Morata: E kaluara e tij mund të jetë problem

Ylli i Paris Saint-Germain Neymar mund t’i bashkohet Real Madrid-it, por do të jetë shumë e vështirë sipas Alvaro Morata-s. Ndërkombëtari brazilian është përfolur sërish për një transferim të mundshëm te gjigantët e Spanjës dhe Europës. Jo më larg se dje kapiteni i “Los Blancos”, Sergio Ramos tha se dera e Real Madrid-it është e hapur për 25-vjeçarin.
Neymar ka vendosur rekord në merkaton futbollistike, pas transferimit për 222 milionë euro nga Barça te PSG në verë. Deri në këtë pikë të sezonit ai ka shënuar 11 gola në 12 ndeshje në të gjitha kompeticionet për gjigantët e Ligue 1.
Morata, i cili u largua nga Madridi për te Chelsea në qershor, mendon se do të jetë e vështirë por jo e pamundur që Neymar t’i bashkohet Real-it. “Mendoj se është vështirë për shkak të të kaluarës së tij. Por ne kemi parë që në Madrid asgjë nuk është e pamundur”, u shpreh sulmuesi i Bluve për “El Larguero”. Pas 11 javësh kampionat skuadra e drejtuar nga Zinedine Zidane numëron 8 pikë më pak se kryesuesit e La Liga-s Barcelona me 31.

Artikulli paraprakLumë ofertash për Modriç
Artikulli tjetërPeruja skuadra e fundit e kualifikuar në Botëror