Mesazh për gratë e dalldisura të Parlamentit

Nga Elona CASLLI

Të dashura gra të dalldisura nga disa mesazhe të mbërritura në inbox, rezulton se keni rrudhur buzët dhe nuk ndiheni aspak mirë, teksa unë nënvizoj dalldisjen tuaj brenda hapësirës së parlamentit.

Gra të dalldisura, ju paguheni me taksat e shqiptarëve. Në kohë pandemie, kur shqiptarët persekutohen rrugëve dhe gjobiten për mosmbajtjen e maskës, ju çdo të enjte dalldiseni në parlament para thjerrëzës së Agim Ramës me ose pa maskë.

Po mos t’ju njihja do ta ngatërroja lehtësisht parlamentin me një lokal dasmash. E tillë është veshja dhe tualeti sikundër e tillë është edhe dalldia për foto.
Mund të dalldiseni kudo, veç në hapësirën e parlamentit jo. Aty janë taksat e shqiptarëve. Pikë.

Dhe unë do ta nënvizoj dalldisjen tuaj çdo herë që ju do ta kryeni atë, sepse ka një protokoll, ka një përgjegjësi për të gjithë shqiptarët që paguajnë taksat.
Dhe unë nuk mund të rri e heshtur teksa ju na servirni dalldisjen për punë. Jo!

Në terma sinqeriteti absolut të ishte në dorën time, unë ju nxirrja të gjithave jashtë dhe shënoja në librezën e punës diçka që të mos puqnit më në asnjë institucion shqiptar, për sa kohë nuk keni asnjë shprehi institucionale.

Këtë nuk e kam në dorë. Në dorë kam veç të nënvizoj dalldisjen tuaj.

Post Scriptum- Ju nuk përfaqësoni gruan shqiptare. Ju përfaqësoni gruan e dalldisur shqiptare.

Artikulli paraprakLleshaj fyen policët nga foltorja e Kuvendit, Salianji: Përçmimi ndaj policëve është i neveritshëm!
Artikulli tjetërKim Mehmeti: Partitë e reja po krijohen për të ndihmuar Ramën dhe dëmtuar të djathtën