zonjës së Vjetër”, ky barazim nuk mund dhe nuk duhet të ndikojë aspak në moralin dhe krenarinë e skuadrës, por fakt është që me Pjaniçin, Juventusi pati jo vetëm më shumë zotërim të saktë topin, fantazi, paparashikueshmëri dhe thellësi, por edhe më shumë përgjegjësi dhe siguri nga ana e grupit për të shkuar te fitorja.
Prandaj, nga ky leksion, Alegri duhet të mësojë se të bësh pa Pjaniçin është një gabim, sepse fundja, ai erdhi për të zënë vendin e njërit si Pirlo, pa të cilin Juventusi i dy viteve më parë nuk mund të bënte dot…

Artikulli paraprakEder: Humbje e shëmtuar, nuk mendonim për Juven
Artikulli tjetërBeso i Ramës, 690 mijë euro borxh, i sekuestrohet kompleksi “Taiwan”