Mattis vlerëson ushtrinë e Filipineve

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Jim Mattis vlerësoi të mërkurën ushtrinë e Filipineve për garantimin e të drejtave të njeriut gjatë një beteje pesë mujore kundër militantëve islamikë në qytetin e Marawit.
“Kjo është një ushtri të cilës iu desh të shkonte në një luftë të përgjakshme dhe nuk pati asnjë pretendim të besueshëm për shkelje të të drejtave të njeriut kundër tyre”, u tha zoti Mattis gazetarëve në fund të takimit dy ditor të ministrave të Mbrojtjes të vendeve të ASEAN-it (Shoqata e vendeve të Azisë Juglindore).
Zoti Mattis i bëri komentet një ditë pas takimit me Presidentin e Filipineve, Rodrigo Duterte, në atë që shefi i Pentagonit e cilësoi si një takim “shumë të ngrohtë”. Presidenti Duterte është kritikuar nga komuniteti ndërkombëtar për shkeljet e të drejtave të njeriut, veçanërisht në lidhje me fushatën e tij kundër drogës.
Të hënën, zoti Duterte deklaroi se beteja pesë mujore mes trupave të tij dhe grupit të rebelëve myslimanë “Maute” kishte përfunduar. Në luftime u vranë të paktën 700 vetë dhe shumë të tjerë u detyruan të shpërngulen nga qyteti i Marawit.

Artikulli paraprak“Eureporter”: “Kryeministri i Shqipërisë mbron të akuzuarin për trafik droge”
Artikulli tjetërPresidenti Trump, urdhër ekzekutiv për pranimin e refugjatëve