Meta: Jo Reformë në Drejtësi pa opozitën

Kryetari i Kuvendit, Ilir Meta deklaroi dje se Reforma në Drejtësi duhet të miratohet me konsensusin e opozitës. Në përgjigje të interesit të medias, Meta tha: “Të zgjidhet me urgjencë, me transparencë, me koherencë, sepse nuk e ka Shqipëria luksin të miratojë një Reformë në Drejtësi pa opozitën, në rast se opozita vërtetë është e sinqertë në dhënien e konsensusit të saj dhe kërkon që këto garanci substanciale të mos cenojnë besueshmërinë e institucioneve të reja”. I pyetur në lidhje me  referendumin e deklaruar nga Rama në lidhje me Reformën në Drejtësi, Meta e cilësoi atë si qesharak. “Këtë histori me referendum e kemi dëgjuar që në fillim dhe na është dukur shumë absurde, sepse nuk kemi dëgjuar ndonjë aktor politik në vend të thotë, që nuk e do Reformën në Drejtësi deri tani.
Mund të kemi dëgjuar individë, por nuk kemi dëgjuar ndonjë aktor politik.  Natyrisht që ka patur dhe ka një mosbesim të thellë, midis palëve të ndryshme, për sinqeritetin dhe principalitetin e aktorëve, për garantimin vërtetë të një sistemi të ri të drejtësisë, jo vetëm me integritet dhe të pakorruptuar si deri tani, por edhe të pakapur politikisht në të ardhmen, qoftë si deri tani, qoftë edhe më keq. Kështu që për referendumin unë kam vetëm këtë qëndrim. LSI e mbështet idenë e referendumit dhe ai ka kuptim vetëm në një rast, duke patur në konsideratë situatën e deritanishme dhe angazhimin publik të kryetarit të PD-së, z. Basha se ata kanë vetëm një çështje, që kërkojnë të zgjidhet sipas rekomandimeve të Venecias.
Dhe nëse ajo çështje zgjidhet sipas standardeve të Venecias, ata do ta votojnë këtë Reformë Kushtetuese për Drejtësinë në Kuvendin e Shqipërisë. Pra, në rast se PD edhe në momentin që edhe çështja e vetme e mbetur zgjidhet me dialog, me kompromis sipas standardeve të Venecias apo standardeve më të mira ndërkombëtare dhe më pas ngre një çështje tjetër apo sajon një pretekst tjetër, me qëllim që të mos japë konsensusin për Reformën në Drejtësi, atëherë LSI-ja beson që kjo do të ishte demonstrimi i qartë i mungesës së tyre të vullnetit politik dhe i papërgjegjshmërisë dhe njëkohësisht i domosdoshmërisë për të votuar këtë reformë edhe pa opozitën në Kuvendin e Shqipërisë dhe më pas për t’i dhënë më shumë legjitimitet, për të ftuar qytetarët shqiptarë që do të shpreheshin për të. Në kushtet aktuale kur për një çështje, për të cilën Komisioni i Venecias është shprehur që duhet të jene garanci substanciale për opozitën, pavarësisht nga forma që rekomandohet apo që duhet gjetur, të shkosh në referendum vetëm për këtë çështje, më duket se është jo vetëm absurde, por mendoj se është edhe qesharake” tha Meta

Artikulli paraprakFaqja e parë
Artikulli tjetërBerisha: Rama shiti Rroshin për të mbrojtur veten për përgjimet e kundërshtarëve