Me çfarë ngrohen shqiptarët?

Drutë e zjarrit dhe qymyri janë burimi kryesor i ngrohjes për familjet shqiptare. Të dhënat e fundit të disponueshme nga INSTAT të përpunuara nga SCAN tregojnë se është gati gjysma e familjeve që përdorin sobat për ngrohjen e banesave të tyre, ndërkohë që energjia elektrike renditet në vendin e dytë me 43.8% të familjeve.

Më pak e përhapur është ngrohja me gaz, të cilën e kanë zgjedhur vetëm 6.2% e njësive ekonomike familjare, teksa numri i atyre që zgjedhin naftën dhe gasoilin është thuajse i papërfillshëm.

Burimet e ngrohjes ndryshojnë sipas qarqeve dhe kryesisht janë qarqet më të varfra, ku druri përzgjidhet si alternativë ngrohjeje. Sipas INSTAT Kuksi dhe Dibra janë 2 qarqet që përdorin më së shumti këtë burim ngrohjeje, me nga 96% të familjeve.

Ndërkohë që, situata është e ndryshme në Tiranë dhe Vlorë, ku është regjistruar përqindja më e lartë e përdorimit të energjisë elektrike si burim kryesor i ngrohjes me respektivisht 68.9% dhe 59% të familjeve. Përqindjet më të larta të familjeve që përdorin gazin si burim kryesor të ngrohjes janë regjistruar në qarkun Durrës, me 12,0%.

Gjithsesi, një sërë studimesh në vendin tonë kanë vlerësuar se sfidë mbeten kostot e larta për përballimin e ngrohjes, ndërsa shumë familje rrezikojnë të bien në varfëri energjetike. Një studim me 650 familje të zonave rurale në 12 qarqe të vendit, I realizuar nga qendra EDEN tregoi se 81.5% e familjeve shqiptare e kanë të vështirë për të paguar faturat e energjisë elektrike.

Ndërsa, një tjetër studim nga Milieukontakt nxorri në pah se 59% e familjeve shqiptare heqin dorë nga ushqimet për të paguar këto fatura. Varfëria energjetike është situata në të cilën një familje nuk mundet të aksesojë shërbimet energjetike në shtëpi në një nivel të tillë që mund të përballojë nevojat e saj sociale dhe materiale. (Ola Mitre)

Artikulli paraprak“Vetëm Ismail Qemali dhe një prift ishin të paarmatosur”, përshkrimi me detaje i një gazetari anglez se si lindi Shqipëria
Artikulli tjetërDeputetët e Berishës ‘i vunë flakën’ vendit të Bashës në Kuvend, Karabina: Njerëz të vegjël!