Mediat e huaja: Mos shkelni në plazhet e Shqipërisë, janë të ndotur

Rezultatet e raportit të Agjencisë Evropiane të Mjedisit për cilësinë e ujit në plazhet europiane, të cilat nxorrën në pah gjendje skandaloze të ujërave shqiptare, mund të ketë ndikim në mbajtjen larg të turistëve. Nisur nga ky raport, agjencia e rëndësishme ndërkombëtare e lajmeve “Associated Press” ka shkruar një artikull me titullin “Uji i plazheve europiane është shumë i mirë, me përjashtim të Shqipërisë”. Lajmi është ribotuar, me të njëjtin titull, nga shumë media botërore, përfshi “Daily Mail”, gazetën më të lexuar britanike në botë, rrjetin televiziv amerikan ABC, shërbimin e lajmeve të Yahoo-së dhe dhjetëra media lokale në SHBA dhe Europë.
Pas analizimit të kampioneve të ujit në më shumë se 70 plazhe, agjencia kryesore e BE-së për mjedisin nxorri në pah se rreth 40 për qind e plazheve në Shqipëri janë jashtë standardeve për t’u larë veçanërisht plazhi i Durrësit dhe përqark tij. Gjendja e ujërave në Shqipëri duket ekstreme, duke qenë se mesatarja e plazheve europiane me ujë të papërshtatshëm ishte 1,8 për qind, më e larta ndër të cilat ishte Britania e Madhe me rreth 4 për qind.
Duket se mungesa e investimeve në infrastrukturën e përpunimit të ujërave të zeza, investimet pa kriter në bregdet dhe në përgjithësi lënia pas dore e çdo kujdesi për detin e bregdetin duket se kanë prodhuar një bregdet e det aq të ndotur sa na ndëshkojnë. Përballë këtij realiteti përpjekjet e Shqipërisë për tërheqjen e turistëve përmes panaireve dhe thirrjeve politike për të vizituar Shqipërinë duken të çuditshme dhe tregojnë mungesën e ideve e vizionit për zhvillimin e turizmit.
Agjencia Evropiane e Mjedisit ka thënë se, pushuesit nëpër tërë kontinentin evropian mund të përdorin lahen pa ndonjë shqetësim për infektim nga uji i ndotur, por është vetëm një vend në tërë Evropën, që kjo Agjenci nuk u rekomandon të shkojnë për pushime, pasi nuk garanton për cilësi të ujit. Në një raport të bërë nga kjo Agjenci, Shqipëria është në fund të listës për nga cilësia e ujit në bregdetin shqiptar. Madje, kritikohet edhe uji që përdoret në banjat dhe tualetet e hoteleve dhe shtëpive private, duke u cilësuar si i rrezikshëm. Vetëm Rumania e ka cilësinë më të dobët sesa Shqipëria në gjithë Evropën, thuhet në këtë raport. Agjencia ka matur cilësinë e ujit në 18 vende turistike dhe bregdetare në Shqipëri dhe sipas raportit, “uji që në bregdetet publike është nën secilinë kriter të cilësisë së ujit”.
“Në Shqipëri nuk ka kushte elementare të ujit për t’u larë në det, por edhe për t’u pastruar ose përdorur për tualet. Shqipëria nuk kontrollon se ku shkon uji që përdoret për pastrim dhe tualet, duke mos ofruar kështu as të dhëna se ku derdhet ai ujë dhe si riprodhohet për përdorim”, thuhet në këtë raport, raporton Insajderi.
Kosova ka qenë jashtë monitorimit dhe inspektimit, pasi nuk ka dalje në det. Nga 78 vende të kontrolluara vetëm 60 prej tyre kanë plotësuar kriteret minimale për cilësinë e ujit, ndërsa 18 prej tyre janë të rrezikshme.
Zona më e rrezikshme sipas këtij raporti, është bregdeti i Durrësit, ku bregdeti mbetet i ndotur për shkak të rrjeteve të pamjaftueshme të kanalizimeve.
“Por ajo çfarë mbetet më shqetësuese është se në Shqipëri, përpos që banjat kanë cilësi shumë të ulët të ujit, ka mungesë të jashtëzakonshme të banjave publike dhe atyre private, të cilat përdoren nga më shumë persona të lejuar”, thuhet në raport, duke iu referuar shtëpive private, të cilat funksionojnë si bujtina për turistë.

Kritikat e KE për standardet e bregdetit shqiptar

Zëdhënësi i Komisionit Europian për mjedisin, çështjet detare dhe peshkimin, Enrico Brivio nxjerr na pah, se monitorimi që agjensia europiane e mjedisit i ka bërë ujërave bregdetare në Shqipëri tregon, se situata në disa site bregdetare në Shqipëri është përkeqësuar 3 vitet e fundit. Sipas ABC News, nga 3 site bregdetare me cilësi uji të dobët në 2013, tani rezultojnë 31 site me cilësi të dobët uji. Për Komisionin Europian ka edhe një problem me 18 site, ku frekuenca e kampioneve nuk është e kënaqshme. Komisioni Europian ka publikuar raportin e Agjensisë Europiane të Mjedisit për ujërat e notueshme në vendet e Bashkimit Europian, Zvicër dhe Shqipëri. Lidhur me Shqipërinë, përveç 31 siteve bregdetare me cilësi të dobët uji, veçohen edhe 18 site ku rezultatet e analizës së kampioneve nuk janë të kënaqshme. “Problemi  te 18 sitet qëndron më shumë te frekuenca e kampioneve, sesa cilësia e ujit, që në disa raste mund të jetë edhe e pranueshme. Duhen paraqitur së paku 4 kampione në vit për secilin sezon, që duhet të plotësojnë standardet dhe që të tregojnë që uji është i pastër. Për 18 site bregdetare në Shqipëri, ne nuk kishim kampione të mjaftueshme për të ardhur në përfundimin, se këto 18 site përmbushin standardet e direktivës europiane për cilësi të mirë të ujërave e notueshme. Mund të thuhet që ka një lloj progresi, pasi ne jemi duke monitoruar gjithnjë e më shumë sitet bregdetare në Shqipëri. Por sa më shumë monitorojmë, aq më shumë probleme hasim. Më parë kishte vetëm 3 site bregdetare që kishin cilësi të dobët uji, tani kemi 31 site me cilësi të dobët dhe 18 site me frekuenca kampionesh jo të kënashme, për të cilat folëm. Pra, pavarësisht një lloj progresi, monitorimi tregon, se sa më shumë teste bëhen, aq më shumë site dalin që duhet të kenë një cilësi më të mirë. Duhet thënë gjithashtu, se Shqipëria monitorohet që prej 3 vjetësh, pra nuk është se kemi një historik të gjatë të monitorimit në Shqipëri” thekson Brivio.

Artikulli paraprakBritanikët kundër shqiptarëve: “Mos jepni azil për ta”
Artikulli tjetërReportazh / Në Tepelenë ku hashashi është legalizuar