Mattis përsërit paralajmërimin për NATO-n

Në korrik, kandidati i atëhershëm presidencial Donald Trump shkaktoi shqetësime në të gjithë Evropën, kur sugjeroi se Shtetet e Bashkuara nuk mund të mbrojnë aleatët e NATO-s kundër Rusisë në qoftë se ata nuk japin kontributin e tyre në ndarjen e barrës së shpenzimeve në fushën e mbrojtjes.
Tani në rolin e Presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump duket se do të përmbushë premtimin e tij. Të mërkurën, sekretari i Mbrojtjes, Jim Mattis paralajmëroi aleatët e NATO-s se Uashingtoni do të “pakësojë angazhimin e tij” ndaj Aleancës, nëse aleatët nuk do të përmbushin obligimin e tyre për të shpenzuar në minimum dy për qind të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto në fushën e mbrojtjes.
“Amerika do të përmbushë përgjegjësitë e veta, por në qoftë se vendet tuaja nuk duan të shohin Amerikën të pakësojë angazhimin e saj për aleancën, kryeqytetet tuaja duhet të tregojnë mbështetje për mbrojtjen tonë të përbashkët”, tha sekretari Mattis gjatë një takimi me dyer të mbyllura të NATO-s në Bruksel.
Mattis nuk tha se Uashingtoni mund të ndryshojë angazhimin ndaj aleancës 28-anëtarëshe.
Në mesin e pesë vendeve të NATO-s që plotësojnë kriterin janë Greqia, e cila shpenzon rreth 2.5 për qind të Prodhimit të Brendshëm Bruto, Polonia, Estonia dhe Britania, të cilat shpenzojnë pak më shumë se minimumi prej 2 për qind. Ndërsa vendet e tjera si Gjermania, Kanadaja, Italia, Spanja dhe Franca në fushë shpenzojnë më pak se dy për qind të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto për shpenzimet ushtarake të NATO-s.
Shtetet e Bashkuara shpenzojnë më shumë se 3.6 për qind të Prodhimit të tyre të Brendshëm Bruto në shpenzimet ushtarake të NATO-s.
“E kam për detyrë t’ua shppjegoj me qartësi dhe në mënyrë konkrete realitetin politik në Shtetet e Bashkuara dhe kërkesën e drejtë të njerëzve të vendit tim”, tha Mattis në takimin e ministrave të Mbrojtjes të vendeve të NATO-s.
Shtetet e Bashkuara kanë nxitur prej kohësh aleatët e NATO-s që të rrisin kontributin e tyre, përfshirë thirrjet nga administrata e Presidentit Obama dhe presidentëve të tjerë.
Ish-sekretari i Mbrojtjes, Robert Gates në fjalimin e tij lamtumirës në vitin 2011 paralajmëroi se durimit të Kongresit amerikan ndaj nivelit të ulët të kontributit të vendeve anëtare të NATO-s po i vjen fundi.
Gates ka shërbyer në administratat e presidentëve Obama dhe George W. Bush.
Paralajmërimi i së mërkurës në Bruksel ishte një shenjë se presidenti Trump nuk po heq dorë nga presioni mbi vendet e tjera të Aleancës që të lehtësojnë barrën e Shteteve të Bashkuara, që tani paguajnë deri në 75 për qind të shpenzimeve të përgjithshme ushtarake të NATO-s.

Artikulli paraprakPresidenti Trump mbron këshilltarin Flynn
Artikulli tjetërTrump -Netanyahu dhe plani me dy shtete