Modeli “Rama” i destinuar të dështojë

Belind Këlliçi

Gjithkush ka vënë re kohët e fundit një model të ri, që nga përzgjedhja, përballja, gara dhe funksionimi i FRPD-së. Kjo akademi është në funksion të këtij modeli e po kështu dhe kuota prej 35% e kandidatëve zyrtarë për deputetë të Partisë Demokratike, që do të vijnë nga FRPD dhe e gjithë kjo falë vizionit të kryetarit të Partisë Demokratike, zotit Lulzim Basha. Kështu që unë sot, në emër të të rinjve demokratë dhe atyre që çdo ditë po na bashkohen duke vlerësuar këtë model të ri, dua të falënderoj kryetarin Basha për këtë frymë dhe mbështetjen që po na jep.
Ne përurojmë Akademinë Politike për FRPD, duke nisur kështu sezonin e parë të Akademisë që për PD nuk është thjesht një institucion i modës së fundit. Në këto ditë që ne do të qëndrojmë së bashku, do të kemi mundësinë e bashkëbisedimit me trajnues të njohur dhe të çertifikuar ndërkombëtarë, si dhe me figura qendrore të PD në vite, për tema si: “Besimi si vlerë themelore në politikë, historiku i PPE, zgjerimi i BE dhe konsolidimi i demokracisë në shtetet postkomuniste, organizimi i një fushate të suksesshme elektorale, garantimi i votës së lirë, etj”.
Akademia Politike e sotme dhe modeli i ofruar këtu është i ndryshëm nga evente të forcave të tjera politike që përdorin emërtimin “akademi”, si një keqkuptim për shkuma party, si një keqpërdorim fondesh dhe dëshirash të pafajshme rinore për argëtim, udhëtime e turizëm, por edhe më keq: si keqformim i brezit të ri, të cilit në vend të formimit dhe mendimit të thelluar, në vend të përvojës dhe dijes, i shërbehet modeli i pranimit të rolit të dekorit një apo shumëpërdorimesh.
Dhe në fund përballemi me antivlerat që sot kanë mbushur politikën dhe administratën. Jam i bindur se shumëkush nga ata që na ndjekin përmes ekranit mund të thonë me vete: “E ç’ju duhet shkolla, trajnimi, mjafton të kesh një mik në polici, të kultivosh ca hashash dhe në varësi të lekëve që bën, nesër mund të jesh vendimmarrës!!!”.
Në fakt kjo është e keqja më e madhe që Edi Rama i ka bërë dhe po i bën një brezi të tërë të rinjsh që u prezanton antivlerën për vlerë, të keqen si sukses. Ky model është i destinuar të dështojë pasi ky nuk është modeli i rinisë europiane dhe nuk mund të jetë aspak modeli ynë.
Për ne Akademia është një institucion i përgjegjësisë, i seriozitetit dhe vizionit që forca jonë politike dëshmon. Edhe pse me një ekzistencë vetëm 25-vjeçare, PD ka grumbulluar dhe ndjen përgjegjësinë ta transmetojë tek të rinjtë pranë saj gjithë përvojën e çmuar, si forca që krijoi dhe modeloi më së shumti kulturën e opozitarizmit në Shqipëri, si dhe përvojën si forca që ka ndërmarrë reformat më të thella transformuese kur ka qeverisur vendin.
Kjo Akademi dëshmon përpjekjet e PD që vizionin politik të djathtë liberal ta konsolidojë në brezat e rinj dhe njëherësh dëshmon vizionin e vetë PD për kulturën politike dhe politikanët e të ardhmes. Ndaj, bashkëmoshatarë e bashkëpunëtorë të respektuar, le të vazhdojmë me vullnet të plotë rrugën tonë dhe të bëjmë dallimin me të tjerët, duke u bërë modeli sipas së cilit do të ndërtohet politika dhe vetë Shqipëria e së nesërmes.
Suksese Akademisë dhe uroj që ky institucion të kthehet në traditë për shumë breza të ardhshëm të rinjsh demokratë.

Artikulli paraprakDhoma Britanike kundër taksës së bizneseve për Dhomën e Tregtisë
Artikulli tjetërRusia kundërshton armëpushimin në Siri