Mbape çmend Dortmundin

Shtyrja e ndeshjes duket se la gjurmë te skuadra e Borusias së Dortmundit, që u mund në shtëpi me shifrat 3-2 nga Monako në takimin e çerekfinaleve të Ligës së Kampionëve të shtyrë pas sulmit terrorist.
Ekipi i Tomas Tuhel e kishte shumë të vështirë të dilte në lojën e tij, ndërsa Monako diktoi menjëherë ritmin. Skuadra e principatës fillimisht shpërdoroi një penallti me Fabinjon, por më pas gjeti shpejt golin e avantazhit me anë të talentit Mbape, i cili tregoi nuhatjen para portës duke dërguar topin në rrjetë.
Një superautogol i Bender çoi në 2-0 shifrat për skuadrën e Monakos, me Borusia Dortmund që ishte në vështirësi të dukshme, ndonëse mbështetej fuqimisht nga tifozeria në stadium.
Në fillimin e pjesës së dytë, Tuhel orientoi tërësisht skuadrën drejt sulmit, me aktivizimin e Shahin dhe Pulisiç, një manovër e cila bëri që ndeshja të luhej thuajse e gjitha në gjysmëfushën e francezëve. Dembele shënoi për të shkurtuar diferencat, por i zakonshmi Mbape përfitoi nga një gafë e prapavijës gjermane për të çuar shifrat në 3-1.
Megjithatë, kur mbeteshin pak minuta nga vërshëllima përfundimtare, Kagaua shënoi golin e rezultatit përfundimtar 3-2 që gjithsesi sheh Monakon të shkojë drejt takimit të kthimit me një avantazh shumë të rëndësishëm.
Sfida u luajt në kushte të rrepta sigurie, duke filluar që nga shoqërimi i autobusëve të dy skuadrave drejt stadiumit me forca të shumta policore.

Artikulli paraprakÇadra e të vërtetave
Artikulli tjetërZidane: Ronaldo le shenjë në ndeshjet e mëdha