Mashtrimi me avionët “low cost” nga Maqedonia katër herë më lirë

Prej vitesh qeveria shqiptare propagandon se po bën ç’është e mundur për të bërë më të lira udhëtimet me avion nga Shqipëria dhe drejt saj. Dy kanë qenë premtimet kryesore. I pari, hapja e aeroporteve të reja për linjat low cost dhe e dyta, futja e këtyre linjave në vend. Ndërkohë që nga aeroportet e Shkupit dhe Podgoricës, mund të fluturosh drejt Barcelonës, Berlinit, Amsterdamit dhe Parisit edhe me 34-40 euro, në Shqipëri duhet të paguash një çmim tre-katër herë më të lartë. Kjo po ndodh edhe me linjën më të re ajrore që u hap me shumë pompë duke propaganduar tarifa konkurruese. Kur filloi fluturimet nga Tirana në Budapest dhe anasjelltas Wizz Air propagandoi një çmim 33 euro. Por sot është e kotë të kërkosh të udhëtosh me një tarifë të tillë. Biletat janë katërfishuar. Të tilla çmime aplikon edhe francezia Transavia. Përpos udhëtimeve Tiranë-Paris nga 10 maji Transavia ofron udhëtime direkt nga Tirana në Amsterdam. Por, sa kushtojnë biletat dhe si janë ato krahasuar me vendet e tjera të rajonit për të njëjtat destinacione? Revista “Monitor” ka bërë një kërkim në linjat përkatëse për udhëtimet vajtje-ardhje në muajt e verës, ku rajoni rezulton sërish shumë më i lirë.

Në Budapest

Nga Tirana në Budapest, janë dy data nisjeje dhe kthimi çdo javë, të mërkurën dhe të dielën.
Bileta më e lirë vajtje-ardhje është 85 euro (por kujdes nëse keni në dorë një çantë më të madhe se ajo e shpinës paguani 40 euro plus vetëm për vajtje) dhe këtë mund ta gjeni vetëm për nisje në fund të muajit maj dhe fillim të qershorit (bileta e vajtjes është vetëm 20 euro, por është kthimi ai që kushton tre herë më shumë).
Më pas biletat shtrenjtohen dhe kushtojnë 127 euro apo edhe 210 euro në fillim të korrikut.
Bileta më e lirë që mund të gjesh në korrik është 145 euro (vajtje-ardhje).
Nga Shkupi është shumë më lirë të shkosh në Budapest.
Për ikje më 31 maj dhe kthim më 4 qershor, udhëtimi vajtje-ardhje është vetëm 29 euro (1789 dinarë maqedonas).
Në qershor bileta kushton maksimumi 41 euro dhe në korrik  44-48 euro (vajtje-ardhje).
Nga Shkupi, përveç Budapestit, Wizz Air ka gati 30 destinacione të tjera.
Edhe nga Prishtina, që ka filluar fluturimet pothuajse njëkohësisht me Tiranën, Budapesti është më i lirë.
Një biletë vajtje-ardhje, për nisje më 29 maj dhe kthim më 5 qershor, kushton 40 euro, ndërsa edhe në korrik mund ta gjesh me më pak se 50 euro.

Në Amsterdam

Në Amsterdam, në ditën e parë kur fillojnë fluturimet nga Tirana, më 10 maj dhe kthim më 15 maj, bileta kushton 170 euro.
Fluturimet me linjën Transavia, janë tre herë në javë, të hënën, të mërkurën dhe të premten.
Në maj, udhëtimi më i lirë është më 17 maj, nisja nga Tirana dhe kthimi në datën 19 maj, ku bileta vatje-ardhje kushton 86 euro, ndërsa nëse zgjedh kthimin me datën 22 maj shtrenjtohet në 146 euro.
Në korrik biletat shtrenjtohen ndjeshëm.
Për shembull, për vajtje në datën 21 korrik dhe kthim në datën 24 korrik, kushton 247 euro.
Edhe në gusht janë po kaq të shtrenjta.
Biletat për në Amsterdam fillojnë e bëhen më të lira vetëm në shtator, ku, nëse prenotoni sot mund të gjeni fluturime që kushtojnë 78 euro (për shembull, për vajtje më 20 shtator dhe kthim në datën 25 shtator).
Fluturimet janë të programuara deri në tetor, ku çmimet janë relativisht të njëjta me shtatorin.
Transavia ofron dhe fluturime direkt drejt Parisit (Orly).
Në qershor, bileta më e lirë vajtje-ardhje kushton 147 euro.
Në korrik çmimi shtrenjtohet ndjeshëm në 192 euro deri 248 euro.
Në Paris mund të shkohet dhe nga Prishtina me Easyjet.
Për nisje më 27 maj dhe kthim më 31 maj bileta kushton 88 euro.
Në korrik bileta shtrenjtohet në 192 euro.
Nga shtatori, Parisi është i arritshëm përmes Prishtinës me 71 euro.

Artikulli paraprakÇmimet e perimeve si në Europë, por pagat 10 herë më të ulëta
Artikulli tjetërKosova nuk ka ekonomi të fortë prodhuese