Berisha: Rama shiti Rroshin për të mbrojtur veten për përgjimet e kundërshtarëve

Ish kryeministri Berisha deklaroi dje se Rama shiti Rroshin për të mbrojtur veten për përgjimet e kundërshtarëve politikë. “Edvin Shullazi shiti sot në mënyrë spektakolare Ervin/Elvis Rroshin, kriminelin e tij të dobishëm që vetëm tre muaj më parë, tre orë pasi pa u tha boja e vizitës shumë të rëndësishme të sekretarit të Shtetit, John Kerry, i cili do të përgëzonte Shqipërinë për ligjin e dekriminalizimit, Edi Rama do të turrej në Kavajë e do të dilte triumfator dhe krenar me Elvis/Ervinin e tij, si për t’i thënë sekretarit të Shtetit se, ajo që thatë për dekriminalizimin për mua nuk ka vlerë apo vlen më pak sesa Rroshi, i cili është dhe simboli im i suksesit ose për t’i thënë Rroshit dhe shqiptarëve mos gaboni të kujtoni se Rroshi është një kriminel ose po menduat kështu mos harroni se ai është krimineli im i dobishëm!
Për ironi të fatit të zi të Ervin/Elvis/Enver… Rroshi, sot përsëri, fiks tre orë pas vizitës shumë të rëndësishme të ministrit të Punëve të Jashtme të Gjermanisë, Shtajnmaier, Edi Rama, në vend se t’i premtonte mikut të shquar votimin sipas Venecias të Reformës në Drejtësi, do të dilte në media përsëri për Rroshin e tij, por kësaj radhe për ta shitur atë dhe mbrojtur menderen e tij.
Kështu, për kriminelin e tij të dobishëm Rroshi, Rama tha se: “Nuk kam asnjë koment sepse nuk bëj pjesë tek ata që kur nuk i pëlqen për arsye politike apo të tjera diçka, përdor politikisht pozicionin e tyre për të sulmuar. Por nënvizoj që çështja duhet të zbardhet me drejtësi dhe përgjegjësi të plotë, ashtu siç kam thënë edhe për çështjet e tjera”. Por kur erdhi puna për menderen e tij në aferën e skandalit të përgjimit banditesk të Presidentit të Republikës dhe kundërshtarëve politikë me urdhër të tij, Edi Rama ishte tani krejt tjetër. Kështu, për pezullimin nga detyra nga gjykata të mercenarit të tij Çako dhe arrestimin e dy kriminelëve të dobishëm me uniformë të tij, Rama tha:
“Ne nuk mund të heshtim kur shikojmë ndodhira që kapërcejnë kufijtë e arsyes siç është ndodhia me drejtorin e Policisë së Shtetit, i pezulluar pa prova e fakte apo me dy drejtuesit e tjerë. Besoj se nuk kam asnjë ekuivok. Unë jam gjithmonë fuqimisht me gjithë zemër në mbështetje të çdokujt dhe sigurisht në radhë të parë të çdo anëtari apo anëtareje të familjes tonë deri në momentin që ata kanë diçka për të provuar diçka para drejtësisë”.
Me këtë rast dua t’i them Edvin Kristaq Ramës se oficerët mercenarë janë ndëshkuar nga drejtësia për faj tëndin dhe se mëshira dhe vëllazëria jote për ta, në të vërtetë është identike me atë që ndjen për Rroshin, por je i detyruar t’i mbrosh ata se një ditë mund t’i zëvendësosh në qeli për krimin e shëmtuar që ke konsumuar me përgjimin e Presidentit të Republikës, kryetarit të opozitës, diplomatëve të huaj, kundërshtarëve politikë të tjerë, artistëve, gazetarëve, analistëve, madje dhe qindra qytetarëve të thjeshtë” shkruan Berisha në reagimin e tij.

Artikulli paraprakMeta: Jo Reformë në Drejtësi pa opozitën
Artikulli tjetërU falsifikua firma e gjyqtarit të vrarë për 89 ha tokë në Zvërnec