Falja e gjobave, biznesi nuk bie dakord me projektin e qeverisë

Edhe pse ka kërkuar “amnisti” fiskale, komuniteti i biznesit nuk ka rënë dakord me projektligjin e qeverisë për faljen fiskale. Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë së Tiranës, që përfshin dhe komunitetin më të madh të biznesit në vend, kërkon që të shtyhen afatet e faljes dhe të zbatimit të ligjit. Përmes një shkrese, drejtuar Komisionit të Ekonomisë dhe Ministrisë së Financave, DHTI ka paraqitur shqetësimet përkatëse e bazuar në to ka kërkuar edhe shtyrjen për miratimin e një projekti të tillë. Shqetësimet e Dhomës lidhen kryesisht me afatet e faljes dhe të periudhës së zbatimit të ligjit, por edhe me faktin që favorizohen dukshëm kompanitë shtetërore, duke i vënë subjektet private në kushte të pabarabarta të konkurrencës, çka në këtë mënyrë shkel hapur edhe Kushtetutën. Në shkresë, Dhoma ka kërkuar që të marrë pjesë në diskutimet në komisione, në mënyrë që të parashtrojë argumentet kundërshtues. Diskutimi për këtë iniciativë ligjore ka filluar që prej qershorit 2016, u finalizua pjesërisht me miratimin e Ligjit 81/2016, datë 25.07.2016. “Për rivlerësimin e pasurisë së paluajtshme” dhe më pas mbeti pa asnjë info në pritje të miratimit nga FMN dhe paketës fiskale 2017. Bazuar në nenin 100 të Ligjit nr. 9920 “Për Procedurat Tatimore në RSH”, është kërkuar fshirja e detyrimeve më të vjetra se 5 vjet dhe ligji e sqaron saktë se kush quhet periudha e fundit për plotësim të këtij kushti.

Artikulli paraprakEmigrantët, vendet nga ku niset më shumë valutë
Artikulli tjetërMedia italiane: Kush është firma e kontaktuar për 1300 kontenierët