Masakra Dako, Gjykata bllokon punimet e Velierës

Gjykata e Rrethit Durrës pezulloi dje punimet për rikualifikimin urban të sheshit Veliera. Ka qenë një vendim i Prokurorisë së Durrësit i marrë më datën 3 mars që urdhëron pezullimin e punimeve në zonën A. Në fakt, punimet që nga ajo ditë janë të bllokuara realisht në këtë zonë të punimeve. Gjatë një prononcimi për mediat, Sazan Guri, ka njoftuar se ka siguruar lejen e Policisë së Durrësit për të organizuar edhe një protestë tek kantieri i ndërtimit. Sazan Guri deklaroi gatishmërinë për t’i shkuar deri në fund kësaj proteste që ka si qëllim anulimin e këtij projekti. Ndërsa avokatja, Mirela Jorgo, deklaroi se ndryshimi i projektit kërkohet për të mbrojtur objektet arkeologjike të zbuluara në vendin e projektit. “Ky projekt ka dy këmbë të ndaluara, duke qenë se ka dy këmbë të ndaluara kali nuk mbahet me dy këmbë, por do 4 këmbë. Ky projekt duhet të ndryshojë”, tha Jorgo. Ndërsa në pjesën e sipërme të rrugës janë pezulluar punimet, firma kontraktuese e ka fokusuar aktivitetin në pjesën e poshtme të rrugës. Punimet në shesh kanë nisur në nëntor të vitit 2016. Në qendër të projektit është një velë gjigante betoni me sipërfaqe prej 200 metra katrorë. Projekti “Veliera” është projektuar nga firma italiane e arkitekturës “Archea Associati” e arkitektit të dënuar në Itali, Marco Casamonti. Arkitekti Casamonti ka projektuar edhe stadiumin “Arena Kombëtare”, një tjetër projekt i qeverisë i përfshirë në skandale. Tenderi për ndërtimin e “Velierës” iu dha kompanisë “Everest” shpk dhe “Fusha” shpk. Kjo e fundit ka fituar edhe projektin e Sheshit “Skënderbej”, duke marrë tri tendera publikë të njëpasnjëshëm. Ashtu si në rastin e projektimit, kompania “Everest” dhe “Fusha” fituan vetëm, sepse konkurruesit e tjerë u skualifikuan. Ndërkohë, kompania “Everest”, në të njëjtën datë, u skualifikua nga një tender i Bashkisë Tiranë, sepse nuk paraqiti vërtetimin e pagesës së taksave.

Projekti kërcënon trashëgiminë kulturore

Ashtu si në rastin e Gjirokastrës, projekti i rikualifikimit urban kërcënon trashëgiminë kulturore dhe sitet arkeologjike të rëndësishme. Në një pjesë të rëndësishme: Projekti “Veliera” do të prekë zonën e mbrojtur arkeologjike, ku nuk mund të ndërhyhet, e caktuar me vendim të Këshillit të Ministrave Numër 237, më datë 23 mars 2011. Edhe pse VKM-ja lejon rindërtimin e infrastrukturës në këtë zonë të mbrojtur, neni 2, pika 3 parashikon qartësisht se lejohen vetëm ndërtime të lehta me një lartësi maksimale deri në 3 metra. Këto ndërtime duhet të jenë të lëvizshme dhe nuk duhet të dëmtojnë themelet nëntokësore dhe peisazhin. Zona ngjyrë rosë është Zona e mbrojtur A. Ngjyra e gjelbërt është Zona B, në të cilën ndërtimet lejohen pas një “mbikëqyrjeje të vazhdueshme” nga Agjencia e Shërbimit Arkeologjik, me anë të “zhurmave arkeologjike ose forma të tjera testimi në varësi të potencialeve të ofruara nga zona dhe me miratimin e Këshillit Kombëtar të Arkeologjisë”. Dy shtyllat e “velës” së betonit, të cilat janë shumë afër qendrës së qytetit ndodhen brenda Zonës A, cepi i tunelit ndodhet shumë pranë skajit të saj. Për mbajtjen e velës së betonit me sipërfaqe 200 metra katrorë, themelet duhet të jenë veçanërisht të forta. Ndërtimi i tyre, pa asnjë dyshim, do të dëmtojë shtresat e nëndheshme të qytetit.

Sot qytetarët protestë kundër ndërtimit të Velierës

Shoqëria Civile do të protestojë nesër në qytetin e Durrësit kundër ndërtimit të “Velierës”, nga kryebashkiaku Vangjush Dako. Protesta do të zhvillohet nesër në orën 22:00 tek vendi që quhet “Torra Veneciane”. Aktivisti, Aulon Kalaja, është shprehur se Dako po bën me kokën e tij, pa marrë parasysh as urdhërin e Prokurorisë së Durrësit për ndërprerjen e punimeve, as Kontrollin e Lartë të Shtetit, as Prokurorin e Përgjithshëm dhe as Presidentin e Republikës. Qytetarët durrsakë të mbështetur nga Shoqëria Civile kanë protestuar disa herë para Kullës Veneciane, në vendin ku po zbatohet projekti për ndërtimin e Velierës. Protestuesit thonë se ky ndërtim po shkatërron rrënojat arkeologjike të qytetit, pasi muri rrethues i qytetit antik, ndërtim i shekullit të V para erës sonë, kalon pikërisht në vendin ku po zhvillohen punimet.

Artikulli paraprakMbrojtësi i Interit: Shpresoj të jem në kombëtare
Artikulli tjetërDokumentet e doganave: Krimi i Ramës me 31 mijë tonë plehra