Mesi “shet” të atin: Nuk e dija se po mashtronte

“Kam firmosur, sepse besoj te babai im dhe nuk kam menduar kurrë se mund të më mashtronte. Nuk jam interesuar kurrë në këto çështje, ndaj nuk e dija që po shkelja ligjin. Nuk dija asgjë, thjesht mendoja të luaja futboll. Kisha shumë besim tek babai dhe avokatët e mi”. Kjo ishte mënyra sesi u mbrojt Lionel Mesi gjatë dëshmisë së tij në procesin gjyqësor, ku sulmuesi i Barcelonës akuzohet për evazion fiskal. Ylli argjentinas këmbënguli se nuk kam marrë pjesë në asnjë vendim, pasi për gjithçka kanë vendosur prindërit e tij. Sikurse kanë raportuar mediat në Spanjë, të gjithë dëshmitarët e thërritur në gjyq kanë dëshmuar se Lionel Mesi nuk ishte përgjegjës për asnjë krim. Edhe babai i tij Jorge e ka zhveshur nga çdo përgjegjësi, duke deklaruar se ishte i pafajshëm, nuk merrte vesh nga ligjet dhe se kishte menduar vetëm për t’ia bërë më të lehtë jetën të birit, që duhej të mendonte vetëm për të luajtur futboll.
Lionel Mesi dhe babai i tij Jorge, akuzohen nga autoritetet tatimore në Spanjë se kanë shmangur taksat në periudhën 2007-2009, duke i shkaktuar shtetit një dëm prej 4,2 milionë eurosh. Në rast se shpallen fajtor të dy rrezikojnë 22 muaj burg. Sipas akuzës, duke krijuar një seri shoqërish në parajsat fiskale, Mesi ka shmangur detyrimet tatimore nga të ardhurat që ka siguruar nga të drejtat e imazhit.

Artikulli paraprakRamsey: Uellsi mund të shkruajë historinë në “Euro 2016”
Artikulli tjetërInter, me blerjen e kinezëve vijnë dhe Ramires e Teixeira