Ministrat teknikë të PD lënë qeverinë, raport për zgjedhjet

Tre muaj pas marrëveshjes “Rama-Basha”, ministrat teknikë të Partisë Demokratike bënë aktin formal të largimit nga Qeveria “Rama”, në të cilën u përfshinë si pjesë e marrëveshjes për të monitoruar nga afër sjelljen e administratës në zgjedhje dhe për të garantuar standardin e tyre.
Partia Demoratike thotë se ky nuk është një objektiv i arritur, sepse sipas kreut të saj Lulzim Basha, Edi Rama i kishte blerë zgjedhjet përpara arritjes së marrëveshjes. Megjithatë, ministrat teknikë qëndruan në detyrë edhe gati dy muaj pas zgjedhjeve për të hartuar raportin për standardin e zgjedhjeve.
Raporti ka përfunduar dhe menjëherë pas tij, ministrat kanë dorëzuar zyrtarisht dorëheqjet. Për ta bërë këtë, ata nuk i ka penguar mungesa e Kryeministrit për shkak të pushimeve, sepse as zëvendëskryeministrja dhe as ministrat teknikë nuk u takuan asnjëherë këto 3 muaj me kreun e qeverisë ku bënin pjesë. Hallka lidhëse ishte Sekretari i Përgjithshëm i Kryeministrisë, nëpërmjet të cilit kalonin vendimet dhe kryhej komunikimi për funksionimin e tyre. Përpara se të jepnin dorëheqjen, disa prej ministrave teknikë i kishin kaluar më parë kompetencat te zëvendësministrat përkatës: ministri i Brendshëm, i Shëndetësisë dhe ajo e Financave.
Por me përfundimin e raportit për zgjedhjet, duke dhënë dorëheqjen, përfaqësuesit e Partisë Demokratike në Qeverinë “Rama” rrëzojnë çdo tezë për një bashkëqeverisje Rama-Basha..

Raporti i OSBE/ODIHR nuk çertifikoi zgjedhjet

Misioni i OSBE/ODIHR nuk çertifikoi si të lira dhe të ndershme zgjedhjet e 25 qershorit. Koordinatori i Misionit të OSBE/ODIHR, Roberto Batelli deklaroi se këto zgjedhje nuk kishin asnjë përmirësim në raport me zgjedhjet e kaluara. Blerjet e votave, kërcënimet ndaj qytetarëve me qëllim tjetërsimin e vullnetit të tyre, përdorimi i aseteve publike në funksion të fushatës zgjedhore e një sërë parregullsish të tjera ligjore bëjnë që këto zgjedhje të mos kalojnë testin e zgjedhjeve me standarde, duke i cilësuar ato të njëjta me zgjedhjet e viteve të kaluara, të cilat janë konsideruar si procese që kanë minuar besimin e publikut dhe standardet gjithashtu.
“Prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë njësoj si zgjedhjet e mëparshme. Ka ardhur koha që Shqipëria të bëjë një lëvizje serioze dhe domethënëse drejt normalitetit. Anëtarët e Parlamentit, media, qeveria, duhet të jetë plotësisht në përputhje me mandatin e vet. Prandaj u zhgënjeva pak, pasi prisja që këto zgjedhje të ishin më të mira, por janë njësoj si zgjedhjet e mëparshme”, nënvizoi Batelli.
Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit foli mbi ecurinë e procesit zgjedhor dhe problematikat e hasura gjatë gjithë periudhës zgjedhore deri në ditën e votimit. Në asnjë rresht të deklaratës së përbashkët të Misionit e as në reagimet e anëtarëve nuk u përmend vlerësimi i zgjedhjeve me standarde. Në reagimin e Misionit thuhet se, zbatimi i marrëveshjes politike krijoi sfida për zyrtarët elektoralë dhe rezultoi në zbatimin e ligjit në mënyrë selektive dhe jo njësoj. “Zgjedhjet u zhvilluan në klimën e ndarjeve të thella dhe të gjata politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike të opozitës, si dhe në klimën e një besimi të ulët të publikut tek procesi zgjedhor”. Por, thuhet në deklaratë, politizimi i forumeve dhe institucioneve që lidheshin me zgjedhjet, si dhe akuzat e përhapura për blerje votash dhe trysni mbi votuesit e gërryen besimin e publikut në procesin zgjedhor. Në ditën e zgjedhjeve, e cila përgjithësisht kaloi në mënyrë të rregullt, thuhet aty, disa procedura të rëndësishme nuk u respektuan plotësisht, në një numër të konsiderueshëm qendrash votimi të vëzhguara. Në deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë thuhet se, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve veproi në mënyrë transparente, me seanca publike të rregullta. Pas marrëveshjes politike mes Partisë Socialiste dhe Partisë Demokratike, Komisioni u përball me një sërë sfidash komplekse, megjithatë i vuri në jetë detyrat e tij bazë.
Por për shkak të vonesave në formimin e komisioneve të shkallëve më të ulëta dhe të numrit të madh të zëvendësimeve, thuhet në deklaratë, një pjesë e mirë e stafit zgjedhor nuk arriti të trajnohej. Të gjitha këto e ulën efektivitetin e administrimit të zgjedhjeve.
Për sa i përket regjistrimit të votuesve, thuhet në deklaratën e vëzhguesve ndërkombëtarë, përgjithësisht nga pjesëtarët e misionit nuk u ngritën çështje rreth saktësisë së listave.
Por, thuhet në deklaratë, vonesat në publikimin e listave të votuesve, e kufizuan shqyrtimin nga publiku të këtyre listave.
Në deklaratë thuhet gjithashtu se gratë ishin aktive, por jo të përfaqësuara sa duhet në fushatë.
Përsa i përket medias, në deklaratë thuhet se megjithë mbulimin e gjerë të fushatave, stacionet televizive u përqendruan kryesisht te veprimtaritë e tri partive kryesore.
Vlerësimi përfundimtar i zgjedhjeve, thuhet në deklaratë, do të varet pjesërisht nga mënyra se si do të zhvillohen fazat përfundimtare të procesit zgjedhor, duke përfshirë numërimin e votave, shpalljen e rezultateve dhe trajtimin e ankesave apo apelimeve të mundshme.

 

Artikulli paraprakTurizmi i vdekjes! Mbytet një tjetër 10-vjeçare në det
Artikulli tjetërMikroshteti Liberland mes Kroacisë dhe Serbisë