Meta kundër Ramës: Gazetarët janë heronj, situata të mos shfrytëzohet për të mbyllur media kritike

Presidenti Ilir Meta përmes një statusi në facebook përgëzoi median dhe veçmas gazetarët e terrenit që kanë raportuar me seriozitet dhe profesionalizëm ngjarjen e rëndë që u krijua në vend si pasoje e termetit shkatërrimtar. Po kështu, Meta i dërgon një mesazh Kryeministrit që të mos e shfrytëzojë gjendjen e jashtëzakonshme si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike. Kujtojmë se dy ditë pas termetit u arrestuan administratoret e JOQ dhe një vajzë nga Durrësi për shpërndarjen e lajmeve të rreme.

Deklarata e plotë e presidentit Meta

Falenderoj të gjithë gazetarët e terrenit, operatorët dhe stafet teknike mbështetëse për raportimin e saktë dhe në kohë reale ditë-natë, në kushte aspak të lehta, të situatës tepër të rëndë dhe të pasojave tragjike në jetë njerëzore dhe prona, që la pas tërmeti i tmerrshëm i 26 nëntorit.

Me punën e tyre të palodhur, gazetarët dhe mediat kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm në ndihmë të banorëve të prekur nga pasojat e kësaj fatkeqësie tepër të rëndë.

Duke i inkurajuar mediat të vazhdojnë të tregojnë seriozitet dhe përmbajtje maksimale në raportimin e lajmeve, me qëllim shmangien e informacioneve të paverifikuara, besoj se në kuadrin e kësaj gjendjeje të jashtëzakonshme, çdo pakujdesi si pasojë e nxitimit për dhënien e lajmit të fundit, të mos përdoret si pretekst për të sulmuar apo mbyllur media kritike.

Gazetarët kanë qenë ndër heronjtë e vërtetë të këtyre ditëve dhe për këtë meritojnë një falenderim dhe mirënjohje të madhe!

 

Artikulli paraprakVetëm në Prizren janë strehuar 2 mijë persona nga Shqipëria
Artikulli tjetërI dëmtuari nga tërmeti shpërthen në lot para Bashës: Po tallen me ne! As ndihma, asgjë! Fëmijët i kam…