Cubat hanë popullin e tyre

Zija ÇELA

1. I tillë është njeriu, në zemrën e tij ka gjithnjë vend për dhembjen e tjetrit. Prandaj e pranova pa mëdyshje ftesën tuaj. Dhe ekuacioni është i thjeshtë. Zgjedhjet e lira në demokraci janë si shkronja A, pa Alfa-n nismëtare i tërë alfabeti politik mund të bëhet çorbë. Kjo e bën çështjen tuaj jo vetëm të drejtë, por edhe shumë të rëndësishme. Për të mos mbetur teorik, çka s’është në natyrën e shkrimtarit, po e rrëfej idenë duke shfrytëzuar vendndodhjen e çadrës. Jemi në bulevardin e njohur, i cili me zgjatimin drejtvizor ruan pamjen që kanë ballinat në pistat e stadiumeve. Tamam në këtë pistë sapo do të fillojë një garë vrapimi, do të fugohet që nga sheshi qendror deri tek universiteti. Mirëpo çfarë ndodh? Kur dëgjohet krisma, një pjesë e garuesve nuk nisen dot menjëherë, sepse i kanë kapur për krahësh disa duar të pista. Madje njërin nga vrapuesit kryesorë, atë që aspiron për të kryesuar, edhe pas nisjes e pengojnë sërish, sepse krahëmbajtësit janë kamufluar me qytetarët që ndjekin garën nga trotuaret. E kështu, vetëm kur shëmri hileqar, konkurrenti tjetër aspirant që është nisur pa asnjë pengesë, të ketë siguruar distancën e nevojshme dhe fitoren e sigurt, të tjerët mund ta vazhdojnë garën. Çfarë është kjo? Është pamja e transfiguruar e zgjedhjeve të përlyera në Shqipëri. Është turpi ynë, faqja jonë e zezë prej shumë vitesh. Ju kujtohet 1997-ta? Me ç’njollë kaosi e damkosëm vendin dhe sa lekë të shkreta humbën qytetarët nga xhepi i tyre! Por ne përsëri jemi duke humbur dhe duke humbur rëndshëm. Po humbasim nderin e përkatësisë kombëtare dhe moralin e qytetarisë me damkën e rekordit europian të drogës. Gjithë ky kapital i krimit do të përdoret patjetër nga të kriminalizuarit. Potenciali i tij është aq i fuqishëm, sa ta lërë në hije pazarin lokal të Peshkopisë, duke krijuar një treg të zi elektoral në mbarë vendin. Dhe meqë jemi në vitin zgjedhor, ky farë përbindëshi e bën çështjen tuaj jo vetëm të drejtë e shumë të rëndësishme, por edhe krejt aktuale, të nxehtë dhe tepër urgjente. Mirëpo si do të arrihet objektivi?
2. Nga fillimi i viteve ‘90-të, kur të gjithë po suleshin me turr andej nga frynte era e re, drejt Partisë Demokratike, herë-herë më trazonte një vizion, që sikur më vinte nga e ardhmja. A do të kemi ne pluralizëm të vërtetë për të mos çaluar nga një anë, pyesja veten, a do të mund të transformohet Partia Socialiste, që doli nga pelenat e Partisë së Punës? Në këto rrethana m’u duk sikur identifikova një nga faktorët subjektivë. Ishte koha kur, pasi Ramiz Alia ishte bërë President, shoku Xhelil Gjoni kishte dalë në krye të PS-së. Shkova në zyrën e tij, në Komitetin Qendror, dhe si qytetar e vëzhgues i zhvillimeve politike, i kërkova dorëheqjen. Nuk do të ngurroja sot për të trokitur edhe në Kryeministri apo në selinë e PD-së nëse, për të thënë të vërtetën, nuk do të ishim në situata politike krejt të ndryshme, të pangjashme njëra me tjetrën. Mirëpo ja që ju, megjithatë, ia kërkoni dorëheqjen zotit Rama, ia kërkoni në mënyrë të përsëritur e me ngulm. Madje lideri i opozitës, zoti Basha, e fton kryeministrin në takim me dorëheqjen e firmosur. Nuk marr përsipër tërë analizën e këtij momenti, veçse po heq ndonjë vizë paralele. Atëherë përse do të bëhej takimi me një njeri të zhveshur nga pushteti, një njeri që nuk ka më tagër për asgjë? Me cilin do të bisedonte zoti Basha? Kryeopozitari nuk është Hamleti dhe as Kryeministri nuk mund të shndërrohet në fantazmën e mbretit, sepse dialogje të këtilla mund të ndodhin vetëm në teatër, si në tragjedinë e Shekspirit. Kam dëgjuar se, në bazë të statutit të PS-së, kryetari i partisë është njëkohësisht kryeministër. Për analogji, e përfaqëson gjithnjë kryetarin socialist një partiak, që nuk është më Kryeministër?
Në karriget zyrtare që kanë, dy liderët antagonistë nuk janë të defaktorizuar, pra të kenë dalë jashtë loje, ndërsa formalisht vazhdojnë ta ngrohin kolltukun. Përkundrazi, ata janë dy faktorë me përfaqësim të plotë politik, të deleguar (tingëllon si të dënuar) për t’u ulur së bashku në tryezën e bisedimeve dhe për të negociuar zgjidhjen e krizës. Më pas, si rezultat i bisedimeve, pse jo, mund të vijnë edhe dorëheqjet, heqjet dorë nga kjo apo ajo tezë, ose edhe duarshtrëngimet. Por, në vend të takohen, ata vazhdojnë të gjuhen me fjalë në distancë.
3. Dhe kjo distanca më kthen përsëri te figura e bulevardit. Përfytyrojeni njërin nga liderët te sheshi dhe tjetrin tek universiteti. Secili përsërit: Eja pra, eja se po të pres! Ftesa e Bashës është e kahershme, ajo e Ramës tani vonë. Nëse lëviz vetëm njëri, ndërkohë që tjetri s’tundet nga vendi, pritja derisa i vetmi ta përshkojë tërë rrugën, do të jetë e gjatë. Por nëse nisen të dy drejt njëri-tjetrit, koha për t’u takuar shkurtohet përgjysmë. Arroganca është grushti i hekurt i mazhorancave, të cilat nuk ka përse ta harrojnë përulësinë njerëzore (sa e bukur dhe sa e virtytshme është!), si dhe kodin e mirësjelljes politike, veçanërisht etikën e gjakftohtësinë ndaj pakicës. Prandaj, sipas meje, hapat më veprues priten nga Kryeministri. Por çfarë mund të ndodhë në tryezë dhe a do të bëhet shpejt takimi? Kush mendon se është fare i lehtë, le të provojë për ta gëlltitur mollën e fytit të tyre.
4. Pse shprehem kështu? Të tjerat dihen, por mos u habisni me thagmën që po them më poshtë. Takimi është i vështirë edhe sepse ju, me ju edhe unë, me ne shumë kallabëllëk nga të gjitha ngjyrat jashtë çadrës, jemi pjesërisht “armiq” të këtij takimi. Secila palë është mësuar t’i kërkojë liderit të vet të dalë qind për qind fitues nga bisedimet. Në vend të kulturës së tolerancës, dashje pa dashje ne u bëjmë presion për qëndrime të ngurta, deri ultimative. Atëherë si mund të ulen të çliruar ata, bashkëbiseduesit do të ndihen “të koritur”, nëse nuk ia zhvasin kundërshtarit tërë objektivat e paketës. Përndryshe, janë kolegët e tyre të partisë, jemi ne që do t’u ngjesim prapa shpine gjithfarë epitetesh e nofkash, janë besnikët e tyre, çetat e militantëve që ua nxjerrin sytë. Por kush është tjetër? Janë skifterët e interesave financiare, që vigjëlojnë vazhdimisht, duke i trajtuar marrëveshjet si bursa përfitimesh e privilegjesh.
Po, i ka ca pengesa takimi. Sepse edhe vetë gjuha e politikës kthehet shpesh në zhargon e në vagon plehrash pa kandar, në cirkëla pështyme e fyerjesh vetjake. Dhe si një reaksion zinxhir, ironia nxit ironinë e sarkazma pjell sarkazmën. Madje diku në mes kanë mbetur gjithashtu ca zarzavate të palara, lakra e kunguj, midis tyre edhe një kastravec. Prej raportit shkak-pasojë, sallatë bëhet nganjëherë politika, e uthulluar aq sa nuk vihet në gojë.
5. E pranoj, nuk është kurrsesi i pamundur, por ka vështirësitë e veta takimi. Njëra prej tyre është heqja e tisit mitizues e folklorik, që e çon deri në urrejtje të verbër dhe në armiqësi të epërme përballjen. Nuk po takohet greku Akil me trojanin Patrokel, as Gjergj Elez Alia me Bajlozin e Zi. Janë dy bashkënënshtetas, dy liderë të të njëjtit vend, por që hanë në çanakë të ndryshëm. Po, ky takim nuk mund të bëhet bam-bum në boshllëk, ai kërkon doemos një parapërgatitje. Po ku dreqin janë futur përfaqësuesit që kanë caktuar liderët, sa ndihen të zgjidhur e sa të lidhur prej tyre? Përse mbesin anonimë, përse nuk bëhen të gjallë dhe çfarë presin për të lëvizur? Mos vallë presin ambasadorët e huaj? A nuk u mjaftojnë personalitetet vendore, garantët e brendshëm pa parti, të cilët në mos qofshin ambasadorë e konsuj, janë apostuj të progresit dhe të atdhedashurisë?!
5. Çfarë do të kërkoja nga Partia Demokratike? Ndarjen e menjëhershme të punës dhe funksionimin e njëkohshëm të të gjithë agregatit të saj të madh. Çadra nuk ka pse ta pengojë grupin parlamentar të debatojë në Parlament, të votojë, të mos votojë, të bojkotojë seanca të caktuara apo të japë kumte edhe përmes komisioneve përkatëse. Një ditë, herët a vonë, zgjedhjet kanë për t’u mbajtur. Sa po përgatitet PD-ja, çfarë bëhet në bazë, tani që lideri është kaq i zënë? Sa të organizuara janë strukturat atje, sa pranime të reja bëhen, sa ndihet fryma elektorale, sa po zgjerohet dhe si komunikohet me zgjedhësit?! Nuk i shoh në skalionin e parë disa nga figurat më historike e më kontribuese të PD-së. Meqë kam punuar dikur në Kukës, po më kujtohet një thënie e atjshme: “Pylli ka ma bereqet, kur sheh se drurët e rinj lëshojnë shtat përkrah pishave të nalta, që nuk janë kalbë”.
6. Unë nuk jam nga ata që shohin vetëm zi, por as nuk shoh vetëm gëlqere të bardhë. Prandaj, pa qenë nihilist, nuk jam as optimist me këmbët në majë të gishtave. Por sa herë konstatoj keqpërdorim të njeriut, deri dhe poshtërim të tij, më vjen të klith. Një dokument legalizimi ngjante këto ditë me një llokmë mishi, me të cilën Kryeministri po ndillte mizorisht duke qeshur një fshatar. Vetëm fjalët “Kërce, qenush, kërce!” mungonin. E di se prej entuziazmit vullnetarë, ka gjasa që ju do të më kundërshtoni për krahun tjetër, por vërejtja bëhet më e moralshme kur njeriun, të cilit ia drejton, e ke të pranishëm. Zoti Basha, a mund të përdoren edhe forma të tjera, pa e çuar deri në rraskapitje lodhjen e përditshme dhe monotoninë taksative të çadrës? Unë e di se në çadra e në shpella kanë hyrë edhe filozofë të shquar. Por kanë hyrë për të medituar përkohësisht dhe pa marrë popull me vete. Kam drojën se forcat politike, të shtyra nga precedentët përsëritës, do ta kthejnë në zakon gjatë së ardhmes mbajtjen e kokës në thes, kur kemi nevojë për më shumë hapësirë dhe ajër të freskët. Prandaj uroj që si mjet, qoftë çadra e fundit në kryeqytetin tonë, ndërsa kurrë mos u ardhtë fundi i protestave të qytetarëve të lirë, sa herë që liritë u shkelen.
7. Dje ka qenë e Diela e Palmave. Mos t’i shkojë ndër mend ndonjë vdekatari për t’i vënë në ballin e tij si kurorë! Sot kemi hyrë në javën e Pashkëve dhe ndër ndijimet e para, natyrshëm vjen aroma e dyllit që shkrin. Edhe klasa politike e ka qiririn e saj, të kuq e blu. I ndezur është, por i ndezur në të njëjtën kohë nga të dyja anët, ndërsa përmbajtja e tij është prej parafine të lagësht dhe katrani të fortë. Është përgjegjësia e kësaj klase që të kemi më shumë dritë, sesa tym. Dhe do të jetë e pafalshme nëse edhe Parlamenti i ri do të ketë më pak mendje e më shumë bark. Korbat hanë coftina, mos i lini t’i përdorin sqepat e kthetrat kriminelët me mandat, sepse cubat hanë popullin e tyre.

Në çadër, 10.4.2017

Artikulli paraprak“Shqipëria nga kanabisi tek korrupsioni
Artikulli tjetërKallëzohet penalisht kryebashkiaku socialist në Fier