Mbyllen 150 shkolla, 7 mijë nxënës në rrugë, ku po shkon ky vend?

Rreth 7 mijë fëmijë anembanë vendit nuk janë ulur sot në bankat e shkollës, në ditën e parë të vitit të ri shkollor.
Grupimi i organizatave “Koalicioni për Arsimin në Shqipëri”(ACE) raportoi sot se mungesa e investimeve publike në arsim dhe shpenzimet e pakta të Qeverisë për arsimin ka bërë që dhjetëra shkolla të mos hapen sot për të nisur vitin e ri shkollor.
“Ndonëse Qeveria Shqiptare prej tashmë 6 vjetësh premton rritjen e buxhetit për arsimin deri në 5 përqind të GDP-së, në të vërtetë buxheti i shtetit për arsimin zë vetëm 3 përqind. Kjo mungesë e investimeve për arsimimin e fëmijëve dhe të të rinjve, e rendit Shqipërinë ndër vendet e fundit në Europë për rezultatet dhe arritjet e nxënësve, krahasuar me vendet e OECD,” shkruhet më tej në raportin e ACE.
Bazuar në vrojtimin e ACE-së në institucionet arsimore, ka rezultuar se një pjesë e madhe e tyre nuk ofrojnë shërbimet e domosdoshme për fëmijët. Thuajse 50 përqind e shkollave në vend, sipas Organizatës Botërore të Shëndetit, nuk kanë ujë të pijshëm dhe rreth 70 përqind e këtyre institucioneve arsimore nuk kanë kushte higjene të përshtatshme për arsimimin e fëmijëve.
Mbylljen e shkollave e ka denoncuar sot dhe kryetarja e Komisionit të Arsimit Albana Vokshi. Në një deklaratë për shtyp, zonja Vokshi u shpreh:
“Janë më mijëra fëmijë, në të gjithë vendin që ose nuk kanë pasur mundësi të shkojnë në shkollë pasi shkollat e tyre janë mbyllur ose janë detyruar që të udhëtojnë me kilometra të tëra, edhe në këmbë për të shkuar në shkollën më të afërt.
Janë rreth 150 shkolla të mbyllura në të gjitha qarqet e vendit […] në shkelje të ligjit pasi Ministrja e Arsimit ka shkelur nenin 41 të ligjit, të ligjit “Për arsimin Parauniversitar”, i cili parashikon se shkolla mund të mbyllet vetëm pas një konsultimi me komunitetin.”
Gjithashtu Zonja Vokshi u shpreh se Ministria e Arsimit nuk ka pranua të bëjë publike arsyet e mbylljes së shkollave.

Artikulli paraprakDeputeti i Vlorës, Shehaj proteston në Kukës kundër taksës: Vendi i rrezikuar nga aleanca-krim-qeveri-oligarki-media
Artikulli tjetërPërplasje me armë në Laç, 4 të plagosur rëndë