Marrëveshje Turqi-Rusi për armëpushim në Siri

Turqia dhe Rusia kanë thënë se pajtohen se është i nevojshëm ndalimi i luftimeve në Siri, por dallimet të mëdha rreth konfliktit në mes të këtyre dy shteteve, mbesin.
“Armëpushimi duhet të arrihet për tërë Sirinë”, veçanërisht në qytetin verior të Aleppos, ka thënë kryediplomati turk, Mevlut Çavushoglu derisa ka folur në konferencën e përbashkët me homologun rus, Sergei Lavrov.
Konferenca është mbajtur në qytetin mesdhetar turk, Alania.
Çavushoglu ka thënë se Ankaraja pajtohet me Moskën se duhet arritur pajtim për armëpushim, nevojën për ndihmë humanitare, tranzicion politik, por ai ka thënë se qëndrimi turk për presidentin sirian, Bashar al-Assad mbetet i pandryshuar.
Turqia mbështet rebelët që po luftojnë për largimin nga pushteti të Assadit, derisa Rusia mbetet përkrahësi kryesor i regjimit në Damask.
Lavrov ka thënë se gjakderdhja në Siri duhet të ndalojë dhe se Moska është e gatshme të bisedojë me të gjitha palët në konflikt, si dhe të vazhdojë bashkëpunimin me Turqinë.
Por, ai gjithashtu ka thënë se Rusia do i vazhdojë operacionet në Aleppo, aty ku gjatë fundjavës qeveria siriane ka rimarrë një të tretën e zonave që kontrolloheshin nga rebelët.

Artikulli paraprakPerëndimi është bashkëfajtor në Aleppo
Artikulli tjetërRinumërimi i votave nuk e ndal dot Trumpin