Mbyllet pastiçeria në Dibër, helmohen 100 persona

Uji i pijshëm dhe ëmbëlsirat janë dy pistat ku po hetohet mbi shkaqet e helmimit masiv të banorëve të Dibrës, ku rreth 100 persona janë paraqitur për ndihmë në urgjencë gjatë ditëve të fundit. Instituti i Shëndetit Publik bën me dije se ka urdhëruar mbylljen e përkohshme të pastiçerisë së qytetit, si masë sigurie deri në përcaktimin e saktë të shkaqeve. Nga ana e policisë është ngritur grupi i hetimit në bashkëpunim dhe me spitalin për zbardhjen e ngjarjes.
Ndërkohë drejt Peshkopisë është nisur zëvendësministrja e Shëndetësisë. Prej të hënës së kësaj jave, rreth 100 persona janë paraqitur në urgjencën e Spitalit të Peshkopisë me simpoma helmimi. Rreth 100 persona, të rritur e fëmijë i janë drejtuar urgjencës së Spitalit në Peshkopi me simptomat e helmimit. Situata konfirmohet nga drejtori i Spitalit të Peshkopisë Beqir Bici në një intervistë për mediat.
Ai thotë se kjo situatë ka vijuar nga e hëna dhe një pjesë e pacientëve pasi kanë marrë ndihmën mjekësore janë larguar. 22 të helmuar janë fëmijë të moshës nën 16 vjeç. “Nga dita e hënë kanë filluar ardhjet në spital dhe numri i tyre ka ardhur duke u shtuar. Janë paraqitur afërsisht 95 të sëmurë, nga këto 30 janë të rritur dhe 15 janë fëmijë. Janë dhe 50 raste ambulantore, mes tyre 22 fëmijë”. Drejtori i spitalit thotë se aktualisht janë të shtruar 35 persona dhe se është njoftuar policia lidhur me ngjarjen.
Situata e helmimit bëhet enigmatike pasi një numër i madh personash nga lagje të ndryshme të qytetit e periferisë kanë paraqitur simptomat e helmimit për tre ditë rresht. Mësohet se një pjesë e fëmijëve janë nxënës të klasës së 6-të të shkollës “Selim Alliu”, të cilët u helmuan teksa ishin në një ditëlindje. Drejtori i spitalit thotë se duhen pritur analizat për të përcaktuar qartë se kush janë shkaqet. Por konfirmon se bëhet fjalë për raste helmimesh. “Kanë ardhur me bark, të vjella, temperaturë. Shkaqet e helmimit mund të jenë të shumta. Mund të jetë ushqimi, uji. Kemi njoftuar policinë. Kemi dërguar për të bërë analizat dhe rezultatin”. Aktualisht situata është nën kontroll, ndërsa policia ka nisur hetimet për shkaqet.

Artikulli paraprakMësuesit humbasin një pjesë të kompensimit për distancë
Artikulli tjetërYjet që nuk e prekën trofeun