Miratohet mes tensionesh ligji që e bën gjuhën shqipe zyrtare në Maqedoni

Parlamenti i Maqedonisë miratoi mes tensionesh me 64 vota, ligjin për përdorimin e gjuhëve, i cili mundëson përdorimin më të gjerë të gjuhës shqipe në pushtetin lokal dhe atë qendror të vendit.
Ish kryeministri i Maqedonisë, Nikolla Gruevski, e pengoi edhe fizikisht kryetarin e parlamentit, Talat Xhaferi, që të drejtojë seancën, e cila megjithatë vazhdoi dhe miratoi ligjin, ndërsa një grup qytetarësh ishte mbledhur para ndërtesës së parlamentit për të kundërshtuar miratimin e ligjit.
VMRO DPMNE, në opozitë tha se ligji është në kundërshtim me kushtetutën e Maqedonisë dhe cenin karakterin unitar të saj. Kjo parti kishte paraqitur mbi 30 mijë amendamente për plotësim-ndryshimin e ligjit, të cilat nuk u morën parasysh, ndërsa partitë politike shqiptare thanë se ajo ishte përpjekje për bllokimin e plotë të tij.
Parlamenti i Maqedonisë e kishte miratuar këtë ligj që në muajin janar me 69 vota, por ai nuk u dekretua nga presidenti Gjorgje Ivanov dhe kjo bëri që ligji për herë të tretë të dërgohet në parlament.

Miratimi i ligjit për përdorimin e gjuhëve, shihet si një përmbyllje e Marrëveshjes së Ohrit, që ishte arritur në vitin 2001 duke i dhënë fund një konflikti të armatosur ndërmjet forcave qeveritare dhe kryengritësve shqiptarë që kërkonin më shumë të drejta në Maqedoni.
Marrëveshja përfshinte një sërë ligjesh që avanconin pozitën e shqiptarëve, por gjuha shqipe nuk pati trajtimin e kërkuar nga shqiptarët.
Kryeministri i Maqedonisë, Zoran Zaev, kishte premtuar gjatë fushatës zgjedhore të dhjetorit të vitit 2016 se do të angazhohej për zgjerimin e përdorimit të gjuhës shqipe në vend.
Kjo ishte pjesë edhe e marrëveshjes për bashkëqeverisje ndërmjet tij dhe partive politike shqiptare.

PD: Hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese
Partia Demokratike përshëndet votimin në Parlamentin e Maqedonisë të ligjit të gjuhës shqipe.
Përmes një deklarate për mediat, PD thotë se ky votim është nje hap përpara në krijimin e një klime të mirë bashkëjetese midis komuniteteve etnike në Republikën e Maqedonisë.
Partia Demokratike përshëndet faktorin politik shqiptar në Maqedoni dhe nxit e inkurajon bashkëpunimin politik mes tij për realizimin e të gjitha detyrimeve që rrjedhin nga zbatimi i plotë i Marrëveshjes së Ohrit.
Partia Demokratike thekson se mbështet një Maqedoni stabile dhe të integruar në strukturat euroatlantike si interesi më i mirë i stabilitetit dhe përparimit të rajonit drejt integrimit europian dhe euroatlantik.

Artikulli paraprakSkenar i njëjtë, ‘Mother Jones’, e para që botoi dosjen e stisur të spiunit Steele kundër Trump për Russiagate
Artikulli tjetërBerisha në Azerbajxhan për të marrë pjesë në forumin e 6-të global