Media italiane: Kush është firma e kontaktuar për 1300 kontenierët

Një mister i gjatë, si rruga që të çon nga Italia në Maqedoni, duke kaluar përmes Shqipërisë. Është një mister ndërkombëtar historia e konteinerëve të mbushur me mbetje, që nga Italia duhej të kalonin për t’u eliminuar në ish-Republikën jugosllave. Misteri prek edhe një firmë nga Forsinone, Fcl Ambiente srl, me seli në zonën industriale ku duhej të arrinin mbetjet e zhdukura.
Nga lajmet e dala në gazetën “Roma” dhe sitin “Pianeta Italia neës”, ripublikuar më pas në shtypin shqiptar, grek e maqedonas, hetimet kanë filluar në anën tjetër të Adriatikut. Por për këtë rast po heton edhe Drejtoria Distriktuale Antimafia e Romës.
Hetimet janë të rezervuara, aq sa askush nuk iu përgjigj pyetjes për konteinerët e humbur në konferencën e përbashkët për shtyp të Franco Robertit dhe Adriatik Llallës në Tiranë.
Deri tani dihet që, më 2016, 1300 konteinerë me rreth 30 mijë tonë u nisën nga Gioia Tauro, me destinacion zyrtar landfillin e Drislës në Maqedoni, pa mbërritur kurrë atje.
Landfilli është pikërisht ai që menaxhohet nga firma Fcl. Kjo e fundit, siç lexohet në sitin e firmës me seli në rrugën “Armando Vona” e me administrator të vetëm Massimiliano Ferrazzolin, është një shoqëri që i përket grupit  financiar Centro Lazio spa, me seli në Romë.
Fcl Ambiente, në janar 2013, përmes investimit 73 milionë euro, fitoi tenderin ndërkombëtar të privatizimit të landfillit të Drisalës në Shkup, ndër më të mëdhenjtë në Evropë. Komuna e Shkupit ka 20 për qind të aksioneve.
Grupi Centro Lazio ka një kapital shoqërie 600 mijë euro. Duhet thënë se shoqëria nuk është në qendër të hetimeve, për shkak se ajo ishte destinacioni ku mbetjet duhej të mbërrinin. Hipoteza më e besueshme është që mbetjet arritën sipas itinerarit në Durrës, por që aty në Maqedoni shkuan vetëm 1140 konteinerë nga 2604. Po të tjerët? Në këtë pikë del dyshimi që mund të jenë përpunuar ilegalisht në Shqipëri, të djegura ose të groposura.

Doganat fshehin plehrat, vetëm 3 ngarkesa të regjistruara

Në sistemin doganor shqiptar rezulton të kenë kaluar vetëm 3 ngarkesa transit (Durrës-Qafë Thanë) me vend origjine Italinë dhe vend destinacioni Maqedoninë në vitet 2014-2017. Ngarkesat nuk rezultojnë të jenë të deklaruara si mbetje.
“Hashtag.al” ka mundur të sigurojë tabelat e deklarimeve “Asycuda-Dogana Shqipëri”, ku shfaqen të gjitha ngarkesat e transitit të deklaruara vitet e fundit.
Disa ditë më parë gazeta periferike “PianetaItalia” publikoi një artikull ku pretendonte se ngarkesat kishin kaluar nga Italia nëpërmjet Shqipërisë (trasit) dhe sipas gazetës një pjesë e konteinerëve me mbetje kishin mbetur në Shqipëri.
Fabula që ofroi gazeta italiane bazohej në një kontratë pune mes një italianeje dhe një impianti përpunues në Maqedoni.
Por të dhënat e sistemit doganor shqiptar, sugjerojnë se nga Italia janë tranzituar vetëm 3 ngarkesa në drejtim të Maqedonisë, me pikë hyrje Porti Durrës dhe pikë dalje Qafë-Thanë.
E para, më datë 19 korrik 2016, nga Porti i Durrësit drejt Qafë-Thanës, me peshë neto 2.028 tonë.
E dyta, më datë 7 tetor 2016, nga Porti i Durrësit drejt Qafë-Thanës, me peshë neto 26 tonë.
E treta, më datë 7 dhjetor 2016, nga Porti i Durrësit drejt Qafë-Thanës, me peshë neto 3.97 tonë.
Në total 3 ngarkesa me peshë afro 32 tonelata të tranzituara me vend origjine Italinë dhe me destinacion Maqedoninë.
Nga ana tjetër, tabelat “Asycuda” të doganave, sugjerojnë se ka pasur disa qindra ngarkesa me vend origjine Shqipërinë (jo transit, por origjinë) dhe me vend destinacion Maqedoninë.
Këto janë të dhënat zyrtare të palës shqiptare, por vetëm krahasimi me të dhënat e palës maqedonase do të mbyllte ciklin e verifikimit, të paktën bazuar në dokumentacionin zyrtar.
Një nëpunës shtetëror që ka ndjekur problemin i tha “Hashtag.al” se pretendimet e portalit italian kanë deformime arbitrare, lehtësisht të verifikueshme.
Por zyrtari shtoi se këto deformime të portalit mund të jenë të qëllimshme, në varësi të burimit që e ka informuar portalin.
“Ne nuk dimë me saktësi se çfarë të dhënash posedon pala maqedonase. Ata nuk janë prononcuar fare për këtë problem. Njëra prej pistave është që portali italian të jetë furnizuar nga pala maqedonase me informacion grackë ose informacion ‘gjysmë të vërtetë’. Pra, portali mund të jetë përdorur për të shantazhuar qeverinë shqiptare në distancë, duke i dhënë sinjalin që ‘ta kemi dosjen’”, tha zyrtari shtetëror shqiptar.

Hashtag.al

Artikulli paraprakFalja e gjobave, biznesi nuk bie dakord me projektin e qeverisë
Artikulli tjetërVendimi i fshehtë i Ramës për futjen e lëndëve të rrezikshme në Shqipëri