Mbrohet Eskobari, vetëvritet në qeli i riu për 3 gr hashash

Partia Demokratike ka reaguar dje për ngjarjen e rëndë që ndodhi në burgun e Rrogozhinës ku 22-vjeçari Estref Halili, u vetëvar në qeli, duke bërë thirrje Prokurorisë të hetojë me urgjencë dhe seriozitet të gjithë procedurat që janë ndjekur nga policia dhe autoritetet e burgjeve. PD kërkon të hetohen e të nxirren para ligjit përgjegjësit.
Sekretarja e Marrëdhënieve me Publikun, Grida Duma, në një deklaratë për median tha se, me Edi Ramën, 22-vjeçari me 3 gram hashash çohet drejt vdekjes, ndërsa eskobari Klement Balili bredh i lirë. “Me Edi Ramën, Klement Balili që e kërkon gjysma e policive të Europës, e cilësohet nga CNN si, Eskobari i Ballkanit, trafikanti më i madh i drogës në rajon, gëzon mbrojtje, liri, pushtet, madje dhe zyrë të lartë drejtuese në shtet, dhe asgjë nuk e gjen atë, edhe pse duhej arrestuar prej majit të vitit 2016. Me Edi Ramën, një i ri 22-vjeçar, Estref Halili, i arrestuar nga policia sipas familjarëve të tij me 3 gram hashash, trajtohet pa mëshirë, dhe shtyhet drejt vetëvrasjes në qeli. Këto janë dy standardet e Edi Ramës”, u shpreh Duma.
Duma tha më tej se, në shërbim të trafikantëve, të krimit të organizuar, të bandave që kontrollojnë drogën në rajon, dhe i dhunshëm me të pamundurin, me të vobektin që është kapur me 3 gram hashash. “Kjo është padrejtësia që ka mbjellë ai, në këtë vend, që po trondit sot shoqërinë, që po vret shpresën. Ne e dimë se frymëzuesi e kësaj klime është Edi Rama, por ata që kanë direkt dorë në vdekjen e 22-vjeçarit, duhet të dalin para drejtësisë.
Partia Demokratike i bën thirrje Prokurorisë të hetojë me urgjencë dhe seriozitet të gjithë procedurat që janë ndjekur nga policia dhe autoritetet e burgjeve në rastin e 22-vjeçarit Estref Halili. Të hetojë e të nxjerrë para ligjit përgjegjësit”, përfundoi Duma.

22-vjeçari ishte nën shënjestrën e policisë

22-vjeçari Estref Halili u vetëvarë mbrëmjen e të mërkurës në banjon e burgut të Rrogozhinës. I riu e ka ndërmarrë këtë akt fatal, pasi e konsideronte padrejtësi burgosjen e tij vetëm për 3 gram hashash në një kohë që lihen të lirë trafikantë droge që kanë mbështetje nga qeveria. Familjarët thanë se, Estrefi ka shfaqur zemërimin pse ishte arrestuar përsëri për konsum të lëndëve narkotike.
22-vjeçari Halili u gjet nga shokët e tij i varur në banjon e qelisë dhe u dërgua menjëherë në spital, por nuk arriti të mbijetonte. Estrefi ishte arrestuar nga policia në 22 dhjetor të 2016, sepse në makinën e tij u gjet një dozë shumë e vogël kanabisi dhe një thikë.
“Nuk e ka mbushur vitin që doli nga burgu. U kap me 3 gr kanabis që po e pinin shokët. Mori përsipër veprën penale dhe e dënuan me tre vite. U lirua në shkurt, por e kapën sërish me një cigare hashash. U arrestua sërish në datë 22 dhjetor dhe në 27 e dërguan në Rrogozhinë. Para 4 ditësh e takoi i vëllai, por tha se ai qëndronte i heshtur”, rrëfen babai i 22-vjeçarit. Sipas familjarëve dhe shokëve të viktimës, shpesh herë Estrefi ishte nën shënjestrën e policisë. Atij i bëheshin kontrolle të shumta sa herë ndeshej në rrugë nga policia. Halili u gjet i vetëvarur me litarin e tutave të sportit që i mbante veshur në banjon e dhomës së burgut në Rrogozhinë mbrëmjen e së martës nga shokët e tij.

Dhimbje e revoltë në Kolonjë të Lushnjës

Në Kolonjë të Lushnjës, dhimbja dhe revolta është e madhe për familjen Halili. Prindërit e 22-vjeçarit Estref Halili, i cili ndërroi jetë pasi u vetëvar në qelinë e burgut Rrogozhinë, thonë se në burg duhet të ishin persona që transportojnë drogë me kamionë dhe jo djali i tyre që u kap me një cigare hashash.
Familja Halili jetonte në kushte të vështira ekonomike, ndërsa përveç Estrefit kanë edhe dy fëmijë të tjerë, një djalë dhe një vajzë. Mes lotësh nëna dhe motra e tij nuk mund të flasin shumë. Ajo thotë se djali i saj nuk merrej me trafik droge.
I shokuar nga kjo që ka ndodhur, familjarët kërkojnë që drejtësia të zbardhë sa më parë shkaqet që e shtynë të riun drejt vetëflijimit, pasi sipas tyre, Estrefi nuk kishte konflikt, e ishte tip i urtë dhe i shoqërueshëm dhe se nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme.
Pas futjes në burgun e Rrogozhinës, i fundit që e takoi ishte vëllai i tij. Sipas tij, Estrefi ka qenë i heshtur, por ka shfaqur zemërimin pse ishte arrestuar përsëri për konsum të lëndëve narkotike. Më 22 dhjetor 2016, Estref Halili arrestohet për herë të dytë. Përsëri për një cigare hashash dhe një thikë, të cilat iu gjetën në automjetin e tij nga policia. Në burgun e Rrogozhinës 22-vjeçari ishte në pritje të marrjes së dënimit. Sipas familjarëve dhe shokëve të viktimës, shpesh herë Estrefi ishte nën shënjestrën e policisë. Atij i bëheshin kontrolle të shumta sa herë ndeshej në rrugë nga policia. Halili u gjet i vetëvarur me litarin e tutave të sportit që i mbante veshur në tualetin e dhomës së burgut Rrogozhinë mbrëmjen e së martës, nga shokët e tij.

Nëna: Nga shteti dua djalin gjallë, ne mezi sigurojmë thesin e miellit

“Ma morën të gjallë, pse nuk ma sjellin të gjallë. Djali im nuk merrej me gjë, mezi e kam rritur! Ne mezi sigurojmë thesin e miellit”, thotë mes lotësh Entela Halili, nëna e 22-vjeçarit Estref Halili. “Çfarë bëri djali im! I kam rritur me duar. Në çfarë gjendje jam unë. Nuk kam shitur as hashash, as drogë. Fëmija u gënjye dhe piu një cigare. Pi e gjithë e bota. Unë nga shteti dua djalin gjallë. Ma morën të gjallë, e dua të gjallë. Me zor e kam rritur. Nuk e kam rritur me hashash. Pyesni çfarë familje jemi ne”, shprehet mes lotësh e ëma e Estref Halilit.
Babai i Estref Halilit, Ardian Halili nga Kolonja e Lushnjës, thotë se i biri i tij u arrestua për një cigare hashash, ndërsa trafikantët e mëdhenj të drogës me kamionë janë të lirë. “Edhe para 3 vjetësh u kap me 3 gramë kanabis, që e pinin shokët. Për këtë bëri 2 vjet e gjysmë burg. U lirua në shkurt, por e kapën sërish me një cigare hashash. U arrestua sërish në datë 22 dhjetor, dhe në 27 e dërguan në Rrogozhinë”, thotë ai.
“Shteti i dha dënimin që ai nuk meritonte. Ai i dha 5 vjet dënim për tre gram hashash që pinin tre shokë. Ai e kishte marrë përsipër. I kishin thënë se do të marrësh dënim akoma më të rëndë se e ke për së dyti. Policia dhe shteti duhet të kapë ata që janë me maune apo kamionë dhe jo këta që janë adoleshentë që marrin një cigare për ta pirë”, thotë Ardian Halili.
Më tej, babai i 22-vjeçarit thotë se djali i tij ditët e fundit ka qenë i mbyllur në vetvete në burg. Dërgova djalin e madh. E mbajtën dy ditë në Fier, pastaj e çuan në Rrogozhinë. Ishte i mbyllur dhe nuk i kishte thënë gjë djalit të madh. Ai po merrte dënimin e dytë. Këto dënime nuk i meritojnë. Nuk kishte asnjë problem. Shkonte shumë mirë me shokët. Këtu e donin të gjithë. Bëri dy vjet e gjysmë burg. Kaloi paraburgime dhe përfitoi nga amnistia. Nuk ka mbushur vitin që doli”, përfundon i ati i tij.

Berisha: Një vetëvarje tjetër shtetërore në burgun e Rrogozhinës!

Ish-Kryeministri Berisha ka reaguar për vetëvrasjen e 22-vjeçarit në burgun e Rrogozhinës, duke e konsideruar si një vetëvrasje të shtetit policesk. Nëpërmjet një mesazhi në rrejtin social Facebook, Berisha kërkon nga Prokuroria që të zhvillojë hetime për rastin.
“Një vetëvarje tjetër shtetërore në burgun e Rrogozhinës! Të dashur miq, mediat informojnë se 22-vjeçari Estref Halili i dha fund jetës së tij në qelitë e zeza të burgut të Rrogozhinës, ku vetëvrasjet janë bërë jo të rralla. Estrefi ishte arrestuar nga policia më 23 dhjetor 2016 në fshatin Kolonjë të Lushnjës, pasi në makinë iu gjet një dozë e vogël kanabisi dhe një thikë. Më pas, më 26 dhjetor ai u transferua në burgun e Rrogozhinës.
Estrefi u gjet sot në tualetin e burgut të Rrogozhinës i varur me xhaketë në dritare. Të riut iu dha ndihma e parë nga të burgosurit e tjerë dhe u dërgua në spital, por fatkeqësisht ndërroi jetë.
Duke shprehur ngushëllimet e mia më të sinqerta familjes së Estrefit, denoncoj vdekjen e tij si një akt vetëvarje të nxitur nga shteti policesk. I bëj thirrje Prokurorisë të nisë menjëherë hetimin dhe të vendosë para ligjit të gjithë ata zyrtarë, që me veprimet apo mos veprimet e tyre shtynë, nxitën të riun që t’i japi fund jetës së tij në burgun e Rrogozhinës!”, shkruan Berisha.

Kushtet e vështira ekonomike, mbytet në liqen 50-vjeçari

Një 50-vjeçar nga Tirana i ka dhënë fund jetës ditën e djeshme, duke u vetëmbytur në Liqenin Artificial në Tiranë. Mësohet se Edmond Ramushi prej disa kohësh ndodhej në një gjendje të rënduar psikologjike, nisur edhe nga situata e vështirë ekonomike që po kalonte. Sipas burimeve, 50-vjeçari Edmond Ramushi, para disa ditësh i ishte drejtuar një banke të nivelit të dytë për të kërkuar kredi, por kjo nuk i është aprovuar.
Më pas, në kushte të rënduara psikike ai i ka dhënë fund jetës. Burimet e policisë kanë njoftuar paraprakisht se rreth orës 11:20, kanë marrë një telefonatë tek numri i emergjencave 112, se një shtetas ka hyrë në brendësi të Liqenit Artificial. Menjëherë janë afruar shërbimet e Policisë, të cilët kanë gjetur trupin e pajetë në afërsi të Digës së Liqenit Artificial. Policia thotë se nga hetimet e para dyshohet se 50-vjeçari Edmond Ramushi është vetëmbytur, megjithatë hetimet janë në vazhdim. Gjithashtu polumbarët kanë nxjerrë e trupin e pajetë.

R.POLISI

Artikulli paraprakSi i shkatërroi Sorosi demokratët në SHBA
Artikulli tjetërKush e krijoi “RD”?