Mediat e huaja jehonë miratimit të Reformës

Miratimi i Reformës historike në Drejtësi është pasqyruar edhe nga disa prej mediave më të njohura ndërkombëtare. Disa prej mediave më të rëndësishme ndërkombëtare si “NBC News”, “Uashington Post”, “The Associated Press”, etj., i kanë kushtuar një vëmendje të veçantë miratimit të Reformës në Drejtësi. Pothuajse në të njëjtën linjë, mediat shkruajnë se Shqipëria ka hedhur një hap mjaft të rëndësishëm drejt hapjes së negociatave për anëtarësimin në BE. Gjithashtu, në shkrimet e tyre është përshkruar tensioni dhe mosmarrëveshjet që karakterizuan procesin e negociatave.  Agjencia “Reuters” nëpërmjet një artikulli kushtuar votës unanime në Parlament nënvizon se, Shqipëria ka kaluar një paketë ndryshimesh mjaft të rëndësishme, të cilat janë konsideruar si thelbësore sa i përket rrugës së anëtarësimit të vendit në BE. Në rreshtat e shkrimit është përshkruar edhe tensioni që e karakterizoi procesin. Gjithashtu, “Reuters” citon edhe zyrtarët e Bashkimit Europian, të cilët u shprehën se reforma do t’i japë shqiptarëve një sistem drejtësie më të besueshëm, të pavarur dhe transparente. Në të njëjtën linjë ka qëndruar edhe “The Associated Press”, e cila në artikullin e saj thekson se reforma është hap mjaft i rëndësishëm në rrugën e integrimit. Ata nënvizojnë se për hartimin e draftit u deshën 18 muaj negociata me mbështetjen e ekspertëve të BE-së, Shteteve të Bashkuara, si dhe të Komisionit të Venecias. Më tej shkruhet se reforma do ta rifreskojë sistemin e drejtësisë për ta bërë atë më të besueshëm. Lajmi i “The Associated Press” është ripostuar edhe nga gjigantët amerikanë të medias, “NBC News” dhe “The Washington Post”. Nga ana tjetër, “Voice of America” shkruan se më në fund partitë politike arritën të gjejnë konsensusin për një reformë, e cila në rast se nuk do të miratohej do të vendoste në rrezik rrugën europiane të vendit. Më tej, artikulli nënvizon se reforma ka për qëllim ta bëjë gjyqësorin të pavarur, të aftë për të luftuar korrupsionin, si dhe t’i japë fund pandëshkueshmërisë së politikanëve shqiptarë.

Artikulli paraprakQeveria ka bllokuar tregun e pasurive të paluajtshme
Artikulli tjetërBE: Reforma historike, të nisë zbatimi menjëherë