Me Spanjën, gjithçka e ekuilibruar

Nuk ka kohë për të menduar për humbjen me Irlandën. Italinë e pret një sfidë tepër e vështirë me Spanjën në fazën e 1/8-ve të Europianit, ndaj e gjithë vëmendja duhet të jetë për “La Rojan”. Giorgio Chiellini e konsideron përplasjen me Spanjën një finale të parakohshme, që do të vendoset nga episodet.
“Parashikoj një ndeshje të ekuilibruar, ku diferencën do ta bëjnë detajet. Sa keq që përballja vjen që në fazën e 1/8-ve. Do të jetë një sfidë e madhe. Spanjollët nga viti 2008, kur dhe nisi epoka e tyre e artë, janë shndërruar në njëfarë mënyre macja jonë e zezë. Përveç finales së Euro 2012-ës, ku nuk kishim rikuperuar energjitë pas gjysmëfinales me Gjermaninë, të gjitha përplasjet e tjera me ta kanë qenë të ekuilibruara”, u shpreh Kelini.
Duke parë çiftet e 1/8-ve, për të kaltrit do të kishte qenë më mirë që të përfundonin të dytët, por mbrojtësi i Juventusit sheh dhe anën pozitive. “Në këtë Europian morën pjesë më shumë skuadra e për rrjedhojë pati disa ndryshime. Por le të përqafojnë anën tjetër, atë të spektaklit. Do të jetë shumë emocionuese. Në fillim apo në fund, do të përballesh edhe me më të mirët”, tha ai.
Edhe në këtë turne mund të përsëritet skenari i Euro 2008-ës, që skuadra që do të vijojë më tej të vendoset pas goditjes së 11-metërshave. “Ne po përgatitemi njësoj si për çdo ndeshje, pastaj të shpresojmë që të jemi më të saktë. Gjithçka mund të ndodhë”, përfundoi Kielini.

Artikulli paraprakNjë mesazh për D., vajzën e Anjezës
Artikulli tjetërPërballja me Italinë, për spanjollët si finale