Mashtrimi i qeverisë me të dhënat ekonomike

Gjatë ditëve të fundit, qeveria ka publikuar një seri të dhënash “triumfale”, ndër të cilat bie në sy suksesi i të ardhurave fiskale në dy muajt e parë të vitit 2016, të cilat mund të sjellin një shtesë prej 4 milionë eurosh në krahasim me parashikimet e buxhetit për këtë vit.
Por, në periferi të lajmeve triumfuese për të ardhurat fiskale, ishte njoftimi se, shpenzimet për investimet publike nuk i kaluan 50 për qind të planit, i shoqëruar me një koment, i cili shpjegonte se kjo gjë konsiderohet normale në muajt e parë të vitit për shkak të një buxheti të ri.
Po këto ditë, raporti periodik i Fondit Monetar përsëriti vlerësimin se rritja reale e prodhimit për vitin 2016 pritet të jetë rreth 3,4 për qind, shifër e parashikuar më parë dhe e përllogaritur nga qeveria në buxhetin e vitit 2016. Kjo pritshmëri do të bëjë të mundur që totali i shpenzimeve publike, pa përfshirë pagesat e interesit të borxhit publik, do të jetë më i vogël se totali i të ardhurave, pra pritet të kemi (në gjuhën teknike) sufiçit parësor buxhetor.
Ndërkohë nga burime të Bankës Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH) bëhet e ditur se ajo po përgatitet të ofrojë një kredi për KESH-in prej afërsisht 218 milionë euro, për t’i lejuar kësaj të fundit për të zvogëluar kreditë afatshkurtra ndaj sistemit bankar vendas.
Toni i mediave gjatë përcjelljes së këtyre lajmeve nënkuptonte, se bëhej fjalë për informacione pozitive, madje në disa raste pati edhe deklarata se më në fund ekonomia shqiptare po shkonte “në drejtimin e duhur”: rriten të ardhurat fiskale, ngadalësohen shpenzimet, zvogëlohet borxhi dhe, së fundi, forcohen zërat e bilancit të kompanisë publike elektrike, pra e ardhmja ekonomike është më e mirë.
Më saktë në mënyrën e njoftimeve mediatike lexohet përpjekja e vazhdueshme e qeverisë për të manipuluar opinionin publik, ndihmuar nga zgjedhja që FMN ka bërë për të mos e përgënjeshtruar apo kundërshtuar qeverinë, që në fund të fundit është një nga aksionerët e saj, dhe në parim vendimmarrës dhe kontribues në emërimet dhe karrierat e burokratëve të FMN-së.
Si një vëzhgim i parë, borxhet e KESH dhe të gjithë sistemit elektrik publik kanë përmasa katastrofike, duke variuar nga 1,5 deri në 2 miliardë euro, por që falë trukeve kontabël dhe interpretimeve të qëllimshme nuk janë të përfshira në shumicën e tyre në përllogaritjen e borxhit publik. Por, nëse KESH i drejtohet BERZH-it për hua, kjo nuk është thjesht për të bashkuar borxhin afatshkurtër, por me shumë ngjasa për ta rinovuar dhe konsoliduar (që do të thotë për ta transformuar në një borxh afatgjatë) dhe, natyrisht, me kosto më të lartë financiare. Kjo gjë mund të jetë bërë e detyrueshme edhe për faktin se bankat vendase kanë vështirësi në rinovimin e overdraftit për klientë, aftësia paguese e të cilëve nuk përmbush kriteret e nevojshme për këtë lloj financimi.

Artikulli paraprakAzilkërkuesit protestojnë kundër kthimit në Turqi
Artikulli tjetërVjedhje edhe me mirëmbajtjen e tuneleve, 2.2 milionë euro në vit