Ministri gjerman kërkon emërimin e një të ngarkuari të posaçëm të qeverisë

Kryesia e Këshillit Qendror të Hebrenjve dhe ministri i Brendshëm gjerman kërkojnë penalizim më të ashpër kundër antisemitizmit. Hebrenjtë në Gjermani nuk guxojnë të cenohen.
Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maizière pohon se, së shpejti do të duhej të kishte një të ngakuar federal për antisemitizmin. “Jo vetëm për shkak të incidenteve të fundit me djegien e flamurit izraelit, por duhet të kemi një të ngarkuar kundër antisemitizmit”, theksoi politikani i CDU për gazetën gjermane “Bild am Sonntag”. Këtë ka sugjeruar ai edhe në konferencën e Komisionit të Ekspertëve të Ministrisë së Brendshme.
Ai tha se, ka vërejtur kohët e fundit rritjen e fenomenit të nxitjes së antisemitizmit dhe kjo e ka shqetësuar shumë. “Çdo lloj antisemitizmi apo vepre e motivuar antisemitiste, është e tepërt dhe paraqet një turp për vendin tonë”. Ministri tha se “është regjistruar edhe një shtim i barcoletave të papërshtatshme dhe sjelljeve diskriminuese kundër bashkëqytetarëve hebrenj”. Armiqësia kundër hebrenjve në Gjermani nuk guxon të ndodhë kurrë më, theksoi de Maizière.

De Maiziére: Veprim më i ashpër kundër demonstruesve antiizraelitë
Ministri i Brendshëm foli edhe për domosdoshmërinë e veprimit më të ashpër kundër atyre që organizojnë demonstrata antiizraelite: “Ne nuk mund të lejojmë demonstrata, ku digjen flamujtë e një shteti. Ky është një shkatërrim simbolik i të drejtës së një vendi për ekzistencë”. Këtu duhet të ndërhyjë policia, atje ku është e mundur.
Në shenjë protestash kundër vendimit të Presidentit amerikan Donald Trump, për njohjen e Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit, në protestat e mbajtura në Berlin, para ambasadës amerikane, janë djegur edhe flamuj të Izraelit. Edhe në lagjen e Berlinit, Nojkëln ka pasur djegie të flamurit izraelit.

Knobloch: Urrejtja ndaj izraelitëve vërehet edhe në rrugë
Emërimin e një të ngarkuari të qeverisë për antisemitizëm ka kërkuar edhe Charlotte Knobloch. Hebrenjtë duhet të ndjehen të sigurt në Gjermani, deklaroi kryetarja e shoqatës së hebrenjve në Mynih dhe Bavari për gazetën “Frankfurter Allgemeine Sonntagszeitung”. Në rrugët e Gjermanisë është vërejtuar një urrejtje e hapur ndaj hebrenjve, në veçanti nga të rinjtë arabë apo turq. “Këtu nuk kemi të bëjmë me Trumpin apo Jeruzalemin, por me një antisemitizëm të pastër, i cili nuk mund të justifikohet me asgjë. Një gjë e tillë nuk guxon të ndodhë në Gjermani”, theksoi Knobloch, duke shtuar se të gjitha shoqatat dhe organizatat duhet të angazhohen kundër dukurive të këtilla në Gjermani.

Artikulli paraprakUkrainë: Policia përplaset me mbështetësit e Saakashvilit
Artikulli tjetërBE e përçarë për çështjen e refugjatëve