Mesazhe politike në ceremoninë e varrimit të 32-vjeçares

Në Sharlotsvill të Virxhinias u mbajt ceremonia përkujtimore për 32-vjeçaren Heather Hayes, që u vra të shtunën gjatë një tubimi të supremacistëve të bardhë në këtë qytet kur njëri nga pjesëmarrësit e përplasi automjetin në turmën e antiprotestuesve.
Heyer, banore e Sharlotsvillit, ishte një nga qindra aktivistët që u mblodhën për të kundërshtuar një demonstratë të supremacistëve të bardhë.
Gjatë ceremonisë përkujtimore, nëna e saj, Susan Bro, u tha të pranishmëve se vdekja e së bijës nuk bën tjetër veçse do të shërbejë për të përforcuar mesazhin e saj.
“Ata u përpoqën të vrasin fëmijën tim për t’i mbyllur gojën asaj, por në fakt i dhanë më shumë zë asaj”, tha ajo.
Pas duartrokitjeve të gjata, zonja Bro inkurajoi mbështetësit e së bijës që të vazhdojnë të përhapin një mesazh tolerance në emër të saj.
“Dua që kjo të përhapet. Nuk dua që kjo të vdesë. Është vetëm fillimi i asaj që lë pas Heather, nuk është fundi”, tha zonja Bro.
Ajo u kërkoi të pranishmëve që ta nderojnë kujtimin e së bijës duke bërë më shumë për të kundërshtuar padrejtësitë në botë dhe për të arritur qëllimet në jetën e tyre.

Artikulli paraprakRingjallen në SHBA debatet rreth simboleve
Artikulli tjetërLideri i trazirave në Charlottesville frymëzohet nga fashizmi rumun