MONITOR/ Motori i turizmit, pse nuk po e tërheq ekonominë

Shqipërinë e vizituan më shumë se 10 milionë të huaj në vitin 2023, duke arritur kështu një rekord historik. Ky bum ka sjellë rritje të të ardhurave, që vijnë direkt nga turizmi në ekonomi, por edhe të të ardhurave indirekte tek industritë mbështetëse, apo të lidhura me sektorin, që njihen si zinxhir i vlerës. Këtu bëjnë pjesë industri nga më të ndryshmet, nga tekstilet për hotelerinë dhe shërbimin ushqimor (HORECA) te kantinat e verës apo makinat me qira. Por, efekti pozitiv nuk është transmetuar te të gjithë. Disa sektorë që duhet të kishin ndikim pozitiv nga kjo rritje e turizmit si birra, bujqësia apo blegtoria, po përjetojnë në fakt tkurrje të vazhdueshme. Cilat janë arsyet që zinxhiri i vlerës për disa industri nuk po funksionon dhe si mund të forcohen këto hallka për të maksimizuar përfitimin ekonomik dhe social nga turizmi?
Nertila Maho

Në fund të dhjetorit, Kryeministri Edi Rama tha se Shqipëria përfitoi nga turizmi gjatë vitit 2023, të paktën 3.2 miliardë euro.

Me të drejtë, euforia për një vit edhe më të mirë gjatë 2024-s po ndihet në çdo dalje të përfaqësuesve të qeverisë, me një nxitim për të mbyllur e për të hapur kantiere rrugësh, për të ndjekur çdo panair jashtë kufijve, e për të “ndarë” në rrjete sociale çdo artikull promovues ndërkombëtar.

Si për ironi në këtë vrull të marketingut pozitiv, nuk kanë munguar as ngjarjet që shkundin “parajsën” tonë turistike, siç janë protestat e blegtorëve në Jug të vendit, apo të fermerëve të mollëve në Korçë, të cilët kanë hedhur në rrugë mundin e një viti.

Fokusimi te turizmi, si sektori që mund të zgjidhë të gjitha problemet e ekonomisë, mund të jetë i vërtetë, madje mund të zgjidhë edhe shqetësimin e blegtorëve të Jugut dhe fermerëve të Korçës e më gjerë, por që kjo të ndodhë, ka nevojë që hallkat e zinxhirit të vlerës të lidhen fort.

Rritja e vazhdueshme e sektorit të turizmit ka treguar se industritë mbështetëse të tij apo të lidhura me të mund të përfitojnë, duke u rritur me të njëjtat ritme. Shembull i kësaj janë makinat me qira, kantinat e verës, tekstilet për hoteleri e restorante që raportojnë shifra optimiste.

Për disa sektorë të tjerë, kjo rritje nuk mund të vijë në mënyrë natyrale dhe ka nevojë për orientim e mbështetje. Bujqësia, blegtoria dhe prodhimi vendas në tërësi janë hallka që duhet t’i lidhë dhe forcojë qeveria, por diçka duket se nuk po funksionon dhe raportet po shkojnë në kah të kundërt.

Në këtë pikë, pyetja që lind vetvetiu është sesi mund të nxiten industri të rëndësishme mbështetëse, ose të lidhura me turizmin, për të maksimizuar përfitimin e ekonomisë në tërësi dhe a duhet që këtë ta udhëheqë biznesi apo qeveria?

Shqipëria të orientohet te modeli i qëndrueshëm dhe nxitja e prodhimit vendas

Shqipëria ia doli që, në një formë apo në një tjetër, të kthehet në destinacionin e preferuar të turistëve në vitin 2023, duke u bërë kryefjalë e mediave ndërkombëtare, por edhe raporteve të Organizatës Botërore të Turizmit.

Arritja e këtij objektivi e bën rrugën para edhe më të vështirë, duke kërkuar që rritja të vijojë dhe të bëhet e qëndrueshme, duke rritur edhe të ardhurat.

Në këtë udhëkryq, Shqipërisë i duhet të bëjë zgjedhjen e saj për modelin që do të ndjekë në turizëm.

Për Zak Topuzin, nga Shoqata Shqiptare e Hotelierëve, një ofertë e kombinuar me të gjithë elementet është zgjedhja më e mirë, për të garantuar të ardhura gjithëvjetore.

“Mendoj se kombinimi i turizmit elitar, pa lënë pas dore të gjitha llojet e tjera të turizmit, është formula magjike për të ruajtur një ekuilibër të qëndrueshëm. Investimet strategjike në turizëm janë zhvilluar gabim. Ndërtimi i rezidencave për shitje e jo për turizëm dëmton potencialin e destinacionit.

Ky nuk është turizmi elitar. Dhe një hotel luksoz nuk është turizëm elitar. Turizmi elitar kërkon krijimin e një destinacioni elitar, i cili do shërbime elitare ku përfshihen porte jahtesh, hotele e rezidenca me pesë yje, restorante e dyqane luksi, etj.”, – shprehet z. Topuzi.

Identifikimi i një destinacioni ka në tërësi elemente të shumta, por të qenët autentik e bën gjithmonë më të lehtë garën. Ndaj prodhimet vendase, si një nga avantazhet që mund të shfrytëzohen, duhet të shihen me prioritet.

Për z. Topuzi, prodhimet vendase duhet të mbështeten dhe mbrohen për të siguruar mbijetesën e tyre, që nuk është e lehtë në garën me importin. Këtu nuk bëhet fjalë për ndërhyrje madhore, që pengojnë ekonominë e lirë, por për masa mbështetëse të prodhimeve, që i japin vlerë të shtuar sektorit të turizmit.

“Ligji për turizmin ka një kapitull të veçantë që lidhet me vendosjen e standardeve dhe klasifikimin me yje të hoteleve, bujtinave, etj. Ka një pikë të rëndësishme, ku përdorimi dhe shitja e produkteve vendase e lokale vlerësohet me 10 pikë.

Aq të rëndësishme janë këto 10 pikë sa mund të zëvendësoje shumë shërbime që ti si njësi nuk mund t’i realizosh, ose kanë kosto të lartë investimi (Vlerësimi me yje i një hoteli është një sasi e caktuar pikësh nga shërbimet që realizon subjekti).

Kjo mund të nxitë përdorimin e prodhimeve vendase e lokale dhe të shtojë interesin e banorëve për të prodhuar. Mbetet që qeveria të angazhohet për të filluar procesin e kategorizimit me yje të njësive akomoduese, një kërkesë e domosdoshme dhe e tregut.

Subvencionimi real direkt i bujqësisë dhe blegtorisë nga qeveria është zgjidhja përfundimtare. E pamundur në ndonjë vend të botës të gjesh prodhimet vendase të konkurrohen nga ato të importit, politikat frenuese ndaj importeve, duhet të jenë në themel të një shteti”, – nënvizon ai.

 

Masat që mund të merren në bujqësi dhe blegtori që të përfitojnë nga turizmi

Turizmi dhe bujqësia janë dy sektorë që mund të përfitojnë nga njëri-tjetri, duke rritur ndikimin pozitiv në ekonomi, por sidomos për rajonet rurale.

Ilir Pilku, ekonomist bujqësor dhe njëkohësisht menaxher në Studion e Financimit Alternativ, i cili operon si konsulent në sektor, vlerëson se mbështetja që jepet në sektor duhet të jetë më intensive.

Bujqësia dhe blegtoria kanë potencialin të rriten më vete, duke synuar zgjerimin e eksporteve, por mund t’i japin vlerë dhe të marrin përfitim domethënës edhe nga sektori i turizmit, nëse merren masat e nevojshme.

“Përpos rritjes së buxhetit të financimit direkt të sektorit bujqësor, nevojiten edhe një sërë ndërhyrjesh të tjera si p.sh.:

a). Kryerja e studimeve të plota të tregut për të identifikuar produkte me kërkesë të lartë, si në tregun e eksportit ashtu edhe në atë të turizmit, pra përcaktimi i avantazheve tona konkurruese;

b). Zbatimi dhe respektimi i standardeve ndërkombëtare të cilësisë për produktet bujqësore.

c). Inkurajimi apo adoptimin e teknologjive moderne bujqësore, për të përmirësuar produktivitetin, efikasitetin dhe cilësinë e produktit nëpërmjet sistemeve të avancuara dhe praktikave të zgjuara bujqësore do të rrisin konkurrencën e sektorit bujqësor;

d). Mbështetja e investimeve në industrinë përpunuese për t’i shtuar vlerën produkteve bujqësore. Rritja e produkteve të përpunuara dhe të paketuara jo vetëm që kanë potencial më të lartë eksporti, por gjithashtu do të plotësojnë kërkesat e sektorit të turizmit;

e). Promovimi i produkteve bujqësore në tregjet ndërkombëtare përmes panaireve tregtare, ekspozitave dhe fushatave të marketingut.

Një vlerë e shtuar do të ishte rritja e aftësive negociuese dhe sigurimi i marrëveshjeve të favorshme tregtare për të lehtësuar aksesin në treg për eksportet bujqësore”, – nënvizon z. Pilku.

Sipas tij, duke përafruar strategjitë, duke u fokusuar në cilësi dhe duke krijuar sinergji midis bujqësisë dhe turizmit, rajonet mund të krijojnë një avantazh konkurrues në të dy sektorët.

 

Birre 2 1073

 

Turizmi pak ndikim te birra, kostot vështirësojnë përballjen me importin

Turistët janë veçanërisht kureshtarë kur vizitojnë një vend për të provuar prodhime vendase dhe pjata autentike. Një tendencë e tillë lë vend për të menduar se ecuria për disa industri prodhuese në këto vite ka qenë e mirë. Kantinat e verës raportojnë për numra në rritje të vizitorëve dhe konsumit në ambientet e tyre.

Ky sektor madje e konsideron turizmin si lokomotivën që po udhëheq rritjen e tyre. Por teksa pritshmëria është që edhe me birrën vendase të ndodhë e njëjta gjë, prodhuesit shprehen të dekurajuar.

Stefan Pinguli, nga Shoqata e Prodhimit Vendas të Birrës, pohon se efekti nga turizmi nuk po ndihet për shkak të kostove me të cilat përballet kjo industri. Barazimi i akcizës për prodhimin vendas dhe të huaj, sipas z. Pinguli, e ka lënë në disavantazh markën shqiptare.

“Vendosja e akcizës që barazoi prodhimin vendas me atë të huaj shkatërroi prodhimin vendas. Ne sot prodhojmë 30% më pak se dikur. Turizmi është i interesuar të ketë marka vendase që përfaqësojnë një traditë apo histori dhe për të cilat ka kuriozitet edhe nga të huajt, por nga ana tjetër, sheh leverdishmërinë që ka dhe çmimin që i ofrohet.

Ka një konflikt mes kërkesës së turistit për prodhime vendase dhe pamundësisë për ta gjetur atë në një pjesë të konsiderueshme të subjekteve turistike, për shkak se mbytet nga importi. Kjo është një situatë fatale dhe askush nuk po e analizon me vëmendje për të dhënë një zgjidhje, ndërkohë që industria e birrës po rrëshqet në kaskadën e antiprodhimit”, – nënvizon z. Pinguli.

Të dhënat e Ministrisë së Financave bëjnë të ditur se importet e birrës për 11 mujorin arritën në 51 mijë litra, me rritje gati 10% në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë dhe 23% më të larta se në 2019-n. Shifrat për prodhimin vendas nuk janë ende publike, por vitet e fundit, birra e vendit ka humbur vazhdimisht terren ndaj importit.

 

Importet e Birres ne mije litra 11 mujori 1118
Burimi: Ministria e Financave

 

Prodhimi dhe importi i birres 1118
Burimi: Ministria e Financave

 

Rritja e hotelerisë dhe Airbnb nxit tekstilet, si po ndikojnë markat e huaja

Sektori i hotelerisë dhe shërbimit të ushqimit (HORECA) është ai që prek direkt ndikimin e bumit turistik, duke e transmetuar këtë në një sërë sektorësh të tjerë, ku bën pjesë edhe ai i tekstileve.

Elisabeta Hysi, administratore e Gjergji H.Tekstil, që operon nga viti 1994 në këtë sektor, vlerëson se rritja e kërkesës për produkte nga sektori i hotelerisë në vitin 2023 ishte dyfish më e lartë sesa në vitin 2022. Kjo tregon për një rritje të numrit të strukturave, por edhe për një tendencë për të rinovuar dhe për të përmirësuar në cilësi pjesën tekstile në hotele.

“Viti 2023, të paktën për ne, kishte dyfishim të fluksit të punës, apo shitjeve në raport me vitin paraardhës. Ishte një vit mjaft i mirë që vjen si efekt zinxhir i ecurisë së mirë të sektorit të

turizmit, me të cilin ne kemi marrëdhënie të drejtpërdrejtë. Për vitin 2024 dhe këtu flasim kryesisht për verën, puna ka nisur që në janar, duke dhënë një sinjal për ndërgjegjësim të

bizneseve të turizmit për të planifikuar më herët dhe për të investuar seriozisht në këtë drejtim”, – nënvizon ajo.

Tendenca e fluksit të turistëve që u vërejt në vitin 2023, ku Ksamili dhe Saranda u promovuan gjerësisht në mediat ndërkombëtare ka dhënë ndikim edhe te preferencat e strukturave të këtij rajoni, për të përmirësuar cilësinë.

“Ksamili ka qenë një rajon që historikisht ka marrë materialet më të lira të mundshme dhe nuk investonte në këtë drejtim. Në vitin 2023, një pjesë e klientëve nisën ta ndryshonin këtë qasje. Këtë vit, Ksamili ka pësuar ndryshim drastik.

E gjithë klientela që ne kemi nga ky rajon ka një vëmendje të shtuar për të investuar në materiale cilësore. Kur vijnë kërkojnë më të mirën dhe ky është një tregues që rritja e frekuentimit nga turistë që paguajnë mirë dhe duan njëkohësisht cilësi ka ndryshuar dhe mentalitetin e biznesit për cilësinë që duhet të ofrojë”, – shprehet zj. Hysi.

Prej disa vitesh, qeveria mori një nismë për favorizimin e atyre që njihen si marka ndërkombëtare, duke tentuar nxitjen e investimeve në struktura me standarde të larta. Kjo prani e markave ndërkombëtare hotelerie duket se po shërben si një formë edukimi për strukturat shqiptare, të cilat pjesën tekstile e kanë konsideruar si hallkën e fundit dhe të parëndësishme në morinë e investimit që kryenin.

“Hoteleria jonë mbetet shumë e interesuar për të investuar te ndërtimi, mermeri i pllakave, ndërkohë që tek struktura sigurisht që ka rëndësi ndërtimi, por ajo që turisti prek direkt dhe e ndikojnë janë krevati, pastërtia dhe shërbimi. Po i plotësove këto të tria e ke fituar klientin.

Mendoj që lënia disi pas dore e pjesës së tekstileve vjen edhe nga fakti që jemi hallka e fundit për të cilën ata shpenzojnë dhe ndërkohë, pjesën më të madhe e ka marrë ndërtimi. Por mendoj që hyrja e markave të huaja ka ndryshuar mentalitetin e sipërmarrësve të hotelerisë në vend, sepse rritet konkurrenca.

Ka klientë që kanë shkuar posaçërisht te këto marka dhe më pas vijnë dhe kërkojnë të njëjtën cilësi. Pra markat e huaja po luajnë rol edukues mbi atë që duhet të ofrosh në hotel”, thotë zj.Hysi.

 

Kantine vreshte vere 1112

 

Pse turizmi nuk e nxiti aq sa pritej ekonominë dhe konsumin në verë

Kthimi i vendit në një destinacion turistik, që shtoi konsumin në hotele, bare, restorante, transport e shumë industri mbështetëse, nuk arriti të nxisë aq sa pritej ekonominë dhe konsumin.

INSTAT bëri të ditur në raportin e tremujorit të tretë për ecurinë e Prodhimit te Brendshëm Bruto (PBB) se konsumi final i popullatës, i cili përbën peshën kryesore të shpenzimeve në ekonomi u rrit me 2,06%. Kjo është rritja më e dobët që nga periudha e pandemisë, kur konsumi ra për shkak të kufizimeve që u diktuan nga pandemia.

Në 2023-n, Shqipëria pa një rritje të ndjeshme të turizmit, me turistët e huaj që i hasje në verë në çdo cep të vendit. Sipas INSTAT në tremujorin e tretë të vitit në vend hynë 4.9 milionë shtetas të huaj, ose gati 1 milionë (+27%), më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë, duke kulmuar në gusht me 2 milionë hyrje.

Fluksi i lartë i tyre solli gjallërim të aktivitetit të bar restoranteve, që po vuanin mungesën e klientëve vendas, sidomos të rinjve, rriti blerjet në supermarkete, nxiti qiradhënien e shtëpive, i dha hov transportit, sidomos makinave me qira.

Por, ndonëse në numër turistët kanë qenë më të shumtë, rritja e konsumit nuk duket të ketë qenë aq e lartë, teksa pjesa më e madhe e tyre nuk ishin shpenzues të mëdhenj, sipas operatorëve të tregut.

Frekuentimet kanë qenë më tepër nga turistë me të ardhura mesatare e të ulëta, ku deri 70% e tyre janë turistë të aventurës, “me çanta shpine”, që priren të shpenzojnë pak.

Informaliteti i lartë në sektor vlerësohet një tjetër faktor që ka ndikuar në mosdeklarimin e aktivitetit real të turistëve.

Në kahun tjetër, Shqipëria po vuan vitet e fundit nga një fluks i lartë emigracioni, sidomos i të rinjve.

Shumë njësi të tregtisë me pakicë kanë deklaruar shpesh për “Monitor” se kanë rënë blerjet e produkteve që konsumoheshin nga të rinjtë, si buka, sallamrat, sheqernat etj. Tendenca është e dukshme sidomos në qarqet veriore.

INSTAT bëri të ditur se ekonomia ka vijuar të rritet me ritme të ngadalta edhe në tremujorin e tretë të vitit 2023, me 3.46%, nga 3.38% që ishte rritja me bazë vjetore në tremujorin e dytë, duke mos arritur të përshpejtohet, pavarësisht sezonit mjaft të mbarë turistik.

Konsumi i popullatës u rrit gjithashtu minimalisht me vetëm 2%, nga 4.18% në tremujorin e dytë.

Bujqësia, një nga sektorët që duhet të nxitej nga shtimi i konsumit tw turizmit kishte tendencë negative. Aktiviteti i Bujqësisë, Pyjeve dhe Peshkimit shënoi rënie prej 0,50%.

 

Konsumi final i popullates ndryshimi vjetor 1118
Artikulli paraprakMaqedonia e Veriut në prag të fushatës presidenciale, VOA: Shqiptarët përfaqësohen me Bujar Osmanin dhe Arben Taravarin
Artikulli tjetërShtohen analfabetët funksionalë, ekspertët e arsimit: Ndikon keqpërdorimi i teknologjisë dhe metodat e mësimdhënies