Megavjedhja 60 milionë euro, Rama do blejë energji me trefishin e çmimit

Vjedhjet masive të fondeve të OSHEE, si dhe keqadministrimi i këtij institucioni nxorën zbuluar qeverinë, e cila e zhyti vendin në pikën më kritike për furnizimin me energji elektrike.
Në kushtet e një thatësire ekstreme për shkak të motit, tharjes së digave dhe uljes së sasisë së energjisë së prodhuar në vend, Rama ndërmori sa hap e mbyll sytë një akt normativ antikushtetues, të shpejtë e të dyshimtë përmes të cilit bëri ndryshim në alokimin e fondeve me qëllim shpëtimin e situatës përsa i përket furnizimit me energji elektrike. Sipas këtij akti normativ parashikohet një rritje e fondeve për blerjen e enegjisë elektrike me një shumë prej 60 milionë eurosh.
Ajo çka e bën të dyshimtë këtë akt normativ, i cili kap përmasat e një megaskandali është fakti se, Rama parashikon që të blejë energji tre herë më të shtrenjtë duke krijuar mundësi të hapura për vjedhjen e miliona eurove. Paratë që duhej të shpenzoheshin për blerjen e energjisë elektrike dhe të kovave për shuarjen e flakëve nuk janë mirëmenaxhuar, por në të kundërt, janë zhvatur.
Ky është konkluzioni në të cilin del ish-Kryeministri Sali Berisha, i cili shprehet se tashmë, për shkak se paratë e shtetit janë përdorur për zgjedhjet, Rama është detyruar që energjinë elektrike tashmë ta blejë me trefishin e çmimit me të cilën do ta blinte, nëse do të ishte “kujtuar” që në prill.
E njëjta situatë ndodh edhe me nevojën për luftimin e flakëve, që sipas Berishës, është një tjetër shenjë për mënyrën sesi po menaxhohen paratë e buxhetit. Ish-Kryeministri shprehet se ndërkohë që Shqipëria digjej, kryeministri i vendit urdhëronte nga resorti ku po pushon marrjen me qira të disa helikopterëve të vegjël, në vend që të blinte mjete të posaçme.

Reagimi i Berishës

“Akti normativ për blerje energjie dhe ai i kovave për helikopterët, një aktakuzë e vërtetë! Pas zbrazjes elektorale të digave dhe djegies së mijëra e mijëra hektarë pyjesh në të katër anët e vendit, dje, Noriega, nga resorti ku po pushon, në kundërshtim flagrant me Kushtetutën miratoi aktin normativ mbi shtesën e shpenzimeve buxhetore prej 60 milionë eurosh për:
– Blerjen e energjisë, pasi zbrazi digat dhe zhyti vendin në errësisë në kulmin e sezonit turistik, me trefishin e çmimit dhe vjedhjes së madhe krahasuar me blerjet që duheshin bërë që në prill me çmim tre herë më të ulët dhe duke ruajtur rezervën ujore të kaskadës së Drinit.
Mirëpo Rama, duke menduar se do të humbiste zgjedhjet, zbrazi digat si kurrë ndonjëherë më parë. Ai zhyti vendin në errësirë dhe tani po blen energjinë me Çelën e tij nga Ibiza, me trefishin e çmimit, duke vjedhur dhe shpërdoruar së paku 70 milionë euro këtë verë.
– Blerjen e kovave të mëdha për helikopterët e mëdhenj të Ushtrisë për shuarjen e zjarreve, vetëm pasi vendi u dogj dhe poq nga flakët në të katër anët. Shtoj këtu se helikopterët e mëdhenj të Ushtrisë, që u porositën nga qeveria e mëparshme, kanë ardhur tre vjet më parë, por në vend të kovave dhe mjeteve të shuarjes së zjarrit u porositën kanxha dhe kordonë për transportin në Vermosh të materialeve të ndërtimit për vilën luksoze të ministres.
Në përmbushje të kësaj detyre antiligjore, u zhyt në liqenin e Shkodrës njëri prej tyre.
Ndërsa gjatë kësaj vere, në vend që të porositeshin me urgjencë kovat qe mbajnë tonelata ujë, lekët u shpenzuan duke kontraktuar helikopterë të vegjël privatë që mbartnin kova të vogla pothuaj sa një fuçi ujë.
Duke dënuar me ashpërsinë më të madhe qëndrimet e papërgjegjshme dhe antikushtetuese të Edvin Kristaq Ramës, i bëj thirrje prokurorit të Përgjithshëm të hetojë me përparësi aktin e megakorrupsionit të tij të radhës”.

Artikulli paraprakGjykata tjetër vendim, për “Ballist” Morinën, Avokati: Nuk do të ekstradohet në Serbi!
Artikulli tjetër600 hektarë pyje dhe kullota shkrumbohen në Gjirokastër