Me këtë nivel korrupsioni dhe krimi s’keni vend në BE

Kryetari i Komisionit për Çështjet Europiane në Bundestag, Gunther Krichbaum ka bërë dje në Tiranë një nga deklaratat më të forta, e cila i adresohet direkt qeverisë dhe kreut të saj. Krichbaum paralajmëroi dje nga Tirana se Shqipëria nuk do të mund të pranohet kurrë në Bashkimin Europian dhe nivelin aktual të korrupsionit të kësaj qeverie si dhe me nivelin e lartë të krimit.
Më është krijuar përshtypja se njerëzve këtu u ka ardhur në majë të hundës nga korrupsioni dhe krimi. Ua jap sot me firmë dhe me vulë, në BE nuk do të pranojmë një vend ku temë e ditës është korrupsioni”, është shprehur zyrtari i lartë i Bundestagut gjerman.
Kjo është një nga deklaratat më të ashpra të një zyrtari gjerman, e cila i drejtohet direket qeversië dhe në të njëjtën kohë rikonfirmon qëndrimin e partnerëve të Shqipërisë se kriter për afrimin e mëtejshëm të Shqipërisë në BE është jo vetëm reforma në drejtësi, por pengesë është edhe korrupsioni i qeverisë dhe krimi.
I pyetur, nëse për të siguruar 94 votat e nevojshme, shumica mund t’i drejtohej edhe deputetëve opozitarë, për vendimin e tyre individual për votë pro reformës, Krichbaum anon më shumë nga konsensusi. “Një reformë është e mirë nëse përfaqësohet nga një masë e gjerë.
Nëse duhen 94 vota për miratimin e një projektligji, në parim nuk ka ndonjë gjë për të kundërshtuar. Qeveria duhet të marrë kontaktet me opozitën dhe të gjejë votat e duhura, pasi 21 korriku po afron”, tha Krichbaum. Përfaqësuesi i Bundestagut gjerman nënvizoi disa herë se Shqipërisë i nevojitet ende shumë kohë deri në hapjen e negociatave dhe sqaroi prerë pozicionin e Gjermanisë nëse nuk miratohet drejtësia.
“Nëse na krijohet përshtypja se nuk ka mbështetje për implementimin e reformës, ne nuk do të mbështesim hapjen e negociatave për anëtarësim”, tha Krichbaum. “Nëse bëhen hapa prapa politika duhet të përsiatet në raportet me partnerët. Në këtë rast ne nuk do u mbrojmë shpatullat, por do u dalim para. Shqipëria nga vendet e para të listës së prioriteteve tona mund të arrijë krejt në fund”, tha zyrtari i lartë i Bundestagut gjerman.
“Durimi ynë nuk është i pafund. Qeveria e Parlamenti gjerman u mbështet në rrugën drejt BE. Ju keni marrë statusin, por nëse na krijohet përshtypja se ju nuk e doni reformën, mund të marrim vendim për t’ju hequr statusin e kandidatit. Shpresoj që kjo të kuptohet si nga qeveria edhe nga opozita..
Megjithatë, deputeti nuk sqaroi nëse edhe vende të tjera të BE ndajnë të njëjtin opinion me Gjermaninë, në kushtet kur në Ballkan, vende si Maqedonia e kanë prej 2005 statusin e kandidatit dhe nuk ka pasur një vendimmarrje për tërheqje të tij. Ai këmbënguli në nevojën e një reforme konsensuale, por edhe të institucioneve të gjyqësorit të pandikuar nga ekzekutivi, pavarësisht se cila palë është në pushtet.

Falenski: Nuk ka asnjë përparim në luftën kundër krimit e korrupsionit

Edhe Hans-Joachim Falenski, këshilltar i lartë për Politikën e Jashtme në Grupin parlamentar CDU/CSU në Bundestag e sheh dramatike situatën në Shqipëri, teksa thekson se krimi dhe korrupsioni nuk po luftohen e vendi nuk ka shënuar asnjë përparim në këtë drejtim. Ai vë theksin tek rëndësia që ka garantimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm, ndërsa shpreh rezervat e tij për zgjedhjet pa standarde të zhvilluara vitin e kaluar. Deklaratat zyrtari gjerman i bëri në konferencën ku u prezantuan gjetjet e raportit të monitorimit të progresit të Shqipërisë në sektorët e transportit dhe energjisë. Këshilltari i lartë gjerman, Falenski konsideron se përmbushja e disa prioriteteve nga Shqipëria ka ngelur në vend nga raport progresi i fundit. Ai thekson se, në drejtim të parandalimit të korrupsionit dhe krimit të organizuar nuk është bërë asnjë përmirësim dhe shton se priten zgjedhje me standarde. “Nëse vëmë re raport progresin e komisionit dhe do ta përktheja me fjalët e mia raportin e fundit do të thoja: Në krahasim me raportin paraardhës nuk është bërë asnjë hap përpara, e kam fjalën këtu për luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në nivele të larta. Këtu ka shumë punë për t’u bërë derisa ne të themi po jeni në rrugën e duhur. Në lidhje me reformën zgjedhore presim që zgjedhjet e 2017 të jenë me standarde, sepse zgjedhjet e mëparshme nuk iu janë përgjigjur standardeve europiane”, tha Hans-Joachim Falenski. Nga ana tjetër, ai thotë se Reforma në Drejtësi që pritet të miratohet në Shqipëri është madhështore dhe model për rajonin, por Gjermania do të presë që pas miratimit, kjo reformë të implementohet e për këtë do të duhet të ndryshojë 1/3 e Kushtetutës. Ai theksoi se implementimi është faktori kyç që Budenstagu gjerman të japë OK për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Shqipërisë në BE.  “Raportet e Komisionit Europian në të kaluarën kanë qenë të zbukuruara e të hartuara në mënyrë miqësore, ndaj ne kemi krijuar një mosbesim të shëndetshëm ndaj tyre. Tashmë duam të krijojmë një panoramë tonën, duke udhëtuar në vendet e Ballkanit. Panorama ime për situatën është kjo: Ju keni 5 prioritete për të përmbushur, por në pikëpamjen time janë 7. Të drejtat e njeriut dhe Reforma në Drejtësi, që mund të jetë model për gjithë rajonin. Votojeni përpara 21 korrikut. Vendimtarja për Budenstagun gjerman është implementimi i saj. Ju duhet të ndryshoni 40 ligje, duhen ndryshuar dhe duhen verifikuar prokurorë dhe gjykatës, kjo do kohë. Dritën jeshile do ta japim nëse e shikojmë një pjesë të madhe të reformës të implementuar”, tha Hans-Joachim Falenski.

Artikulli paraprakSkandal i Xhafës me Komisionin e Reformës
Artikulli tjetërPolemikat mes dy analistëve konsiderojnë Ramën si të keqen më të madhe por…