Masakra e Xhuvanit, Skënder Demiraj: Djalin ma vrau policia

Gjykata e Tiranës urdhëron vazhdimin e hetimit për mosdhënie të ndihmës së shpejtë për Arbër Demiraj, një prej 4 të vrarëve në masakrën e Rrugës së “Elbasanit” nga Kostandin Xhuvani, djali i ish-deputetes së PS më 4 nëntor 2014. Dosja ishte pushuar nga Prokuroria në dhjetor të 2015, por me një vendim që mban datën 7 prill 2016, Gjykata vendosi shfuqizimin e këtij vendimi.
Në vendimin që mban firmën e gjyqtarit Kreshnik Omari thuhet se, Skënder Demiraj ka bërë kallëzimin se djalit të tij nuk i është dhënë ndihma e parë mjekësore nga punonjësit e policisë, pavarësisht këmbënguljes së tij që Arbëri të çohej në spital për të marrë ndihmë mjekësore. Kjo ndihmë i është dhënë nga mjeku pas kalimit të 1 orë e 10 minutave, kur ai kish vdekur.
“Në kallëzimin e tij, ai shpjegon se iu ka kërkuar ndihmë oficerëve të policisë e shefave që ishin të pranishëm, por kjo ndihmë nuk i është dhënë, duke i thënë se është njoftuar ambulanca dhe nuk e linin të prekte djalin. Pasi ka ardhur ambulanca, nga ana e tij është kërkuar që djali të çohej në spital, por ata nuk i janë afruar djalit të tij, por kanë marrë kufomat brenda lokalit. Më pas, pas 30 minutave ka ardhur një ambulancë tjetër dhe një mjek ka kërkuar t’i bënte djalit të tij adrenalinën, por ka konstatuar se ai kishte vdekur dhe e kanë çuar në morg. Sipas kallëzuesit, djali i tij është trajtuar nga policia si kriminel dhe është lënë qëllimisht të vdesë në mënyrën më të poshtër pa e prekur njeri me dorë dhe duke i penguar njerëzit që donin ta ndihmonin dhe përfundimisht, sipas tij, djalin e tij e ka vrarë Policia e Shtetit dhe jo Kostandin Xhuvani dhe Erald Sida. Lidhur me sa më sipër nga ana e kallëzuesit është kërkuar zgjidhje ligjore, lidhur me veprimet e punonjësve të policisë që kanë qenë në vendngjarje e që kanë ndërmarrë veprime kriminale ndaj djalit të tij”, bën të ditur Prokuroria.
Demiraj ka kërkuar zgjidhje ligjore për “veprimet e punonjësve të policisë që kanë qenë në vendngjarje e që kanë ndërmarrë veprime kriminale ndaj djalit të tij”.

Artikulli paraprakQeverinë e tremb e vërteta e opozitës
Artikulli tjetërPD Gjirokastër: Kryebashkiakja masakër mjedisore dhe muzeale