Euro rritet pas blerjes së votave

Euro ka vijuar të forcohet edhe dje në tregun vendas duke u këmbyer me 132.39 lekë, rreth 0.24 lekë më shumë se dy ditë më parë. Monedha e përbashkët u zhvlerësua brenda muajit qershor me më shumë se 2 lekë. Sipas ekspertëve ndikimin më të madh në nënçmimin e euros gjatë këtij muaji e dhanë shpenzimet për fushatën elektorale, të cilat, si rrallë ndonjëherë u kryen në valutë.
Sipas ekspertëve të kursit, zgjedhjet kanë qenë shkaku kryesor i nënçmimit të euros të martën, kur euro kapi në vend nivelin më të ulët të këmbimit që nga fundi i gushtit të 2009-ës. Gjatë fundjavës së zgjedhjeve u konstatua një qarkullim i lartë në valutë, që u reflektua në tregun zyrtar ditën e martë, kur u hapën bankat.
Megjithatë sipas parashikimeve të ekspertëve, euro do të nënçmohet sërish me shtimin e fluksit të turistëve dhe me ardhjen e emigrantëve.
Prej dy ditësh, ndikuar nga forcimi i monedhës së përbashkët përkundrejt dollarit në tregjet ndërkombëtare, euro ka nisur të forcohet edhe në vend. Euro dje është këmbyer në bursë me 1.14 USD, duke kapur sërish nivele të larta të këmbimit. Verën e shkuar monedha e përbashkët thuajse shkoi në barazim me dollarin, ndërkohë që në Shqipëri këmbehej në nivelin e 137 lekëve.
Nënçmimi i dollarit amerikan në vend është ndikuar kryesisht nga luhatjet e monedhës së përbashkët. Dollari u zhvlerësua brenda një jave në vend me 3 lekë duke ruajtur raportin e këmbimit në tregjet ndërkombëtare, pasi ndërkohë që monedha e përbashkët forcohej në bursë, në vend po nënçmohej.
Ky forcim i lehtë në tregun vendas i monedhës së përbashkët vjen pasi euro arriti nivelin më të lartë të këmbimit të një viti në tregjet ndërkombëtare. Në bursë 1EUR këmbehej me 1.13 USD.
Forcimi i euros në bursë u mbështet në përgatitjen e Bankës Qendrore Europiane për të zvogëluar programin e saj stimulues prej 2 miliardë eurosh.
Monedha është forcuar me gati 10 pikë përqindje në tregjet ndërkombëtare këtë vit, ndonëse në Shqipëri ka qenë në nivelet më të ulëta të nëntë viteve.
Nënçmimi i euros ka tërhequr poshtë të gjitha monedhat e tjera, duke qenë se euro në tregjet ndërkombëtare është forcuar përkundrejt dollarit. Si rrjedhojë, ky dobësim i euros ka ndikuar në zhvlerësimin e të gjitha monedhave të tjera, duke ruajtur raportin e këmbimit të euros me shportën e monedhave kryesore në bursë.
Sipas ekspertëve të kursit zgjedhjet kanë qenë shkaku kryesor i nënçmimit të euros, e cila po këmbehet në nivelet më të ulëta që nga fundi i gushtit të 2009-ës, kur këmbehej më 131 lekë. Gjatë fundjavës së zgjedhjeve u konstatua një qarkullim i lartë në valutë, që u reflektua në tregun zyrtar, kur u hapën bankat, me një rënie të fortë në tregjet e këmbimit valutor argumentojnë ekspertët.

Artikulli paraprakMiliardat që po vidhen me kontrabandën e kafesë
Artikulli tjetërMbi 25 mijë përdorues droge në Kosovë