Miliardat që po vidhen me kontrabandën e kafesë

Drejtoria e Përgjithshme e Doganave së fundmi ka pranuar se është rritur kontrabanda në importin e kafesë.
Në një njoftim zyrtar që DPD ka nisur te bizneset e sektorit, të publikuar edhe në web-in e saj në internet thuhet se, konsumi i kafesë në 5-mujorin e parë të vitit 2017 është rritur, ndërsa importet kanë rënë me mbi 13%.
Doganat kanë analizuar të dhënat ku rezulton se konsumi i këtij produkti për 5-mujorin 2017 është konform parametrave po ta krahasojmë me të njëjtën periudhë të vitit 2016, madje me një rritje prej 35 tonë, ndërkohë që importet kanë rënë me 13%.
Teksa është parë kjo lëvizje, doganat kanë marrë masa të menjëhershme duke ndryshuar çmimet e referencës.
Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njofton importuesit e kafesë se çmimet e bursës për produktin e kafesë, krahasuar me 5-mujorin e vitit 2016 kanë qenë më të larta, sidomos në muajt e parë të vitit, prandaj referencat kanë ndryshuar me tendencë rritëse.
Me çmimet e reja, kafeja kokërr e papjekur (Arabica) nga BE do të zhdoganohet duke marrë për bazë një çmim 2943-2952 euro për tonë.
Kafeja kokërr e papjekur (Arabica) me origjinë importi nga vendet prodhuese do të zhdoganohet duke marrë në konsideratë një çmim 2740-2750 euro për tonë.
Kafeja kokërr e papjekur (Robusta) me origjinë nga BE do të zhdoganohet me çmimet 1940-1950 euro për tonë.
Kafeja e papjekur Robusta nga vendet prodhuese do të zhdoganohet me një interval çmimi nga 1940-1950 euro për tonë.
Kafeja kokërr e papjekur (Rio Minas) me origjinë nga BE do të zhdoganohet me 2857-2860 euro për tonë. Ndërsa po kjo kafe me origjinë nga vendet prodhuese do të zhdoganohet me 2657-2660 euro për tonë.

Kush e organizon kontrabandën

Sali Berisha denoncoi 10 ditë më parë kontrabandën e kafes, duke akuzuar persona konkretë, që sipas tij, po i grabisin shqiptarëve miliona euro dhe po shkatërrojnë tregun e kafes.
Berisha shkruan në Facebook se kontrabandën e kafesë e bën bashkëshorti i drejtoreshës së Doganave, me ndihmën e drejtorëve të doganave të Kakavijës dhe Beratit. Ish-kryeministri i bën thirrje Prokurorisë të nisë sa më shpejt hetimin.
Statusi i Berishës
Kontrabandën e kafesë e bën bashkëshorti i ndrikullës drejtore e Përgjithshme e Doganave!
Doganieri dixhital denoncon:
– bashkëshortin e ndrikullës, drejtoreshë e Përgjithshme të Doganave, për kontrabandën e madhe të kafesë, me të cilin ai e menaxhon së bashku me
– drejtorët Zharin dhe Marjan të doganave të Kakavijës dhe Beratit, të cilët përdorin edhe emrin e zv/ministres së Financave!
I bëj thirrje Prokurorisë të nisë sa më shpejt hetimin për këtë rrjet të mafies shtetërore që po iu grabit shqiptarëve dhjetëra milionë euro me kontrabandën e kafesë dhe po shkatërron tregun e saj. Sb
“Përshëndetje, lidhur me kontrabandën e kafesë duam t’ju bëjmë me dije se kjo gjë ndodh kryesisht në magazinat më të mëdha të kafes që ndodhen në qytetin e Beratit. Po të hulumtoni më thellë do të mësoni se kjo kontrabandë ka ndodhur dhe ndodh nga Dogana e Kakavijës në atë të Beratit ku si protagonistë janë drejtorët e Kakavijës dhe Beratit. Të dy këta drejtorë, z. Zharin dhe z. Marjan janë lidhje të ngushta të bashkëshortit të drejtoreshës së Përgjithshme. Madje ky i fundit, ish-drejtori i doganës së Beratit, Marjan Prifti, u shpërblye duke u bërë drejtor i Antikontrabandës megjithëse është ende për ndjekje penale. Rastet e kontrabandës në Berat dhe Kakavijë janë referuar edhe pranë Drejtorisë së Antikorrupsionit në DPD. Por me thënë të drejtën, drejtori i Antikontrabandës vazhdon të bëjë të njëjtën gjë duke abuzuar edhe me emrin e zv.ministres së Ministrisë së Financave. Kjo kontrabandë po lulëzon, nuk ka të ndalur”.

Enton DACI

Artikulli paraprakFaqja e pare
Artikulli tjetërEuro rritet pas blerjes së votave