Monstra mediatike e shqiptarit të sotëm

Hamit TAKA

Shkas për këtë shkrim u bë emisioni “Top story” i gazetares Eni Vasili për ngjarjen shokuese në shkollën “Rilindja” të Kavajës, ku një adoleshente 13-vjeçare ishte dhunuar seksualisht e sistematikisht nga adoleshentë të shkollës së saj. Nuk do të jap mendime as për emisionin as për ngjarjen, por për shkaqet e pasojat. Pasojat pjesëmarrësit i paraqitën katastrofike, ndërsa unë mendoj se, në gjëndjen që është shoqëria jonë sot, para varfërisë, shtrenjtësisë, kriminalizimit, kanabizimit, makutërisë së pushtetarëve e hajdutërisë së tenderimeve qeveritare, nuk besoj se e pickon shumë lëkurën e trashë të moralit shoqëror. Në këto kushte edhe individit nuk i bën fort përshtypje, se nuk dallon shumë nga të tjerët.
Ndërsa një nga shkaqet themelore të fenomeneve të tilla është terreni i përshtatshëm që krijohet nga konfliktualiteti mes qeverisë dhe të qeverisurve për shkak të fenomeneve të renditura më lart. Një arsye tjetër, që unë e njoh nga përvoja ime, është mosfunksionimi normal subjekteve në shkollat tona, si ajo e policisë së shërbimit dhe psikologut që mbulon shkollën. Nxënësi nuk e shikojnë policin, i cili e ka në ngarkim shkollë përkatëse, si faktor bashkëpunues e mbrojtës nga e keqja, por si një gardian që mbron pushtetin në nivel drejtori ose të mësuesve të njohur si militantë. Pësa i përket psikologut ai ose ajo janë kthyer në nëpunës shetitës, që mbulojnë disa shkolla dhe gjënden atje kur e kur dhe formalisht, sa për të marrë rrogën. Nga ana tjetër edhe përgatitja e tyre lë për të dëshiruar. Edhe këto janë arsye për protesta mbarë qytetare.
Por unë personalisht mendoj se problemi qëndron edhe te modeli që u paraqet shoqëria e media fëmijëve dhe të rinjve të sotëm. Mund ta filloja nga viti ’90, kur ndodhën ndryshime të paimagjinueshme në psikologjinë individuale dhe kolektive, por do ta filloj nga fundi i viteve të dekadës së dytë të shekullit XXI. Jo më shumë se para një viti në shkollat 9-vjeçare u zhvillua një anketim me disa pyetje të pabesueshme për psikologjinë shqiptare. E para, a keni bërë seks?

Përgjigja do të ishte PO ose JO. E dyta: në se PO, çfarë seksi keni bërë? Përgjigjja do të ishte: NORMAL, ANAL apo ORAL. E treta: në se Po, sa herë? Përgjigjja do të ishte: NJE HERE ose DISA HERE. Çudi, vërtetë çudi! Nga shoqëria pati mjaft reagime dhe kundërstime, por Ministria e Arsimit u përgjigj se anketimi kërkohej nga BE. Prapë dukej e pabesueshme, por anketimi u bë. Pati dhe shkolla ku nuk u bë, atje ku pati kundërshtime të ashpra. Ky anketim nga shteti, për mua, legjitimonte kryerjen e aktit seksual nga të miturit dhe adoleshentët.
Jo para shumë kohësh, një “studiues” në një televizion me audiencë të madhe tek ne, thoshte, gjoja me shifra zyrtare, se 68% e djemve në shkollën e mesme pranonin se kishin bërë seks, 40% e tyre më shumë se një herë dhe rreth 30% vetëm një herë. Edhe pot ë ishin të vërteta këto shifra, jam i sigurtë se shumë nga këta gjimnazistë ia fusin kot nga frika se mos nuk dukeshin djem “të kohës”. Po kështu u dhanë shifra, disi më të rezervuara , për vajzat. Shumica e pohuesve pretendonin se partnerë kishin patur shokët apo shoqet e klasës dhe të shkollës. Për mendimin tim edhe këto shifra të përmendura dhe askush nga ata që e kanë për detyrë nuk shqetësohen e të reagojnë me norma e ligje, legjitimojnë kryerjen e aktit seksual në mosha të mbrojtura me ligj.
Brezi ynë i ri, të rinjtë tanë, fëmijët tanë kanë nevojë për modele, që mëshirojnë progresin shoqëror, i frymëzojnë për vullnet dhe entusiazëm në vektorin e përparimit. Por shoqëria nuk ka nevojë për VIP-a e modele të rinj shqiptarësh, që jepen si shtazë pas degjenerimit seksual, porrnografisë, ambicieve parazitare apo pas qejfeve në kurriz të prindërve. Realitetin e periudhës postkomuniste e njohim të gjithë. Problemi qëndron në atë model që ne po ju ofrojmë fëmijëve tanë. Dhe kur media ofron degjenerim, është e drejta e çdo shqiptari të mbrojë vlerat tona historike dhe morale. Unë nuk mund të quaj hapje dhe pasurim të kulturës shpirtërore apo shëndetësore një emision të orës relativisht të vonë, ku një mjeke rreth 45-50 vjeçare, fliste me pasion para adoleshentëve dhe të rinjve në studio, se virgjëria është një tabu dhe prishja e saj nuk është as anormalitet e as mëkat. Mjekja fliste me aq pasion sa dukej sikur eksitohej nga fjalët e veta.

Edhe një psikolog, relativisht më i ri, i ftuar në emision, i pohonte me tërë gjymtyrët dhe shqisat e tij këto xhevaire. Dhe më e neveritshme ishte pyetja: Hë, si mendoni ju , mund të prishet virgjëria që në adoleshencë? Pasi të pranishmit hezitonin të përgjigjeshin, pyetja theksohej: Po apo jo? Të intervistuarit, pasi zbulonin mendimin e referuesve, përgjigjeshin me një “po” të thatë. Atëherë drejtuesit e emisionit ndiheshin të lehtësuar dhe si babaxhanë i këshillonin: Veçse duhen marrë masa kundër shtatzanisë së padëshiruar. Pastaj i këshillonin të merrnin mbrojtës dhe i udhëzonin se si t’i përdornin. Deri sa u gjend një student i gazetarisë, që nuk duroi dot më dhe me një dozë humori, dha një përgjigje, që i vuri në pozitë të vështirë mjeken dhe psikologun: Mirëpo, – tha ai, – problemi im është se si do ta marr vesh unë, kur të martohem me të zhvirgjëruarën, se jam i tridhjeteteti apo i tridhjrtenënti në radhë?…Po aq asgjësues për moralin që kultivonin biseda e mjekes dhe psikologut ishte përgjigjja e pyetjes që u drejtohej djemve: ju do të martoheshit me një vajzë virgjëriprishur? Të gjithë jepnin përgjigjen kategorike: Jo. Edhe edukimi seksual, që bëhet përmes lëndeve edukative në një pjesë të caktuar të zhvillimit arsimor, jepet nga mësues jo kompetent.
Si të tillë do të përmendja edhe rastin mjaft të ndjeshëm dy vjet më parë nga dhënia e çmimit të parë vëllimit me poezi të Rita Petros, “Vrima”, ku poezia me të njëjtin emër ishte një joshje e hapur ndaj lexuesve të rinj e adoleshentë për seks. Dhe Ky çmim iu dorëzua autores me ceremoni nga vetë kryeministri i vendit, që s’kam si t’i quaj ndryshe veçse amoralitet qeveritar.
Ndjeshmëria ime qëndron në atë se si është e mundur të guxojnë disa grupime individësh dhe pjesë të shoqërisë civile të heshtin e mos të zgjasin zërin, për të protestuar ndaj perversiteteve të tilla të disa mediave, që po na çojnë drejt bjerrjes së mjaft virtyteve të çmuara, traditave qënësore autentike, cilësive morale të papërsëritshme, psikologjisë kombëtare në përgjithësi. Ndryshe qëndron puna në rrjetet sociale, ku mjaft qytetarë dhe personalitete qëndrojnë përballë këtij realiteti dhe drejtojnë gishtin te plagë të tilla shoqërore, tepër të dukshme, të ndjeshme dhe të dëmshme, por të kamufluara me kujdes pas sloganeve: “shoqëri e hapur”, “liria individuale”, “fjala e lirë” etj.

Çdo popull ka cenet e tij në individë të caktuar të popullsisë, por, me purifikimin e veseve dhe paraqitjen e tyre pa pikë etike mediatike në mediat e kohëve të sotme, ne po shpërfytyrojmë dhe po riformojmë një model të ri shqiptari: shqiptarin pa moral, të zhveshur fizikisht dhe mendërisht, një model makabër dhe karikatural “bashkëkohor”. Pra një monstër antipod i “njerut të ri” të krijuar nga diktatura, që ishte një specie ideologjike, e konceptuar dhe modeluar si njeriu që ndryshonte krejtësisht nga njeriu i paradiktaturës, domethënë nga modeli historik i shqiptarit.
Ky njeri “modern” është në fakt një truk delirant mediatik, një kompleks paranojak e dinak, për të goditur individualitetin e secilit, por sidomos esencat e tij kombëtare. Tipari thelbësor i këtij njeriu mediatik është një ekstazë erotike dhe seksualiteti, përqeshja e moralit tradicional dhe çdo trashëgimie kulturore në veshje, sjellje e paraqitje. Lakuriqësia, seksualizmi dhe VIP-izmi në mediat tona kanë një jehonë të çuditshme, të qëllimshme, njëkohësisht të neveritshme. Të rinj analfabetë, pa asnjë vlerë shoqërore, ekstravagantë, që s’e kanë për gjë të demonstrojnë antivlerat kombëtare, shpallen papritur “trim mbi trima”, duke u vënë në qendër të vëmëndjes mediatike, ndërsa të rinj të talentuar e të përkushtuar, me vlera të mirëfillta të kombit, lihen në hije, madje duhet të mësojnë nga qënie të tilla të mjera, nga subjekte të tilla boshe, nga hibride të tilla surrogate të propagandës mediatike.
Kjo nuk është hera e parë që modeli moral historik i shqiptarit degradohet. Degradimi rrënjësor filloi nën diktaturën e proletariatit, që krijoi etalonin e “njeriut të ri”. Për 45 vjet rresht ne ishim vendi më i izoluar në Europë dhe dihet se izolimi e denatyron individin dhe shoqërinë. Kështu që edhe hapja jonë nuk ishte një hapje porte nga dalin kush dëshiron të dalë me rregull e kulturë, por ishte një prishje digash nga vërshuan turmat e papërmbajtura. Të verbuar nga errësira dhe të lëbyrur nga drita, humbën sensin e së mirës dhe të keqes. Dhe e keqja absorbohet më lehtë se e mira. Kështu, ikanakët nëpër botë, para së mirës, jo rrallë zgjodhën të keqen. I neveritur nga kafazi moral e shpirtëror i diktaturës, brezi i ri mësoi të keqen para së mirës. Ai u lëshua pa fre mbi ato që quheshin “mollë e ndaluar”.

Edhe ata të rinj, që zgjodhën të mos e braktisnin vendin e tyre, të gjendur nën bombardimin e mediave elektronike, internetit, gazetave e revistave me informacione dhe pornografi të çdo lloji, të dëshirës për t’u bërë VIP-a e për të provuar çdo lloj “molle të ndaluar”, natyrisht që nuk mund të ishin në gjendje vetvetiu të ndërtonin sisteme morale të qëndrueshme, që janë në gjendje të ndajnë të mirën nga e keqja, të lejueshmen nga e palejueshmja. Të tilla barriera duhet t’i ngrejë tërë shoqëria në bashkëpunim me shtetin e vet, shkollën, fenë etj. Por askush nuk mund të mohojë rolin e padiskutueshëm të medias, sidomos asaj elektronike.
Nëse ne lejojmë që vlerat tona shekullore dhe qytetare të nëpërkëmben, atëherë po krijojmë me dashjen tonë çdo lloj degjenerimi që na shitet si “liri individuale”. Sepse me të njëjtin mentalitet të “lirisë individuale” mund të justifikohen edhe pedofilitë deri në shkolla. Nëse ne nuk dimë të edukojmë mediatikisht brezat pasardhës, me qëllim ruajtjen e vlerave, atëherë ne jemi të degraduar si popull. dhe nuk kemi më shumë vlerë se kafshët.
Ne ende e kemi para sfidën e Europës. Vërtet është fakt se, në planin politik dhe ekonomik, Shqipëria vetëm pas rënies së diktaturës komuniste u fut në strukturat europiane, në të cilat duhej të merrte pjesë prej vitesh. Por nuk është aspak e vërtetë se, në planin intelektual e shpirtëror, Shqipëria e “zbuloi” Europën këto tri dekadat e fundit. Shqipëria jo vetëm që është “produkt” dhe sekrecion i Europës, por ajo është në zanafillën historike të Europës. Ishte një ndërprerje gjysmëshekullore, që vendit tonë i kushtoi jo pak, por, në gjithë shekujt që kemi lënë pas, ne jo vetëm kami pasur një kulturë europiane bashkëthemeluese, por edhe një doktrinë morali, që e zbatonim, duke u paraqitur para Europës si komb me vlera të spikatura, sa studiusit na quanin muzeu i virtytit. Edhe në Europë ne duhet të jemi pjesë e dalluar e spektrit kulturor.

Artikulli paraprakReagon nëna e së miturës: Na përzunë nga komisariati kur denoncova ngacmimin seksual të vajzës 15 vjeçe
Artikulli tjetërRritje rekord me 37% çmimeve të zarzavateve, më e lartë në 10 vite, qeveria falimentoi fermerët