Mesi: Ta fitojmë me çdo kusht Kupën e Amerikës

Tani duhet fituar, Lionel Mesi ndien më në fund se ka ardhur momenti për të festuar me fanellën albiceleste. Pas dy finaleve të humbura në dy vjet, në Botëror kundër Gjermanisë në 2014, dhe verën e kaluar në finalen në Kupën e Amerikës me Kilin, Argjentina ka një tjetër shans për të ndërprerë agjërimin e trofeve që zgjat tanimë prej shumë kohësh. Fitorja e fundit daton në Kupën e Amerikës 1993 dhe tani përpara është finalja në “MetLife Stadium” të East Rudherford sërish përballë Kilit, dhe Mesi ka ndërmend të festojë.
“Eshtë një finale e rëndësishme për mua, pasi kam mundësi të fitoj Kupën e Amerikës. Eshtë finalja ime e tretë me Kombëtaren dhe do të më pëlqentë të ndryshoja historinë. Një triumf do të ishte dhurata më e mirë që mund t’i bënim vetes”, tha Mesi.
Për yllin argjentinas që të premten mbushi 29 vjeç, finalja e radhës natyrisht që nuk do të jetë shansi i tij i fundit për të fituar diçka me La Seleccion.
“Por ne gjithsesi duhet ta shfrytëzojmë këtë mundësi të re që kemi dhe duhet të fitojmë me çdo kusht. Më pyesni nëse disfata do të ishte një dështim? Nuk e di, por me siguri që do të ishte një zhgënjim i madh, është finalja e tretë radhazi që luajnë dhe nëse nuk e fitojmë do të ishte një zhgënjim i pamatë”, tha ai.
Gjithsesi nuk ka vend për pengje, pasi në fjalët e Mesit kuptohet se te Argjentina kanë besim se do ta bëjnë të tyrin trofeun. “Vijmë në këtë ndeshje në një formë mjaft të mirë, ka entuziazëm dhe dëshirë për të luajtur, por të gjitha këto duhet t’i tregojmë në fushë. Që nga finalja e humbur vitin e kaluar jemi rritur shumë si skuadër, grupi është konsoliduar dhe gjithçka negative që ka ndodhur na ka bashkuar edhe më shumë”, përfundoi Mesi.

Artikulli paraprakPërballja me Italinë, për spanjollët si finale
Artikulli tjetër“Çmenden” për Ajetin