Merveille, oferta nga Goztepe e LASK Linz

Merveille Ndocky drejt Turqisë. Mesfushori i talentuar nga Kongo, që prej muajsh është në qendër të interesimit të disa klubeve, mbetet një prej elementëve më të kërkuar të Tiranës në merkato. Interesimi është konkret, madje në zyrat e klubit bardheblu janë paraqitur edhe ofertat zyrtare. Goztepe në Ligën e Parë turke dorëzoi kërkesën te Tirana, sipas të cilës janë të gatshëm të paguajnë 350 mijë euro për kartonin e Merveille. Klubi nga Izmiri është i predispozuar që pagesën ta realizojë në formë paradhënie, ndërsa në rast se Tirana pranon, janë shprehur të gatshëm të nisin menjëherë procedurat ligjore për transferimin.
Sipas burimeve pranë 24 herë kampionëve, Goztepe i ka shtuar ofertës edhe një klauzolë, sipas të cilës Tirana do të përfitonte edhe 10 për qind nga shitja e futbollistit në të ardhmen. Shifrat janë të rëndësishme dhe oferta pëlqehet nga bardheblutë, ndërsa nuk përjashtohet që marrëveshja të mbyllet prej kësaj të premteje. Një tjetër ofertë konkrete për Merveille ishte edhe ajo nga LASK Linz, skuadër që sapo u rikthye në Bundesligën austriake të futbollit. Klubi nga Linza ofronte 300 mijë euro për kartonin, me disa klauzola që e rrisin shifrën në bazë të paraqitjeve të futbollistit, por edhe arritjeve të skuadrës.
Menjëherë pas ndeshjes së kthimit në kualifikueset e Europa League ndaj Maccabi Tel Aviv, te Tirana janë orë të nxehta për merkaton. Merveille Ndocky do të jetë xhehaviri i parë që do të shitet jashtë vendit, për t’i bërë një dhuratë kongolezit që pas dy javësh feston 19-vjetorin e lindjes, por edhe për të mbushur arkat e klubit dhe siguruar financat për rikthimin e bardhebluve te lavdia.
Ndërkohë, trajneri argjentinas, Diego Simeone, pasi i ka dhënë mundësinë futbollistit shqiptar që të debutojë me ekipin e parë të Atleticos, kërkon ta monitorojë nga afër Keidi Baren dhe për këtë arsye e ka zgjedhur që ta marrë me vete në fazën përgatitore që Atletico do të zhvillojë për sezonin e ri.
Sipas listës së publikuar në Spanjë, Atletico filloi përgatitjet të enjten në mëngjes me 20 lojtarë, të cilët do të vihen nën urdhrat e Simeones. Mes tyre është edhe emri i Bares, i cili është përzgjedhur për të treguar se e meriton më shumë një vend në skuadër sesa futbollistët, të cilët janë kthyer nga huazimi apo lojtarë të tjerë nga akademia.

Artikulli paraprakMijëra biznese të falimentuara
Artikulli tjetërLacazete zyrtarisht te Arsenali