Masakra me planin urbanistik të Tiranës

Kush mban mend premtimet e Veliajt në fushatë se nuk do të bëjë ndërtime në kryeqytet dhe se do të shtojë sipërfaqet e gjelbërta e sheh shumë qartë se ai është thjesht një mashtrues dhe indiferent përkundrejt jetës së të paktën 1 milion shqiptarëve që me statistikë jetojnë në Tiranë. Jo më larg, por në një prej televizioneve ku ai del e bën show deklaroi se, tashmë Tirana do të ndërtohet në lartësi e jo në gjerësi. Kjo ndryshe përkthehet se Veliaj nuk ka më vend për ndërtime e kërkon të bllokojë edhe diellin për rrugët e Tiranës. Në kushtet e blerjes së mediave nga oligarkët që bëjnë ndërtime edhe brenda lulishteve, kryeqyteti po paguan faturën më të rëndë. Me një kryebashkiak që më shumë synon vendin e kreut të PS se të përmirësojë jetën e qytetarëve të Tiranë, kryeqyteti po shpërfytyrohet dhe qytetarëve po u zihet fryma deri në kufijtë e nervozizmit. Në mënyrë ilegale, Veliaj ka miratuar para dy javësh planin urbanistik të Tiranës. Ky plan rrezikon të betonizojë të gjithë parqet dhe lulishtet brenda qytetit. Gjithashtu ndërhyrja e shtrenjtë prej afro 17 milionë dollarë në sheshin “Skënderbej” po kryhet për interesa të vogla, bëhet pa asnjë studim paraprak hidrogjeologjik, modelim ujërash sipërfaqësore dhe nëntokësore, modelim gazrash dhe ky plan po kryhet pa asnjë diskutim të hapur publik dhe me ekspertë. Këshilltarët e djathtë të Bashkisë së Tiranës, drejtues të departamenteve të Partisë Demokratike, profesorë, intelektualë, ekspertë dhe qytetarë të Tiranës diskutuan në lidhje me abuzimet dhe problemet e thella që sjell plani i ri urbanistik i kryeqytetit.
Në diskutimin e hapur u analizua problematika e një plani, i cili nuk sjell zhvillim ekonomik për qytetarët, shton trafikun duke mos eliminuar gazin karbonik, mbjelljen e pemëve, të cilat janë të papërshtatshme për dekorim, pasi rrezikojnë jetën e banorëve nga alergjitë, filozofinë e vazhdimit të ndërtimeve dhe humbjen e metrave katrorë të gjelbërimit, shtimin e betonizimit si edhe moskonsultimin dhe lënien në errësirë të qytetarëve shqiptarë për t’u njohur me planin e ri ubanistik të miratuar me urgjencë në natën e ndërrimit të viteve, ku qytetarët e kishin të pamundur të informoheshin.
Artur Sulçe, ekspert për sigurinë rrugore, theksoi se shoqata që ai përfaqëson ka reaguar e para kur Edi Rama mbolli pemët në rrugët interurbane kryesore nga mbikalimi i Kamzës deri në mbikalimin e Kasharit.
“I thamë që ke shkelur ligjin. Pas një viti, ai e ndryshoi këtë ligj për të përligjur atë ndërtim të paligjshëm që bëri. Dhe asnjë nuk u çua për ta goditur në aspektin juridik. Po rritet dita-ditës numri i përdoruesve të lëndëve psikotrope, të cilat nga mediat e shkruara dhe vizive ka dalë që janë mbi 50 mijë përdorues. Këta janë nga 18 deri në 60 vjeç, të cilët përdorin mjetet. Nga 500 mijë mjete që kemi 1/10 janë këta njerëz që i japin makinave. Imagjinoni probabilitin e rriskut të një aksidenti rrugor. Ka shumë probleme që ne i kemi bërë publike”, tha ai.

Sakiqi: Asnjë kryeqytet botë me parkim në mes

Ndërkohë Orhan Sakiqi, ish-kryetar i Këshillit Bashkiak, inxhinier ndërtimi, tha se ka mbetur i pazgjidhur qarkullimi i automjeteve në shesh.
“Një shtet që është shtet nuk shkel planin rregullues të tij, sidomos sistemi rrugor. Unazë të vogël nuk kemi. Unazë të dytë mesatare, ajo që vjen nga Rruga “Bardhyl” deri tek Ura e Tabakëve dhe kalon përbri ambasadës amerikane. Aty është ngritur një ndërtesë tetë katëshe. Pra është shkelur në mënyrë flagrante plani rregullues i Tiranës. Tirana ka sistem unazor, dhe nuk e kuptoj se si prishen unazat. I pyes studentët e Arkitekturës se a të pëlqen ky bllok betoni, ky ndërtim në formë piramide, a të pëlqen që u prish kafe Gjirokastra? A të pëlqen që po bëhet ky parking këtu mes qytetit? Unë nuk kam parë në një vend të botës që të ketë parkim në mes të qytetit, parkimet bëhen jashtë qytetit që të mos prishë mjedisin. Thonë se kam shumë të drejtë”.

Tepelena: Tirana, qytet skizofrenik

Andi Tepelena, aktivist i Shoqërisë Civile theksoi: “Tirana po kthehet në një qytet skizofrenik, ku duke filluar që nga shtëpitë tona nuk po e kryejnë rolin e tyre, pasi jemi të gjithë të stresuar që kur zbresim poshtë pallatit. Rrëmuja gjeometrike që karakterizon Tiranën është padyshim shumë e qartë. Nëse e shihni Tiranën nga Dajti, e vetmja hapësirë, zonë që ka hapësirë, janë varrezat e qytetit. Është një rrëmujë, nuk kuptohet, a është qytet oriental, Amerikë Latine, Indi apo Azi. Është një qytet pa një lloj identiteti vizual. Tirana po humbet humanizmin. Është një qytet që po jeton nervozizëm të tejskajshëm. Në Tiranë duhet të shtohen hapësirat e gjelbërta dhe nuk ka nevojë më për ndërtime”.

Vuksani: Janë armiq të gjelbërimit

Gjok Vuksani, profesor i Arkitekturës së Peisazhit në Universitetin Bujqësor të Tiranës, vuri në dukje se përfundimisht kjo qeveri dhe bashkia janë armiq të gjelbërimit.
“Qoftë në parkun e qytetit, qoftë në lulishten në qendër të Tiranës, qoftë në të gjitha lulishtet e Shqipërisë. Kjo është diçka e deklaruar se janë armiq të gjelbërimit. Ne duhet ta mbrojmë. Që në kohën e Ramës është mbjellur rrapi. Mund t’ju duket jo shumë e rëndësishme, por arsyeja është e thjeshtë. Rrapi është një bimë që rritet shpejt dhe është i lirë dhe po mbillet në të gjitha rrugët që po ndërtohen në Tiranë. Kam dëgjuar se edhe në Vlorë po hiqen palmat dhe po mbillet rrap. Është një bimë e papërshtatshme për rrugët, jua them me kompetencë. Qoftë përsa i përket madhësisë së saj si edhe polenit që çliron gjatë kohës së lulëzimit. Po mbillen bimë të papërshtatshme që nuk ndihmojnë shëndetin e njeriut. Gurët dhe bimët e marra nga trevat është manipulim. Nuk mund të marrësh pishat e Tropojës e t’i mbjellësh në Tiranë, pasi nuk ka kushtet e përshtatshme për zhvillim. Është një mashtrim i pasktrupullt”, tha ai.

Idea e pesë unazave e vitit 1939-‘43

Ledian Bregasi, arkitekt, përfaqësues i Unionit të Arkitektëve dhe Urbanistëve, theksoi se më datë 31 dhjetor është dalë me deklaratën e fundit për shtyp mbi planin e përgjithshëm vendor që u miratua në Këshillin Bashkiak, ku ngritëm shqetësime në lidhje me infrastrukturën, e cila nuk do të ketë atë fuqi sa pretendohet të jetë zhvillimi i Tiranës si në banor ashtu edhe në shkëmbime ekonomike. “Idea e pesë unazave thellon edhe më shumë problemin e trafikut që ndodh në Tiranë. Idea e pesë unazave ishte në planin e viteve ’39, ’43 dhe në planin e vitit 1989. Plane që në atë kohë makina ligjërisht ishte e pamundur. Me të njëjtin koncept nuk mund të vazhdohet edhe tani. Nuk parashikohet asnjë skemë alternative për të shmangur trafikun. Parku i Liqenit është kthyer në simbol të të gjithë betejës së zhvillimit të paqëndrueshëm”.
Artan Manushaqja, qytetar i Tiranës, tha: Unë kam lexuar planin e përgjithshëm të Tiranës dhe që në pikën 1, kundërshtoj ku thuhet: Një metropol intensiv në rritje brenda kufijve, duke rivendosur hapësirat e saj të pashfrytëzuara, duke shfrytëzuar ndërtimet e vjetra. Që këtu jepet logjika e ndërtimeve brenda qytetit. Që në nisje plani i përgjithshëm i Tiranës reflekton filozofi betonizimi.
Kujtim  Gjuzi, qytetar i Tiranës:  Si  qytetarë të hershëm të Tiranës, nuk e kemi marrë atë me qera, sikurse duket se e ka marrë kryetari i Bashkisë. Ne duhet ta bllokojmë këtë nisëm dhe ftoj të gjithë dashamirësit e këtij metropoli, ta mbrojmë qytetin me forcë. Duhet të rezistojmë me forcë për sheshin. Këta nuk e kanë marrë qytetin me qera, por ia kanë dhënë.

Aliaj: Vendi ka një krizë demokracie

Në diskutimin e tij këshilltari bashkiak, Besnik Aliaj theksoi se: “Janë atakuar disa ligje si ligji për planifikimin e territorit, ligji për transparencë dhe informimin e publikut, ligjet për çështjet mjedisore dhe ligji për trashëgiminë. Po flasim për aktivitete dhe ndërmarrje që atakojnë pjesën qëndrore që është në një regjim mbrojtje të trashgimisë historike të qytetit. Përse bëhet kjo me kaq nxitim dhe me kaq shqetësim?! Nuk ka nevojë ta them, pasi ajo dihet. Unë e kam shprehur edhe publikisht. Unë dua të nënvizoj faktin që vetëm me këtë argument që u ngrit, funksionimi i Këshillit Bashkiak ka rënë. Nuk ekziston më ky këshill për mendimin tim. Nuk ka më një shtrat dhe kolona ligjore, sepse nuk janë kushtet që të funksionojë në mënyrë demokratike, nuk është informuar, nuk janë mbledhur as komisionet përkatëse.
Na është dhënë informacioni 5 ditë para. Është bërë takimi 3 ditë para dhe pastaj është çuar në mbledhjen e këshillit. Nuk ka ndodhur asnjëherë në historinë e qytetit kjo. Unë jam në të tretin mandat dhe kemi pasur në raste të tjera debate, por në fund të fundit ka pasur diskutime, kemi pasur diferenca mendimesh, por janë bërë takime publike, në media, etj., por ky ka qenë një rast ekstrem dhe i mbajtjes së fshehtë. Kjo është shumë e rëndë. Tani për mendimin tim gjithçka ka ikur nga institucionet e zgjedhura dhe demokratike dhe i takon sovranit të vendosë. Opozita duhet të bëjë gjithçka të fitojë besueshmërinë, që kjo nuk është një betejë e radhës politike, por është një përpjekje serioze në kuadër të një krize serioze të demokracisë që ka vendi.

Maltezi: Po betonizohen të gjitha hapësirat publike

Drejtuesi i Departamentit të Mjedisit, Jamarbër Malltezi tha se, plani i ri që i imponohet Tiranës e kthen si të vetmin kryeqytet në botë që bulevardi  përfundon në qytet tjetër. “Duhet prishur një park urban për të ndërtuar një tepsi betoni, ky duket të jetë fokusi i kësaj çështjeje. Po të bëjmë një krahasim mes planit që u bë në 2013 dhe planit që kaloi në mënyrë shumë të rrufeshme dhe të fshehtë pa u konsultuar në fund të dhjetorit 2016. Si bashkëautor i vlerësimit  strategjik mjedisor për planin 2013 dua të bëj paralelizma midis dy planeve. Plani 2013 një proçes i gjerë konsultimi pjesëmarrjeje, të dokumentuara me dhjetëra e dhjetëra takime të grupeve strategjike me qytetarë, intelektualë, artistë dhe me ekspertët që shihnin me vizion dhe logjikë. Dhjetëra mbledhje të hapura të paktën pa logo partish, mbledhje të hapura për çdo qytetar pa presione, plani i 2013-ës i vuri kufizime ndërtimeve, u tha stop nuk mund të ndërtosh ku të teket.
Sot me planin e ri nuk kemi asnjë kufizim për ndalimin e ndërtimeve në zonat urbane, ka vetëm tek zonat kombëtare. Kjo bëhet, sepse brenda një viti jemi dëshmitarë se si kryeministri Rama po ndërton në mënyrë sistematike në parqe e lulishte për interesa të klientëve. Kemi prerjen e dhjetëra e dhjetëra pemëve, betonizimin e parkut kinse për kënd lojërash. Kemi prishjen e pyllit urban tek sheshi “Skënderbej”. Kemi betonizimin e Parkut “Rinia” me një vendim të fshehtë, kemi ndërtime brenda parkut të Tiranës në dy anët e Korpusit të Universitetit Politeknik. Kemi blerjen e mediave nga oligarkët që bëjnë ndërtime edhe brenda lulishteve. Plani i ri rrezikon të betonizojë të gjithë parqet dhe lulishtet brenda qytetit. Kjo ndërhyrje e shtrenjtë prej afro 17 milionë dollarë në sheshin “Skënderbej” po kryhet për interesa të vogla, bëhet pa asnjë studim paraprak hidrogjeologjik, modelim ujërash sipërfaqësore dhe nëntokësore, modelim gazrash dhe ky plan po kryhet pa asnjë diskutim të hapur publik  dhe me ekspertë.

Censurohet takimi për planin urbanistik

Nëse do të ishte Erion Veliaj dhe të ftuarit e tij, ekranet e televizioneve do të gumëzhinin nga zëri i tij dhe planet e mëdha që ka për Tiranën dhe ato që ka bërë. Por sot nuk është Veliaj në ekran që është duke diskutuar për planin urbanistik.
Është opozita bashkë me shoqërinë civile që kanë organizuar një tryezë për të diskutuar pikërisht planin urbanistik të Tiranës që e ka miratuar këshilli bashkiak. E pikërisht nga ky fakt, asnjë media nuk po e transmeton live e dihet se pse. Të gjitha televizionet janë kapur nga qeveria e bashkia me lejet e ndërtimit.
Edhe “ABC News” e ka reflektuar menjëherë ndryshimin e politikës editoriale. Në vend të transmetimit të tryezës ka vazhduar duke folur për lajmet që kanë ndodhur dje.

Artikulli paraprakPaktet e pista dhe korruptive për sheshin të familjes Rama
Artikulli tjetër11 miliardë lekë për servisin e makinave