Lacazete zyrtarisht te Arsenali

Pasi përshkoi gjithë zinxhirin e ekipeve të të rinjve dhe u aktivizua 7 sezone si profesionist, Alexandre Lacazette i jep lamtumirën Lyonit. Tashmë është zyrtare, sulmuesi francez ka nënshkruar për Arsenalin. 60 milionë pagoi në llogarinë e francezëve Arsene Wenger për të finalizuar goditjen e madhe në merkaton e verës për “Topçinjtë”. Një shifër rekord kjo për klubin nga Londra veriore, pasi Lacazette bëhet automatikisht lojtari më i shtrenjtë i historisë së Arsenalit. Gjatë sezonit të fundit, sulmuesi francez shënoi 37 gola në 45 ndeshje me fanellën e Lyonit.
Me Arsenalin, ai firmosi një kontratë 5-vjeçare dhe në “Fly Emirates” konsiderohet zëvendësuesi ideal i një tjetër francezi, Olivier Giroud, i cili mbetet me valixhe në dorë për të mësuar të ardhmen e tij. “Arsenali është klubi që luan futbollin më të bukur në Angli dhe dëshiroja me çdo kusht të shkoja te kjo skuadër”, theksoi 26-vjeçari, pasi hodhi të zezën mbi të bardhë. Pas nënshkrimit të kontratës, Lacazette do të udhëtojë me skuadrën drejt Australisë për turneun veror, ku do të ndeshet me kinezët e Shanghai dhe Bayern Munchen.
Lacazette numëron 11 ndeshje me fanellën e Francës, ndërsa në total me Lyonin ka shënuar 129 gola në 257 ndeshje të luajtura. Jemi shumë të lumtur që Lacazette u bë pjesë e skuadrës tonë. Gjatë viteve të fundit, ai ka treguar se është një finalizues shumë i mirë, ka teknikë të jashtëzakonshme, shumë cilësi dhe një karakter të fortë. Është një vlerë e shtuar për ne dhe besoj se do të na ndihmojë të konkurrojmë me skuadrat më të forta gjatë sezonit të ri”, deklaroi trajneri Wenger. Gjatë merkatos së verës, emri i 26-vjeçarit u lidh edhe me disa klube të tjera, por këmbëngulja e Wenger për ta transferuar në Londër bëri që sulmuesi francez të zgjidhte Arsenalin.

Artikulli paraprakMerveille, oferta nga Goztepe e LASK Linz
Artikulli tjetërVendimet e falsifikuara e bënë varrmihësin vlonjat pronar të Karaburunit