Meta: Platformën për të dalë nga kriza ia dërgova Ramës që në 18 prill, por ai…

Presidenti Ilir Meta ka dalë në një deklaratë për mediat, ku ka prezantuar platformën e tij prej 14 pikash për të dalë nga ngërçi politik në vend.

‘Pas ngjarjes tepër tronditëse të Teatrit dhe shtetit ligjor në Shqipëri duhet të them se kam bërë çdo përpjekje jo vetëm për të menaxhuar sa më mirë, si shtet, si vend, pavarësisht nga situate e pandemisë, por edhe për të krijuar një klimë sa më pozitive për të mos harruar provimin e qershorit-provimet e BE.

Se gjithnjë e më shumë na lënë detyra për të përmbushur. Duke qenë se ky është objektiv mbarëkombëtar i të gjithëve kam bërë çdo gjë që të krijoj klimën pozitive që të përmbushim sa më shumë nga 15 detyrat.

Ndaj që në 18 prill i kam dërguar kryeministrit Rama këtë platformë që po e bëj sot publike, që ua kam paraqitur dje të gjithë partnerëve të BE që janë të interesuar që Shqipëria të vazhdojë rrugën evropiane’, është shprehur gjatë deklaratës presidenti Meta.

Gjatë konferencës së tij për mediat, presidenti Ilir Meta është pyetur në lidhje me mesazhin e ambasadores së SHBA-së Yuri Kim, për pengesën e Reformës në Drejtësi.

Pyetje: A jeni ju personi që po negocioni në kurriz të Reformës në Drejtësi se kemi pasur shqetësim nga zonja Kim?

Meta: Kur kam parasysh Këshillin Politik – jo thjesht të reformës Zgjedhore, emer është Këshill Politik, por me atë emër po në nivel më të lartë -kuptohet që gjithë ato çështje nga BE kërkojnë përfshirjen e opozitës reale. Duhet gjetur një mekanizëm të opozitës reale sepse kemi problem me legjitimitetin tonë.

Që nga parlamenti, Gjykata Kushtetues kërkohet vendosja e legjitimit të gjithë këtyre institucioneve. Unë kam 4 vjet që u them stop lojërave me reformën në drejtësi dhe ambasadorja ka të drejtë se kanë kaluar katër vjet dhe nuk po shohim një produkt konkret të zbatimit të kësaj reforme.

Shiko renditjen e Shqipërisë, shiko kushtet e Shqipërisë nga BE që në 2016 dhe shikoni sa kush janë tani dhe pse janë këto kushte, kështu që qëndrimi është i drejtë sepse aktorët politikë kanë luajtur me këto çështje. Presidenti nuk është aktor politik por në krye të detyrës dhe detyrimeve të tij edhe për reformën në drejtësi dhe nuk ka surprizuar me qëndrimet e atij as partnerët vendas dhe as ndërkombëtare sepse gjithçka ka qenë e dokumentuar.

Unë kam kërkuar bashkëpunim e të gjithë dhe ju e dini sa lojëra janë bërë. Tani jemi në këtë situatë, ballafaqohen të gjithë aktorët dhe ju e shihni se kush po bën lojëra dhe unë nuk po negocioj asgjë përveç këtyre 14 pikave. këto i dinë të gjithë ambasadorët e BE e di dhe ambasadorja amerikane, që në 8 prill.

Platforma

Si pjesë e propozimeve të Metës është dhe ajo për emërimet në institucionet e reja të drejtësisë, dhe një grup mbipartiak për negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Po ashtu Meta kërkon që Kuvendi të tërhiqet nga ligji antishpifje, si dhe nga ligji për betimin e gjyqtarëve në Gjykatën e Lartë dhe në Gjykatën Kushtetuese. Duke iu referuar dhe KED-së, Meta kërkon largimin e Dvoranit pasi i ka mbaruar mandati, dhe drejtimin e institucionit nga nënkryetari.

1- Mazhoranca dhe opozita (parlamentare dhe jo-parlamentare) duhet të përfundojnë me vendosmëri Reformën Zgjedhore, sipas rekomandimeve të OSBE/ODIHR dhe konkluzioneve të Këshillit Europian për Çështjet e Përgjithshme.

2- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të vazhdojë funksionimin, duke përfshirë ndryshimin e akteve nënligjore të tij, në përputhje me rekomandimet e Komisionit të Venecias në draft-opinionin e 6 marsit. Për tre vendet e lira (2 nga Presidenti dhe 1 nga Parlamenti), KED duhet të paraqesë listat e kandidatëve për secilin institucion sipas sekuencës kushtetuese: Presidenti – Parlamenti – Presidenti

3- Këshilli i Emërimeve në Drejtësi duhet të pajtohet me pjesëmarrjen e Avokatit të Popullit në të gjithë veprimtarinë e tij dhe diskutimet, në përputhje me Kushtetutën dhe Ligjin.

4- Mandati i Kryetarit aktual të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi përfundon me emërimin e tre gjykatësve të Gjykatës së Lartë. Kryetari aktual i KED humbet menjëherë të gjitha të drejtat për të vazhduar ushtrimin e mandatit të tij, me vonesë të gjatë, si anëtar i Gjykatës së Lartë, dhe për pasojë si Kryetar i KED.

5- Këshilli i emërimeve në drejtësi vazhdon të funksionojë sipas ligjit, kryesohet nga Nënkryetari.

6- Parlamenti Shqiptar merret menjëherë me çdo boshllëk ligjor, në mënyrë që Presidenti dhe Parlamenti të plotësojnë vendet e mbetura bosh në KED brenda 1 viti kalendarik.

7- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga çdo iniciativë ligjore që ndryshon formatin dhe procedurën e betimit në detyrë të anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese dhe anëtarët e tjerë të lartë të sistemit gjyqësor.

8- Parlamenti Shqiptar tërhiqet nga “Paketa Anti-shpifje” dhe nga çdo nismë e ngjashme ligjore në të ardhmen.

9- Çdo ndryshim ligjor ose kushtetues që lidhet me reforma gjyqësore duhet të bëhet vetëm përmes konsensusit unanim të Këshillit Politik.

10- Në kuadrin e Këshillit Politik, partitë bien dakord brenda qershorit për të emëruar Shef-Negociator për anëtarësimin në BE, një ekspert të nivelit të lartë, integriteti, besueshmëria dhe profesionalizmi i të cilit është i pajtueshëm nga të gjitha palët.

11- Të gjithë gjyqtarët e Gjykatës së Lartë emërohen në përputhje me dispozitat kushtetuese dhe ligjore, dhe sa më shpejt të jetë e mundur.

12- Këshilli i Lartë Gjyqësor Këshilli i Lartë i Prokurorisë miraton menjëherë hartën e re gjyqësore për rishpërndarjen e burimeve njerëzore brenda sistemit të Gjykatës së Apelit dhe Gjykatat e Shkallës së Parë, dhe vazhdohet me plotësimin e vendeve bosh të krijuara nga dorëheqjet ose vettingu.

13- Këshilli i Lartë Gjyqësor duhet të përcaktojë parësore mbingarkesën e Gjykatës Administrative të Apelit, dhe të propozojë masat e nevojshme që lejon një proces të rregullt brenda afatit kohor (1 muaj) në këtë Gjykatë.

14- Parlamenti Shqiptar duhet të shqyrtojë pa interes politik, kandidatët e propozuar nga Presidenti i Republikës për Kryetarin e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Artikulli paraprakEkspertët francezë: Nuk do të ketë valë të dytë infektimesh me koronavirus
Artikulli tjetërMeta: Diktatura ka trokitur, secilit mund t’i rrezikohet liria e tij dhe…