Çmimet e perimeve si në Europë, por pagat 10 herë më të ulëta

Konsumatorët shprehen se nuk ka asnjë masë mbrojtëse nga ana e shtetit përballë çmimeve të larta, një pjesë e të cilave rriten edhe artificialisht nga tregtarët. Konsumatorët durrsakë shprehen se çmimet rriten njësoj si në Europë, ndërsa pagat dhe pensionet shumë herë më të ulëta
Rreth 60% e mallrave të konsumit të përditshëm në treg, hyn nëpërmjet importit nga vendet e rajonit bëjnë me dije tregtarët.
Konsumatorët durrsakë kanë “shtrënguar” rripat para çmimeve që pësojnë rritje nga dita në ditë në tregun e përditshëm të fruta-perimeve. Stina e pranverës sapo ka shënuar edhe daljen e prodhimeve vendase në tregun e përditshëm. Hyrja e prodhimit vendas, me çmime shumë të larta ka sjellë uljen e çmimeve të produkteve të importit. Kjo reflektohet tek konsumatori, i cili shprehet se e ka të pamundur të blejë në treg perimet e stinës, me çmime nga 250 në 350 lekë të reja kilogrami. Në këto kushte kur një kilogram patëllxhanë, speca apo bishtaja me çmime, të cilat variojnë përtej të ardhurave të tyre, i shikojnë si mollë e ndaluar.
“As edhe një ditë të vetme nuk do të guxoja të blija këto prodhime me pensionin që marr”, shprehet një qytetar. Konsumatorët shprehen se nuk ka asnjë masë mbrojtëse nga ana e shtetit përballë çmimeve të larta, një pjesë e të cilave rriten edhe artificialisht nga tregtarët. Konsumatorët durrsakë shprehen se çmimet rriten njësoj si në Europë, ndërsa pagat dhe pensionet shumë herë më të ulëta. Rreth 60% e mallrave të konsumit të përditshëm në treg, hyn nëpërmjet importit nga vendet e rajonit bëjnë me dije tregtarët. Spinaqi e sallata “qelbet” në treg. Fermerët kapitullojnë nga kjo kulturë.
Duke marrë shkas nga mungesa e një sërë produktesh apo servirja e tyre me super çmime, për konsumatorin në fillim të këtij viti kalendarik, çmimet që varionin nga 3 deri në  4 mijë lekë kg, për spinaqin dhe sallatën jeshile, shtyu fermerët të nxitonin që në këtë fillim pranvere të kultivonin këto kultura në fushat e tyre.
Ngrohja e motit solli favorizim të prodhimit, duke bërë që jeshillëqet të “përmbytin” tregun dhe çmimi të bjerë në minimumin historik. Tregtarët deklarojnë se fermerët e zonës së Shijakut, Sukthit e deri më gjerë, kanë ulur çmimet, për të shitur prodhimet e tyre, por superprodhimi në fusha ka bërë që këto produkte të mbeten stok, e madje të kalben pa u shitur. “Nga 300 deri në 500 lekë të vjetra për kg, e nuk i blen askush, është ky realiteti në treg”, thonë tregtarët. Përveç jeshillëqeve, spinaqit, sallatës dhe qepëve të njoma, perimet e vendit shiten me super çmime.

Falimentojnë prodhuesit e karotës në Divjakë

Në Divjakë tonelata karote po shkojnë dëm për shkak se janë bllokuar eksportet. Çmimi i saj ka rënë deri në 20 lekë. Karota e Divjakës po kalbet. Prej disa muajsh eksporti i saj është bllokuar për arsye të paqarta, kurse tregu vendas është mbingopur. Çmimi i saj ka kapur limitet nga 20 deri në 45 lekë/kg. Fermerët thonë se po falimentojnë. “Këtu nuk ecën fare. Në qoftë se e pe te tregu që është bllokuar nga 20 zetora rrinë atje, edhe për më tepër që çmimi varion nga 20 lekë deri te 45 lekë që shesin më të mirën”, shprehet një fermere. Karotat po përdoren ushqim për kafshët dhe fermerët janë të pikëlluar. “Do të rrijmë një ditë dhe ditën tjetër po nuk u shitën i çojmë atje tek stalla e lopëve, ia japim një tjetri. Pa lekë, pa asgjë, na merre s’e nuk e dua”, shprehet një tjetër fermer. Ata tregojnë se shërbimet e bimës janë bërë sipas standardeve për eksport ndërkombëtar dhe rrugët u janë mbyllur. “Shumë e mirë është cilësia, nuk flitet që të mos të jetë e mirë pasi ajo nuk rritet as me hormone, me asgjë”, shprehet fermerja. Për momentin vetëm lakra po shitet dhe jashtë tregut shqiptar. “Për momentin jo, kanë marrë për të marrë, por për momentin jo. Është e bllokuar”. Fermerët në Divjakë i mbjellin tokat bujqësore çdo muaj me perime. 80% e prodhimit të përgjithshëm shkon për eksport. Ky është viti i parë që karota nuk eksportohet, kurse shumë prodhues kanë lidhur kontrata për eksportin e shalqinit, i cili fillon në muajin maj.

Vala e rritjes së çmimeve prek të gjitha mallrat bazë të konsumit

Rritja e përgjithshme e çmimeve vijoi të jetë e lartë në muajin mars me 2.1%, nivel ky mbi objektivin e poshtëm të Bankës së Shqipërisë prej 2 për qind, si rezultat i rritjes së çmimeve të ushqimeve. Përveç ushqimeve gjatë marsit kanë vijuar të rriten të gjitha grupet kryesore të mallrave të konsumit përveç veshjeve dhe pajisjeve shtëpiake. Sipas INSTAT rritja vjetore e çmimeve në muajin mars është ndikuar kryesisht nga grupi “Ushqime dhe pije joalkoolike” me + 1,43 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Transporti” kanë kontribuar me +0,23 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” kanë kontribuar me +0,22 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Mallra dhe shërbime të ndryshme” kanë kontribuar me +0,16 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Argëtim e kulturë” kanë kontribuar me +0,08 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Shërbimi arsimor” dhe “Pije alkoolike dhe duhan” kanë kontribuar respektivisht me + 0,03 dhe +0,02 pikë përqindje. Çmimet e grupit “Hotele, kafene dhe restorante” kanë kontribuar me +0,01 pikë përqindje. Çmimet e grupeve “Veshje dhe këpucë” dhe “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” kanë kontribuar respektivisht me -0,03 dhe – 0,01 pikë përqindje. Krahasuar me muajin mars 2016, rritja më e madhe e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 3,8%, pasuar nga grupet “Mallra dhe shërbime të ndryshme” me 3,4%, “Ushqime dhe pije joalkoolike” me 3,3%, “Argëtim dhe kulturë” me 3,2%, “Shërbimi arsimor” me 0,7%, etj. Brenda grupit të ushqimeve çmimet e nëngrupit “zarzavate, përfshirë patatet” u rritën me 12,3%, pasuar nga nëngrupet “sheqer, reçelra e ëmbëlsira” me 5,3%, “qumësht, djathë e vezë” me 5,2%, “fruta” me 3,7% etj. Nga ana tjetër çmimet e nëngrupit “vajra dhe yndyrna” u ulën me 1,6% dhe “peshk” me 0,1%. Ndryshimi mujor i indeksit është + 0,4%. Krahasuar me muajin shkurt 2017 rritja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Transporti” me 1,0% pasuar nga grupet “Ushqime dhe pije jo alkoolike” dhe “Qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji” me nga 0,5% secili, grupi “Pije alkoolike dhe duhan” me 0,3% etj. Ulja më e madhe mujore e çmimeve vërehet në grupin “Mobilje, pajisje shtëpie dhe mirëmbajtje” me -0,2%.

Abuzimi me peshat, Metrologjia: Problem tregjet vendore

Tregjet ambulante dhe ato vendore shfaqin problematikën e mosçertifikimit të pajisjeve të peshimit duke e lënë kështu konsumatorin të ekspozuar. Kjo duket se nuk është e qëllimshme më shumë sesa mungesë informacioni nga ana e tregtarëve për t’i çertifikuar pajisjet. Në këtë drejtim vë theksin edhe Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë. Drejtoria e Përgjithshme e Metrologjisë vlerëson se pavarësisht disa sektorëve specifikë me probleme të paktën tek hidrokarburet vihet re një ndërgjegjësim i operatorëve për të kaluar çertifikimet e nevojshme.

Artikulli paraprakRama ik, tashmë je një kufomë politike
Artikulli tjetërMashtrimi me avionët “low cost” nga Maqedonia katër herë më lirë