Fushëbeteja dhe fitorja e parë vjen nga Kavaja

“Javën e ardhshme, nis bashkimi i armatave paqësore të Republikës së re, nga jugu në veri, nga lindja në perëndim. Fushëbeteja jonë e parë dhe fitorja e parë e popullit të bashkuar kundër zgjedhjeve fasadë, është Kavaja e lirisë dhe demokracisë. Protestues të lirisë, maratonomakë të Republikës së re, qytetare dhe qytetarë, të reja dhe të rinj, le të bashkohemi me marshimin e javës që vjen. Qytet më qytet, qark më qark, këtu në Tiranë dhe në Kavajë për t’i treguar Shqipërisë dhe mbarë botës, se ky vend ka zot qytetarët e tij, jo krimin, jo drogën, jo oligarkinë dhe as qeverinë e kapur nga krimi. Të gjithë bashkë në një bashkim edhe më të madh se i 18 shkurtit, do të përballemi dhe do të fitojmë betejën tonë, për Kavajën pa krim, pa drogë, për Shqipërinë pa krim, pa drogë. Beteja jonë do të shkojë totalisht dhe e pathyeshme, deri në fitoren e kauzës së drejtë popullore”. Kryetari i opozitës Basha ka paralajmëruar dje përshkallëzimin e lëvizjes popullore gjatë javës së ardhshme, ndërsa i ka bërë thirrje mazhorancës se ka ende kohë për ta zgjidhur krizën me dialog. Basha tha se koha po shkon drejt mbarimit, por ai shtoi se është më mirë vonë se kurrë. Ai deklaroi prerë se zgjedhje pa opozitën nuk do të ketë.
“Koha për ta zgjidhur këtë me dialog po shkon drejt mbarimit. Më mirë vonë se kurrë. Çdo minutë reflektim është i mirëpritur, por le ta bëjmë fare të qartë sot, se duke nisur nga sot, kjo lëvizje e madhe popullore, po bëhet gati të shtrihet e të çlirojë sheshet dhe rrugët e Republikës së vjetër përmes një aksioni të përshkallëzuar politik, përmes akteve të mosbindjes civile, të cilat do të shpalosen njëri pas tjetrit. Votime pa opozitën nuk do të ketë. Zgjedhje të diktuara nga krimi nuk do të ketë”, tha Basha.

Kauza e zgjedhjeve nuk braktiset me pazare

Basha ka deklaruar qëndrimin e prerë të mbajtur në negociata me mazhorancën për të mos braktisur kauzën e zgjedhjeve të lira përmes pazareve për ministra apo garnitura të tjera të pushtetit që nuk zgjidhin problemin e zgjedhjeve. “Rama e bëri të qartë se është gati të dorëzojë ministrat e tij, se është gati të dorëzojë kreun e KQZ-së, se është gati të dorëzojë zyrtarët e policisë e kudo tjetër, por nuk është gati të dorëzojë karrigen e tij.
Merri, çfarë problemi ka, merri ministrat, merr këtë, merr atë, sepse kështu funksionojnë këta, merr, merr, jep e merr, merr e jap, jap e merr, kështu e kanë mendjen, kështu funksionon pazari i peshkut të qelbur nga koka dhe tani duan të fusin edhe Partinë Demokratike dhe Lulzim Bashën në këtë pazar.
Që ta braktisim këtë kauzë popullore, që të bëjmë pazarin tonë me Edi Ramën, që të bëjmë pazarin tonë politik për interesat tona politike dhe vetjake dhe të braktisim ëndrrën e shqiptarëve për një Republikë të re, ku zotër të jenë qytetarët.
Kjo është ëndrra e një nate vere e Edi Ramës dhe Ilir Metës, që nuk do të bëhet kurrë realitet”, tha Basha.
Kryetari i opozitës deklaroi se, opozita nuk kërkon pushtet në tavolinë dhe se nuk kërkon as poste ministrash dhe as postin e Presidentit të vendit. Ajo kërkon që të respektohet vullneti i shqiptarëve për të votuar të lirë.
“Partia Demokratike, unë dhe aleatët tanë, jemi të vendosur të qëndrojmë fuqimisht dhe vendosmërisht, krah për krah qytetarëve të thjeshtë të këtij vendi, krah për krah protestuesve të lirisë dhe qindra mijëra shqiptarëve të tjerë, deri në realizimin e plotë dhe total të kërkesave që populli ka shtruar për zgjidhje.
Ne nuk duam pushtet në tavolinë, nuk kemi kërkuar dhe as nuk do të pranojmë pushtet në tavolinë.
As poste ministrash, as post Presidenti, asnjë post për të bërë kompromis të ndyrë në kurriz të zgjedhjeve të lira e të ndershme, që janë vendimi i këtij bashkimi popullor.
Nuk kemi kërkuar pushtet në tavolinë”.

Pika e kompromisit të Bashës

Kryetari i opozitës ka treguar dje edhe një pikë tolerance nga ana e opozitës për zgjidhjen e krizës politike duke pranuar që kandidati për Kryeministër i qeverisë teknike të vijë nga mazhoranca dhe të ketë edhe mirëkuptimin e opozitës. Kjo është një tjetër hap drejt zgjidhjes me kompromis të krizës për të cilin kontribuon opozita.
“Kemi kërkuar qeveri teknike, me kryeministër teknik, me ministra teknikë, të cilët gëzojnë besimin e gjithë palëve në politikë. Nuk kemi qenë përjashtues, përkundrazi, ju kemi thënë që propozimet për emrin e kryeministrit teknik le të vijnë nga partia më e madhe e shumicës, sigurisht me miratimin e opozitës siç është tradita e qeverisë teknike. Por Edi Rama refuzon të ndahet nga karrigia e tij. Edi Rama thotë se për katër javë do të bëjë dekriminalizimin që nuk e bëri për katër vjet. Edi Rama thotë se për katër javë do të luftojë drogën që e mbolli, e bekoi dhe e korri për katër vjet.
Mos harroni! Mos harroni! Katër vjet, nuk tha asnjë fjalë kundër drogës. E inkurajoi atë drejtpërdrejt dhe në mënyra të tërthorta. E mbrojti dhe e mbron atë. Katër vjet, luftoi orë e minutë për të mbrojtur kriminelët, që solli në karriget e pushtetit. Orë e minutë dhe tani që është ligji për dekriminalizimin, pengesa e vetme për ta zbatuar, është Edi Rama. Ky njeri që nuk e pa, nuk e njohu, nuk e luftoi drogën, ky njeri që i solli kriminelët në Partinë Socialiste dhe në krye të institucioneve, ky pra na premtonka që për katër javë do ta zgjidhë problemin nëse Partia Socialiste, Partia Demokratike bien dakord të zëvendësojnë disa ministra”, tha Basha.

Me qeveri teknike nuk kalon koncesionin 100 milionë euro

Pse Rama nuk e pranon krijimin e qeverisë teknike? Basha i është përgjigjur duke marrë një shembull të thjeshtë. “Sepse nuk do të lejonte kjo qeveri kalimin e një koncesioni 100 milionë euro për klientelën e Ramës. Ky është një propozim qesharak. Po të mos ishim në këto kushte të rënda të vendit, na takon të qeshim me aq forcë sa do të mbanim barkun me dorë nga dhembjet, por nuk është koha për të qeshur.
Është koha për të thënë se, Edi Rama nuk largohet nga karrigia dhe nuk pranon një qeveri teknike, sepse me qeveri teknike nuk kalon koncesionin 100 milionë euro për laboratorët, që i jepet mikut të Vilma Nushit, e cila i ka marrë tashmë 100 milionë të tjera për check up-in.
Me qeveri teknike bie torta e pazarit me oligarkët.
Po të ketë qeveri teknike, skafi me tre motorë të fuqishëm të Habilajve që ka tash 4 ditë në llucin e Ishmit dhe për të cilin hesht Edi Rama, hesht Fatmir Xhafaj dhe asnjë media akoma nuk ka gjetur kurajon të shkojë ta filmojë, do të ishte sekuestruar dhe të zotët do të ishin para drejtësisë.
Me qeveri teknike, do të ishte e pamundur që policëve shqiptarë, mësuesve shqiptarë, mjekëve dhe infermierëve shqiptarë, prindërve shqiptarë, t’u bëjë presion për të regjistruar identitetin e tyre dhe të dhënat e tyre personale, për të marrë dhe fotokopjuar kartat e identitetit në funksion të një shteti-parti dhe një partie-shtet, që bëhet gati të shkojë në votime pa opozitën.
Prandaj nuk e do qeverinë teknike, se me qeverinë teknike marrin fund skemat e koncesioneve korruptive dhe bie shtylla e fuqisë së krimit të organizuar që është vetë pushteti kryeministror i Edi Ramës.
Dhe për të njëjtat arsye, kemi thënë dhe do ta themi derisa ta bëjmë realitet, se zgjedhje pa qeveri teknike dhe pa largimin e Edi Ramës nuk ka e nuk do të ketë. Nuk ka e nuk do të ketë votime monopartiake, me Partinë Socialiste dhe bishtat e Partisë Socialiste sido që të quhen sot, nuk ka e nuk do të ketë votime monopartiake”, tha Basha.

Rrënim ekonomik për shumicën dhe luks për pakicën

“Me dhjetëra herë qytetarët dhe qytetaret e Qarkut të Lezhës, nga Bashkia e Lezhës, nga Bashkia e Kurbinit, nga Bashkia e Mirditës, e kanë nderuar dhe stolisur këtë shesh të lirisë duke nisur nga balli i protestës së 18 shkurtit.
Askush nuk e harron, të gjithë e dimë, të gjithë jemi mirënjohës.
Dje e kishte fjalën Qarku i Fierit, sot Qarku i Lezhës. Një numër i madh problemesh dhe hallesh të shqiptarëve janë njësoj. I thanë dje fierakët, lushnjarët, sot i thonë lezhjanët, mirditasit, kurbinasit. Këto janë probleme jetike, të përditshme që kanë të bëjnë me luftën dhe përpjekjen e përditshme për mbijetesë të familjeve shqiptare, teksa shteti kriminal i Edi Ramës i ka privuar dy në tri raste, edhe ndihmën ekonomike, e cila është në nivele të mjerueshme, totalisht të pamjaftueshme për të paguar edhe faturat e energjisë e jo më për të mbajtur fëmijët me bukë.
Kush është në marrëdhënie pune, është nën presionin e përditshëm të pasigurisë; edhe sa do ta ketë atë vend pune; është nën presionin e përditshëm të çmimeve që rriten, fuqisë blerëse që bie, faturave dhe taksave që mbijnë si kërpudhat pas shiut për të rënduar edhe më shumë gjendjen ekonomike dhe gjendjen psikologjike të prindërve dhe fëmijëve që shohin fenomenin më të dhembshëm në familje, mungesën e shpresës dhe mundësive të prindërve për t’iu ardhur në ndihmë.
Unë e kam parë dhe prekur këtë realitet anembanë Lezhës, Mirditës dhe Kurbinit, në shtëpitë e banorëve të qyteteve dhe në shtëpitë e fermerëve të zonës. E kam parë dhe e kam prekur mjerimin e tyre, dëshpërimin e tyre, por edhe revoltën e tyre të dhembshme. Për tri vite me radhë, ne, jemi përpjekur të jemi zëri juaj dhe avokatët e çdo shqiptari dhe shqiptareje të ndershëm, pavarësisht prej bindjeve politike, të cilët njësoj përjetuan dhe përjetojnë përkeqësimin e gjendjes së tyre ekonomike.
Edi Rama dhe rilindja e kriminalizuar e kanë shkatërruar ekonominë shqiptare, me taksa të larta; me çmimin e karburantit dhe energjisë, në qiell, i ka vënë kazmën çdo sipërmarrjeje të vogël, të mesme, të madhe, prodhuese, shërbimesh, fermere, eksportuese.
Biznesi shqiptar sot është jo konkurrues edhe me biznesin e Kosovës dhe të Maqedonisë. Vendet e punës mbyllen me një shpejtësi tragjike, investime të reja nuk ka, fuqia blerëse e shqiptarit është më e ulëta në Ballkan dhe krahasohet me vendet e Afrikës Ekuatoriale.
Karshi këtij realiteti që ju e njihni fare mirë sepse e keni në shpinën tuaj, në lëkurën tuaj, në tavolinat tuaja, në xhepat tuaja, në mënyrë të përditshme, karshi këtij realiteti, kemi një luks të shfrenuar shpenzimesh të degjeneruara të një grushti pushtetarësh të korruptuar, të një grushti hajdutësh me pushtet të lidhur me ca hajdutë të tjerë që i ndihmojnë të vjedhin taksat e shqiptarëve, oligarkëve të koncesioneve dhe të koracuar nga një grusht banditësh, kriminelësh, përdhunuesish, trafikantësh, që Edi Rama, i solli në Partinë Socialiste dhe sot i ka bërë deputetë, kryetarë bashkish dhe drejtorë të institucioneve më të rëndësishme në vend.
Kjo është gjendja e vendit. Ky është realiteti 4-vjeçar i rilindjes së krimit dhe krimit të rilindur”.

3 mijë lekë pensioni, deri 900 euro palmat

Basha ka denoncuar dje një rast të dhunshëm të një qytetareje, e cila iu bashkua protestës në çadrën e lirisë. E mbetur e papunë dhe me bashkëshortin që kishte ndërruar jetë, ajo përjetonte një dramë ekonomike në familje. Ajo merrte si ndihmë nga shteti një pension prej 3 mijë lekësh në muaj. A janë të mjaftueshme 3 mijë lekë për të kaluar 30 ditë të muajit kur edhe fatura e dritave vjen më e lartë se kjo ndihmë që asaj i jep shteti? Po a është dinjitoze kjo pagesë që jep shteti, ndërkohë që kjo qeveri paguan deri në 900 euro për një palmë?
“Sapo bëra një bisedë me zonjën këtu dhe më tha që pensioni që përfiton nga bashkëshorti që ka ndërruar jetë është 3 mijë lekë të reja në muaj dhe këtë e përfiton vetëm në emër të fëmijës që ka. Çfarë të bësh me 30 mijë lekë të vjetra? Çfarë të bësh me këtë shumë? Çfarë të bësh me këtë shumë?
Fatura e energjisë minimalisht vjen në nivelin 20 mijë lekë, shpeshherë 30 mijë lekë dhe më lart.
Ndihma ekonomike për njerëzit në nevojë është një tallje, një poshtërim. Është një shuplakë në fytyrën e më të pamundurve, atyre që nuk ia dalin dot të ngrenë kokën.
Si ka mundësi, që shteti shqiptar, i cili sot ka taksa më të larta se para katër vitesh, që mbledh më shumë para nga faturat e energjisë se sa para katër vitesh, që mbledh më shumë para nga faturat e ujit, se para katër vitesh, që ka shtuar më shumë taksa në nivel qendror dhe bashki të administruara nga socialistët në nivel lokal, ky shtet pra, nuk arrin dot të paguajë një ndihmë ekonomike dinjitoze, të paktën të sigurojë mbijetesën e familjeve në nevojë?
Ka hequr nga skema e ndihmës ekonomike, plot 40 mijë familje, të cilat janë flakur në mëshirën e fatit dhe një pjesë e tyre janë detyruar të largohen në emigracion.
Kjo ndodh, kur e blen palmën e autostradës nga 600 deri në 900 euro, e sigurisht që nuk të bëhet vonë për njerëzit që nuk kanë para për të blerë ushqimin e ditës.
Kur e blen shishen e verës sa pensionet e 10 pensionistëve dhe e pi me banditët në dreka dhe darka, populli nuk është më ndjenjë, por është statistikë, është përçmim, është zero.
Ky është realiteti kriminal, i një kaste që ka humbur çdo lidhje me realitetin në të cilin jetojnë shqiptarët, ka humbur çdo lidhje me popullin e vet, ka humbur çdo ndenjë dhembshurie dhe përgjegjshmërie, në raport, me popullin e vet.
Kjo gjendje nuk është e paracaktuar as nga burimet e Shqipërisë, as nga Zoti. Është zgjedhja e Edi Ramës që ta blejë palmën 600 euro dhe t’i lërë shqiptarët në ndihmë ekonomike, në kufijtë e ekzistencës”, tha Basha.

Prej 68 ditësh diçka e madhe ka ndryshuar

Lëvizja popullore ka sjellë mesazhin e ndryshimit. Ajo ka ngjallur shpresën tek qytetarët se Republika e re po vjen me një projekt që i jep asaj pushtetin duke ja hequr nga duart një kaste të vogël të klientelës së pushtetit. “Shqiptarët, që e kanë përjetuar këtë realitet e që janë revoltuar dhe ngritur herë veç e veç e herë në grupe të vogla, që kanë protestuar në mënyrat e tyre, shpeshherë deri në dhembje, deri në vetëflijim, tashmë janë bashkuar dhe të bashkuar do të qëndrojmë deri në fitoren e kauzës tonë të drejtë.
Kauza e shqiptarëve është që burimet e tyre natyrore, taksat e tyre t’i shërbejnë një populli të tërë dhe të mos jenë në shërbim të një klike, të një duzine të korruptuarish dhe të inkriminuarish, të cilët, përfitojnë tash 4 vjet në kurriz të djersës, sakrificës dhe jetës së gjithë popullit shqiptar.
Kjo kauzë është një kauzë e drejtë tek Zoti, është kauza e rikthimit të shpresës që çdokush, përmes lirisë, do të ketë mundësi të bëjë më të mirën për veten e tij dhe për familjen e tij. Sot, kjo mundësi është asgjësuar. Është asgjësuar, sepse ekonominë e kanë marrë peng oligarkët me Edi Ramën. Është asgjësuar sepse buxhetin e kontrollojnë pushtetarët e korruptuar me në krye Edi Ramën. Është asgjësuar, sepse siguria në fshtatrat, qytetet, rrugët tona, është zeruar, sepse rendin publik e ka në dorë krimi i organizuar dhe narkotrafikantët me komandant Edi Ramën”, tha Basha.

600 milionë euro për fasada

Basha ka bërë publik shpërdorimin e taksave të qytetarëve për kozmetikën e pushtetit dhe fasadat. Janë plot 600 milionë euro që Rama i ka alokuar për shtrimin me pllaka të qendrave të qyteteve apo për lyerjen me bojë të fasadave, ndërkohë që Shqipëria sipas Bankës Botërore është sot një nga vendet më të varfëra në Europë, ku afro gjysma e popullsisë jeton në kufijtë e varfërisë.
“Është zgjedhja e Edi Ramës që t’i investojë për buzëkuqin e rilindjes urbane, për 600 milionë euro sheshe dhe fasada, ndërkohë që, pjesa tjetër e qyteteve dhe fshatrave kridhet në mjerim.
600 milionë euro për një infrastrukturë që shkatërrohet, për investimet e rilindjes që dalin skarco dhe prishen me shiun e parë.
Është zgjedhja e Edi Ramës që të harxhojë vetëm në katër muajt e parë të këtij viti 380 milionë euro para të shqiptarëve, për shpenzimet administrative, pra për makinat, për zyrat, për dietat, për biletat e avionit, për luksin qeveritar.
Këto janë vendime të vetëdijshme të Edi Ramës. Që paratë që u mblidhen me haraç dhe kërbaç shqiptarëve, mos t’ua kthejë as në investime të vërteta që ndihmojnë ekonominë dhe hapin vende pune, as në rritje pensionesh, rrogash apo ndihme ekonomike dhe as në ulje taksash për biznesin që hap vende pune apo rrit rrogat.
Kjo zgjedhje e Edi Ramës ka në themel mungesën e përgjegjshmërisë para qytetarëve. Mungesa e përgjegjshmërisë para qytetarëve, ka në themel aleancën e Edi Ramës me krimin e organizuar dhe me narkotrafikun, sepse plani i tij ka qenë dhe mbetet që në zgjedhjet e ardhshme të mos lejojë qytetarët të shprehen me votë të lirë, por t’i grabisë, siç e tha një ndër diplomatët kryesorë në Tiranë, t’i grabisë me paratë e korrupsionit dhe paratë e drogës dhe bandat e drogës që sot kanë kontrollin e plotë të territorit dhe të kufijve”, tha Basha.
Basha kërkon ndryshim të thellë të qeverisjes dhe të adresimit të fondeve publike me ardhjen në pushtet të Republikës së re.
“Mirëqenia e shqiptarëve nuk do të ndryshojë, mjerimi i shqiptarëve do të rritet, paratë e shqiptarëve do të vidhen, nëse kjo betejë nuk kurorëzohet me fitore totale dhe të plotë me shpartallimin dhe çmontimin e organizatës kriminale brenda shtetit shqiptar, me shpartallimin dhe çmontimin e kartelit të drogës, brenda shtetit shqiptar dhe me organizimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme, përfshirë votimin elektronik përmes një qeverie teknike me mbështetje të gjerë politike, që është e vetmja rrugë dhe rruga e ndershme për t’i dhënë fund kësaj krize politike.
Shqipëria i ka resurset për t’iu përgjigjur problemeve të mëdha dhe të jashtëzakonshme në çdo fushë.
Në projektin tonë, që së bashku do ta vemë në jetë, në realitetin kushtetues dhe ligjor konkret të Republikës së re, që është projekti juaj dhe e vërteta që po afrohet çdo ditë, qeveria dhe kryeministri kurrë nuk do të harxhojnë 900 euro për një palmë, kur qytetarët shqiptarë vuajnë për bukën e gojës.
Nuk do të harxhojë kurrë 600 milionë euro për pllaka, tualet dhe buzëkuq, kur infrastruktura kombëtare shkon drejt rrënimit, kur fermerët nuk kanë ujë për arat e tyre, nuk kanë rrugë aksesi, nuk kanë tregje.
Dhe kur e blejnë naftën sa frëngu pulën apo sa kryeministri për ‘Benzin’ e tij, siç na thoshte para katër vitesh, por sot e ka bërë edhe më të shtrenjtë me politikat e tij mizore ndaj fermerëve”, tha Basha.

Anulim i të gjitha koncesioneve korruptive

Basha deklaroi dje anulimin e të gjitha koncesioneve abuzime të qeverisë Rama dhe çmontim të plotë të oligarkisë.
“Ne do të nisim me çmontimin e oligarkisë të koncesioneve, duke anuluar çdo koncesion korruptiv, nga i pari tek i fundit.
Do të çlirojmë qindra milionë euro të taksave të shqiptarëve, me të cilat do t’i përgjigjemi sektorëve më emergjentë që ditën e parë.
Ndihma ekonomike e familjeve në nevojë do të dyfishohet brenda vitit të parë të qeverisjes së Republikës së re.
Për çdo fëmijë shqiptar në familjet në nevojë ekonomike, në kuadër të planit tonë për orarin 8 me 4 të shkollave fillore dhe të shkollave të mesme, do të ketë një drekë të paguar. Çdo bir e bijë shqiptari, do të marrë një subvencion prej 30 mijë lekë të vjetra në muaj, si pjesë e paketës tonë për arsim dinjitoz, për shëndetin e fëmjëve shqiptarë.
Këto para, këto lekë, i ndan sot Edi Rama me oligarkët dhe hajdutët e tij.
Me Republikën e re, këto lekë do të vijnë tek ju, do të vijnë tek fëmijët tuaj. Që të ndodhë kjo, këto lekë duhet t’ia marrim oligarkisë dhe t’ia kthejmë qytetarëve. Ky është një proces institucional që mund të ndodhë vetëm përmes zgjedhjeve të lira dhe të ndershme”, tha Basha.

Largim i oligarkëve nga zyrat e shtetit

Një tjetër vendim i qeverisë së Republikës së re do të jetë largimi i oligarkëve nga zyrat e pushtetit dhe kthimi i parave në formën e investimeve dhe rritjes së pagave dhe pensioneve tek qytetarët.
“Kur them që do t’ia marrim, nuk them se do të sulemi në zyrat e shtetit, por do të largojmë nga zyrat e shtetit, oligarkët, klientët e pushtetit duke larguar pushtetarët e korruptuar, që nuk e shohin mjerimin e qytetarit të thjeshtë, që nuk e shohin vuajtjen tuaj, që nuk e dëgjojnë ankesën tuaj, nuk e ndjejnë dhembjen tuaj, se ju zënë sytë zhaget e oligarkëve dhe të korruptuarve, me të cilët vjedhin ditë për ditë buxhetin e shtetit, të ardhurat tuaja.
Kështu pra, kalon rruga për t’i kthyer paratë e shqiptarëve tek shqiptarët, për t’ia hequr derrave të majmur të korrupsionit dhe për t’ia kthyer fëmijëve shqiptarë, pensionistëve shqiptarë, studentëve shqiptarë, sipërmarrësve shqiptarë, fermerëve shqiptarë, artit dhe kulturës shqiptare, arsimit shqiptar dhe shëndetësisë shqiptare.
Në këtë projekt, guri i parë janë zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Vetëm kur qytetarët të kenë mundësi të zgjedhin me votën e tyre, mund dhe do të fillojë zbatimi i projektit të Republikës së re”, tha Basha.

Për propozimin e Benit

“Dëgjuam një propozim nga Beni, i cili në mëngjes thoshte të bëjmë një mocion kundër Ramës për të rrëzuar Ramën në Parlament. E keni dëgjuar besoj apo jo?! Duke marrë të mirëqenë se do ta ketë të njëjtin mendim deri në darkë, siç e ka edhe në mëngjes, se e ka këtë problem, që ndryshon, dua t’i shpjegoj me dashamirësi çdo qytetari se përse kjo nuk funksionon.
Ne kërkojmë një zgjidhje gjithpërfshirëse.
Ne nuk duam përjashtimin e Partisë Socialiste nga qeveria teknike, e kemi thënë prej fillimit se duhet të ketë mbështetje të gjerë politike, si fondamenti i një procesi elektoral me premisa barazie, i paqes dhe bashkëjetesës demokratike. Duam pra, një zgjidhje gjithpërfshirëse dhe jo përjashtuese. Ne nuk duam që përmes një procesi, t’i pararendim gjykimit të qytetarëve me votë. Duam që qytetarët të gjykojnë dhe të votojnë të lirë dhe të pakërcënuar.
Se ftesa jonë i është drejtuar çdo formacioni të madh politik në vend për t’i dhënë Shqipërisë një qeveri teknike me mbështetje të gjerë politike me mandatin e paracaktuar”.

Artikulli paraprakMcAllister: Zgjedhjet në rrezik
Artikulli tjetërEmigrantët e kthyer, të gjithë në kërkim të një pune