McAllister: Zgjedhjet në rrezik

Negociatori i BE për zgjidhjen e krizës politike në Shqipëri, David McAllister njëkohësisht Zv/Presidenti i PPE shprehet i bindur se pa pjesëmarrjen e opozitës nuk mund të ketë zgjedhje. Një ditë pas ndërmjetësimit mes palëve për zgjidhjen e krizës në vend, negociatori McAllister shprehet i shqetësuar për ngërçin politik në Shqipëri, ndërsa thekson se, nëse kriza politike vijon të thellohet pa gjetur një zgjidhje, zgjedhjet e ardhshme janë në rrezik.
“Në Shqipëri, një krizë e rëndë politike rrezikon prej disa javësh mbajtjen e zgjedhjeve të planifikuara për në qershor.
Prandaj kam negociuar dje në Tiranë mes qeverisë dhe opozitës.Në disa fusha pati progres shpresëdhënës.Por në çështjet thelbësore që lidhen me datën e zgjedhjeve dhe formimin e mundshëm të një qeverie teknike kalimtare, nuk pati konsensus.
Tani është koha për të kapërcyer bllokadën politike”, shprehet McAllister.
Ajo çfarë bie në sy në deklaratën e negociatorit McAllister është se ajo ëhstë krejt e ndryshme nga qëndrimi që mbajti një natë më parë zyra e BE në Tiranë. Sipas kësaj zyre të drejtuar nga ambasadorja e famshme, Romana, Mazhoranca bëri lëshime në qëndrimet e saj, ndërsa opozita qëndroi e pandryshuar në kërkesat. McAllister e injoron penalizimin që tentohet ti bëhet opozitës me synimin për të ndihmuar dialogun dhe deklaron se vetëm “se nuk pati konsensus”.
Duke iu referuar takimeve intensive të zhvilluara në Tiranë me krerët e partive politike, McAllister thekson se pika kryesore e bisedimeve, e cila i jep dhe zgjidhje krizës, krijimi i një qeverie teknike, kërkesë kjo e pandryshueshme e Partisë Demokratike nuk gjeti konsensus. Kjo, pasi Rama po vijon të refuzojë në mënyrë kategorike largimin e tij nga posti kryeministror për t’i hapur rrugë zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.
Zv/Presidenti i PPE, David McAllister, së bashku me raporterin për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckestein mbërritën të martën në Tiranë për t’u takuar me kryetarët e partive kryesore politike në vend, në përpjekje për gjetjen e rrugës së kapërcimit të krizës.
Megjithë përpjekjet e ndërmjetësuesve për të zgjidhur krizën politike në vend, Rama vijon të mbetet bllokuesi kryesor i dialogut. Pas takimeve me negociatorët, PD u shpreh se kërkesa e saj për mandatimin e një qeverie teknike që do të garantojë zgjedhje të lira dhe të ndershme është e pandryshueshme.
Për Partinë Demokratike rruga e vetme e daljes nga kriza është krijimi i qeverisë teknike, me mbështetje të gjerë politike, që do të punojë për të realizuar kushtet për zgjedhje të lira e të ndershme.
Prej 68 ditësh, opozita dhe mijëra shqiptarë vijojnë qëndresën në sheshin e lirisë në betejën për kauzën e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Artikulli paraprakSondazhi, shqiptarët rekord në rajon për mosbesim tek qeveria
Artikulli tjetërFushëbeteja dhe fitorja e parë vjen nga Kavaja