Marseja kuqezi!

Tifozët shqiptarë janë zhvendosur në Marsejë ku të mërkurën deti kuqezi do të vërshojë në rrugët e qytetit francez për ndeshjen e dytë të Euro 2016 mes Francës dhe Shqipërisë. Atmosfera në rrugët e qytetit është ndezur, pasi janë shfaqur tifozët e parë shqiptarë në Marsejë. Konfirmohet prania edhe e mijëra shqiptarëve të tjerë, të cilët nuk janë pjesë e 16 mijë biletave zyrtare të ofruara nga UEFA për sektorin kuqezi. Disa prej tyre shprehen entuziastë për këtë eksperiencë, duke besuar te një rezultat pozitiv në ndeshjen e dytë të Grupit A.
Shqipëria dëshiron ta shfrytëzojë në maksimum pjesëmarrjen e saj të parë në një kampionat europian. Kuqezinjtë e De Biazit, që janë një prej surprizave të këtij edicioni, do të kërkojnë të vazhdojnë befasinë në kontinent. Por, përveç të qenit një paraqitje dinjitoze, ajo shoqërohet edhe me shpërblime shumë të majme.
Kualifikimi për në raundin tjetër të turneut ka një shpërblim më të madh sesa vetë kualifikimi.
Vetëm fakti që Shqipëria është pjesë e fazës në grupe të “Euro 2016”, i ka dhuruar Federatës së Futbollit një pagesë prej 8 milionë eurosh. Tashmë ka në dorë mundësinë që ta mbushë arkën më tepër. Çdo fitore në grupe shpërblehet me 1 milion euro, ndërsa barazimi me 500 mijë të tjera.
Në rast se ia dalin që të sigurojnë një “biletë” për në 1/8-tat, duke qenë se kalojnë 16 nga 24 pjesëmarrëset, premio e radhës do të ishte prej plot 9.5 milionë eurosh. Por, duke ditur që kualifikimi nuk realizohet pa 0 pikë, atëherë për çdo kombëtare, minimumi matematikor do të ishte prej 10 milionësh.
Në total do të varionte nga 18-22 milionë euro për Shqipërinë. Një fond që do të ishte ndihmë e madhe investimesh në futbollin vendas, i cili vazhdon të vuajë probleme të mëdha. Djemve të De Biazit u kanë mbetur edhe dy takime në dispozicion, pasi dështuan që të evitojnë humbjen kundër Zvicrës. Për të kaluar në raundin tjetër mund të mjaftojë një fitore, por duket se “finalja” e kuqezinjve do të jetë pikërisht kundër Rumanisë, e cila u mund në Franca në takimin hapës të kompeticionit. Gjithsesi, të mërkurën do të kërkohet që të surprizohet vendi organizator, Franca, ndaj të cilit kanë arritur rezultate pozitive në miqësoret e fundit.
Shqipëria tashmë e ka marrë fitoren e saj të parë në Euro 2016-të, madje që në debutim. Në një event ku dhuna është kthyer në kryefjalën e ditës, sjellja Fair Play dhe entuziazmi i tifozëve kuqezi në stadiumin e Lensit impresionuan opinionin sportiv. Ndërkohë që në rrugët dhe në stadiumin e Marsejës huliganët anglezë përplaseshin me ata rusë dhe me tifozët vendas dhe në Lille fansat e Gjermanisë me ata ukrainas, një panoramë krejtësisht paqësore u shfaq para, gjatë dhe pas ndeshjes Shqipëri-Zvicër.
Tifozët shqiptarë pavarësisht humbjes në debutim e shijuan në maksimum pjesëmarrjen për herë të parë në Europian, duke hedhur poshtë legjendën e një populli gjaknxehtë dhe të rrëmbyeshëm.
Ata ditën të duartrokisnin kundërshtarët, sepse në njëfarë mënyrë suksesi i Shaqirit, Xhakës, Berhamit, Xhemailit dhe Mehmedit ishte edhe sukses i tyre.

Artikulli paraprakHysaj merr vlerësimet e UEFA-s
Artikulli tjetërÇmenduria Veliaj, taksë farmacive për mbetjet spitalore